Në Zvicër ka hotele të shumta me pamje të mrekullueshme, por e dinit që një fshat i vogël do të kthehet i gjithi në një hotel me dhoma të shpërndara, ku çdo shtëpi e fshatit do të shërbejë si një dhomë? Corippo quhet fshati që ndodhet në Zvicër, në zonën e Ticino-s, ku flitet italisht dhe është një vend i pasur me bukuri, histori dhe arkitekturë mbreslënëse. Por, ka një problem të vogël: Numri i banorëve ka rënë nga 300 në vetëm 12 dhe 11 prej të cilëve janë mbi 65 vjeç, sipas CNN.

Kjo gjendje rrezikon ta çojë fshatin drejt zhdukjes, por fondacioni vendas, “Corippo 1975” ka gjetur një zgjidhje për ta nxjerrë fshatin nga kjo gjendje dhe për të zhvilluar turizmin aty. 30 ndërtesat e fshatit do të shndërrohen në një resort të vetëm dhe 2.7 milionë dollarë janë vendosur në dispozicion për të transformuar fshatin. Fabio Giacomazzi është arkitekti dhe presidenti i këtij fondacioni, që dha idenë e hotelit me dhoma të shpërndara. Disa vende të tjera italiane si; Sextantio, Il Borgo di Sempronio dhe Corte della Maestà janë shndërruar në hotele të shpërndarë dhe kanë rezultuar të suksesshëm.

Giacomazzi është shprehur për CNN se shpreson që në fshat të vijnë edhe familje të tjera për të jetuar së bashku me punëtorë që do t`u shërbejnë turistëve. Njëra prej shtëpive, e quajtur Casa Arcotti, është hapur për publikun, ndërsa të tjerat parashikohet të hapen për pashkët e vitit 2020.

Përshtatur nga Travel & Leisure