Ajo është një stiliste e njohur shqiptare, e cila prej shumë vitesh është kthyer në stilisten e preferuar të personazheve të njohur të ekranit, të cilët i besojnë imazhin e tyre krijimeve të saj. Por si asnjëherë tjetër, përpara pak javësh, Rezarta Skifteri u bë pjesë e “Milano Fashion Week 2018” dhe jo si një ndër të ftuarat që shijojnë sfilatat, por për herë të parë si e vetmja stiliste shqiptare, e cila arriti të shfaqte në Javën e Modës në Milano sfilatën me koleksionin e saj, krahas dizenjatorëve më të famshëm italianë dhe para 400 të ftuarëve.

Skifteri ishte sot e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan për të rrëfyer për këtë përvojë të re, emocionet dhe prapaskenat e sfilatës së saj.

Ka disa muaj që kam marrë ftesën për në “Milano Fashion Week”, por nuk e kam publikuar. Doja që të bëhej realitet, sepse më dukej një ëndërr shumë e largët. Unë isha e vetmja shqiptare mes 14 stilistëve italianë. Kam qenë shumë herë në Itali, por ishte hera e parë që shkoja në Milano dhe isha shumë afër Versaces dhe Armanit me koleksionin tim. Koleksioni im ishte deri në 12 veshje, por kjo për mua ishte arritje e madhe. Kam ndjerë ngrohtësi edhe pse isha e vetmja shqiptare. Çdo gjë ishte e bukur atje. Ishte e vështirë të futesha, sepse kisha harruar kartën e stilistes dhe m’u desh të merrja organizatoren për të kaluar, sepse ishte e pamundur.

Kisha veshur një fustan të zi të thjeshtë. Nuk m’u desh shumë kohë për t’i ideuar si fustane, sepse isha shumë e frymëzuar, por për t’i punuar na u desh shumë. Gjatë sfilatës time në fund kam pasur edhe një moment kur u pengova, sepse isha me kokën poshtë se më vinte zor kur bëja sfilatën. Por ishte emocionuese dhe çdo gjë ishte shumë e bukur. Kam pasur komplimente dhe lodhja shpresoj të jetë shpërblyer”,- tha Skifteri./tvklan.al/