Moti i keq ka goditur disa zona në Itali duke shkaktuar edhe dëmë të mëdha materiale. Sipas mediave vendëse, në Sardenja, në zonën e Cagliari-t, është ndezur “alarmi i kuq”. Nga raportimet e fundit, mësohet se katër persona janë shpëtuar nga ekipet e emergjencës, pasi kishin mbetur të bllokuar nga uji larg zonave të banimit. Rrugët janë bërë të pakalueshme dhe pjesa më e madhe e tyre janë dëmtuar shumë.

Edhe në Liguria është pothuaj e njëta situatë. “Alarmi i kuq” është ndezur, pasi situata nga përmbytjet është shqetësuese dhe sa vjen e rëndohet. Pothuajse të gjitha shkollat në Liguria, Imperia dhe Savona janë mbyllur derisa gjendja të stabilizohet.

Kryetarët e bashkive kanë dhënë urdhër edhe për mbylljen e zyrave publike, varrezave, parqeve, objekteve sportive dhe tregjeve.

Po në vendin tonë?

Situata problemore në Itali, në fakt, ende duket larg Shqipërisë. i gjithë vendi ynë mbetet me mot të kthjellët e të ngrohtë deri në fundjavë.

Kështu, sipas Meteoalb, deri në fundjavë, moti mbi Shqipëri paraqitet kryesisht me kthjellime. Edhe dita e enjte sjell rënie të lehtë të vlerave termike gjatë mëngjeseve dhe orëve të mesditës, ndërsa e premtja sërish rrit lehtë temperaturat në të dy ekstremumet ditore. Temperaturat ekstremale gjatë kësaj jave do të luhaten nga 7°C më e ulëta në zonat verilindore deri 27°C, maksimumi në veriperëndim dhe jugperëndim të vendit (temperaturat vlerësohen rreth 5°C më të larta se vlerat tipike të tetorit).