Ashtu si Margot Robbie apo Kristen Stewart, ylli i ri i fushtatës së re nga Karl Lagerfeld për Chanel është sërish një aktore e njohur, fituese e Oscars dhe plot sharm, po flasim për Penelope Cruz, tashmë në një version ndryshe…

Imazhet bardhë e zi në të cilat shfaqet aktorja e tregojnë atë siç nuk e kemi parë më herët dhe veshjet e markës të prezantuara në koleksionin “cruise” që prej majit të këtij viti duket sikur përshtaten më së miri me personalitetin e saj.

Cruz sjell sensualitetin e saj në xhaketat apo pulovrat tipike që Chanel propozon në linjën “cruise”. Në njërën nga fotot e sjella nga fushata e fundit, marka e njohur na njeh me “La Pausa-n” , vilën e ndërtuar nga Gabrielle Coco në jugun e Francës në vitet ’30…

“Chanel është një markë ikonë dhe Karl është një gjeni në fushën e modës. Kam admiruar gjithmonë çdo krijim të tijin që kur kam qenë më e vogël dhe është kënaqësi që sot punoj me të. Mund të them se ai është mbreti i modës…”, kështu është shprehur Penelope Cruz duke shtuar se kjo ka qenë një nga eksperiencat e saj më interesante.

Penelope Cruz ka ndjekur për herë të parë një shfaqje të Chanel në vitin 1999 dhe që prej asaj kohe ajo ka zgjedhur Karl Lagerfeld për daljet e saj publike në tapetin e kuq, në Oscars apo në festivalin e filmit në Kanë.