Për disa vajza lyerja e vetullave është shumë e thjeshtë, ndërsa për shumë të tjera është gjëja më e vështirë në botë. Shpesh nuk arrijmë rezultatin e dëshiruar, pasi nuk realizojmë ngjyrën apo formën që duam. Por, cilat janë gabimet më të shpeshta që bëjmë kur lyejmë vetullat, që me shumë mundësi janë edhe arsyeja kryesore pse nuk arrijmë rezultatin që presim? Ka disa gabime që mund të jeni duke bërë dhe më kryesoret janë:

1.Po përdor produktin e gabuar

Ka disa produkte që përdoren për mbushjen e vetullave duke filluar që nga lapsat, xheli, pudra etj. Duhet të kuptoni cili është produkti që i përshtatet vetullave tuaja. Lapsat janë shumë të mirë për të plotësuar disa fije që mungojnë, kurse pudra është e mirë për të theksuar ngjyrën e vetullave. Xheli dhe dylli janë të përshtatshëm për vetullat e pabindura.

2.Produkti i vetullave nuk ka ngjyrën e duhur

Ekspertët këshillojnë që për vetullat të përdorni një produkt që është një ton më i hapur se ngjyra e flokëve tuaj.

3.Po përdor shumë produkt

Një prej gabimeve që vajzat bëjnë më shpesh është se e teprojnë me sasinë e produktit që vendosin duke i bërë vetullat të mos duken natyrale.

4.I mbush vetullat pa i rregulluar

Të mbushësh vetullat pa i rregulluar (hequr, prerë) e veshtirëson procesin e lyerjes së tyre duke i bërë që të duken të ekzagjeruara.

5.Krijon një formë të re për vetullat, ndryshe nga ajo që kanë

Vajzat tentojnë që ta ndryshojnë formën e vetullave duke shkuar drejt formave jo natyrale, si për shembull me kënd shumë të theksuar. Në vend që t`i jepni vetullave forma të tjera futjuni punës për të rregulluar atë formë që keni, gjithmonë duke mos e tepruar.

6.Pret që vetullat të duken gjithmonë perfekte

Nuk duhet të presësh që vetulla të dalë perfekte gjithmonë, ndonjëherë thjesht nuk është e mundur. Por, mos harroni, edhe vetullat e çrregullta kanë bukurinë e tyre.