"Dita e sotme ishte një ëndërr"...ka mjaftuar kjo fjali për të shprehur të gjithë emocionet dhe ndjesitë e një dite të madhe siç ishte ajo e djeshmja për Armina Mevlanin. Në një ceremoni tejet private, me më pak se 30-të të ftuar, blogerja e njohur ka hedhur një hap tjetër zyrtar në raport me lidhjen e saj të dashurisë me Shkëlzen Berishën. Sigurisht, që ky hap i paraprin atij më të rëndësishmit, ceremonisë së dasmës, fustanin e bardhë dhe gjithçka tjetër ka të bëjë me detajet e organizimit, dekorit, të ftuarve special dhe atmosferën që vetë çifti do të zgjedh për ditën e madhe. E kjo nuk duket të jetë larg...

Sipas deklaratave të fundit në media, Armina dhe Shkëlzeni do të kurorëzojnë dashurinë e tyre në martesë, vitin e ardhshëm! Por, nëse ka një element që merr vëmendje më shumë se çdo detaj tjetër në një dasmë, ai është fustani i nusërisë. Ndërsa, për ceremoninë e fejesës, blogerja shqiptare kishte zgjedhur të vishte një fustan të D&G, që marka e famshme ia bëri enkas dhuratë për këtë ditë, të gjithë jemi kurioz se kush do ia stilojë atë të nusërisë.

E kontaktuar nga revista Class, Armina zbuloi se është në bisedime me shumë stilistë të huaj, të famshëm, për të vendosur për fustanin që do të veshë në ditën e dasmës. Pra, zgjedhja e saj do të jetë një stilist i huaj. "Do të kem dy fustane në dasmë, një të thjeshtë dhe një madhështor", thekson ajo.

Të shohim cila do të jetë zgjedhja e blogeres së njohur, por me siguri do të jetë diçka surprizuese!