Një shqiptar nga Vermoshi, që ka jetuar në SHBA prej 40-vjetësh, është personazhi kryesor i filmit më të ri shqiptar “Albanian Gangster”, i cili po synon të pushtojë kinematë botërore. Duke nisur që nga kjo e premte, filmi do të transmetohet për publikun shqiptar në kinema.

Regjisori dhe skenaristi i filmit, Mathew Brown, ka zgjedhur ngjarje të jetës reale, histori të prekshme nga të gjithë shqiptarët, por të njohura sidomos nga pjesa e veriut të Shqipërisë.   

Ajo që në pamje të parë është një himn për gangsterët shqiptarë, në të vërtetë është ende një dramë e shoqërisë sonë. Brown ka treguar edhe përshtypjet personale dhe burimin e ideve për këtë projekt, i cili pasqyron një realitet të dhimbshëm për shqiptarët.

Risi për skenarin e filmit, veç faktit që është frymëzuar nga ngjarje të vërteta, është edhe kolona zanore që do ta shoqërojë. 7 këngët e reperit të njohur Unikkatil do të jenë në sfodin e një historie kryekëput shqiptare, kështu që edhe zgjedhja e muzikës është menduar me shumë kujdes. Regjisori Brown ka zbuluar përse zgjodhi pikërisht këtë artist:

Unë e kam takuar Unikatilin para se të takoja Johnin. Prej tij, u takuam me njëri-tjetrin në Los Angeles. Gjëja më e çmendur është se kur po shkruaja filmin, por kërkoja elementë që hyjnë thellë në shpirtin dhe ndjenjat njerëzore shqiptare dhe kështu gjeta në Youtube këngët e Unikkatil. Kështu, një djalë që luajti në film më tha: “E paske dëgjuar Unikatil, ai është i njohur në Shqipëri”. Më tha mund ta takosh, pasi ruajtëm kontaktet, ai më tha: Kjo është muzika ime, do të të jap 7 këngë.

Mathew sqaroi edhe se leximet për krimet dhe mafien bënë që të sillte një film pikërisht për gangsterët shqiptarë: “Sepse po lexoja për arrestimet e viteve 2000 dhe m’u duk sikur gjeta ar për kinemanë. Nuk ishte vetëm për dhunën, por edhe për lidhjet si Kanuni, Besa. Gjëja më e keqe në këtë kulturë është të jesh spiun.”

Ndërsa aktori kryesor, John Rezaj, tha se ngjarjet reale dhe aktualiteti bënë që gjithçka të mos konsiderohej si aktrim: “Kur kemi xhiruar, e hodhëm skenarin. Ishte gjithçka spontane.”

 

Titulli origjinal: 

Albanian Gangster

Filmi fillon: 18.10.2018

Zgjatja e filmit:   81 minuta

Shteti/Viti: USA/2018

Lloji: Krim, Dramë

Aktorë: John Rezaj, Nik Nucullaj, Ashley C. Williams, Almedin Dervishaj, Maria Rezaj

Regjisori: Matthew A. Brown

Distributori: Kings and Lions Film LLC