Janë përcaktuar sot 22 këngët që do të marrin pjesë në netët e Festivalit të 57-të të Këngës në RTSH. Komisioni përzgjedhës ka shqyrtuar 54 këngët që ishin regjistruar për të qenë pjesë e festivalit të fundvitit, i cili, me gjithë spekulimet e herëpashershme, mbetet një prej eventeve më të rëndësishëm të muzikës shqiptare në vend.

Ajo që bie në sy në këtë listë (të renditur sipas rendit alfabetik), është rikthimi i këngëtarëve të mirënjohur. Mes shumë emrave të njohur, spikatin Gjergj Leka, Elton Deda, Jonida Maliqi, Eranda Libohova, Vikena Kamenica, Soni Malaj, Orgesa Zaimi, Eliza Hoxha etj.

Megjithatë, mes më të mirëve të muzikës, ka edhe shumë interpretues të rinj të talentuar, që do të provojnë veten në eventin më të madh kombëtar të muzikës. Artistët e kualifikuar do të kontaktohen së shpejti nga organizatorët e festivalit për të vijuar me fazën parapërgatitore që do të finalizohen me tri netët e mëdha të Fest ’57, 20, 21, 22 dhjetor.