Fillova një punë të re disa muaj më parë dhe më pëlqen shumë menaxheri im. Jemi rreth së njëjtës moshë, jemi të dy të martuar dhe me fëmijë. Martesa ime nuk shkon dhe aq mirë. Para disa vitesh, bashkëshorti im pati një marrëdhënie jashtëmartesore me një kolegen e tij dhe ishte shumë e vështirë për mua. Martesa jonë ende nuk është rindërtuar totalisht. Normalisht, unë nuk do të kisha kurrë një marrëdhënie jashtëmartesore (kam pasur disa mundësi dhe nuk e kam bërë), pasi i di pasojat, sepse e kam kaluar vetë. Por, shefi im është seksi. Është një djalë i këndshëm, i ëmbël, me humor, i zgjuar dhe optimist. Përveç punës, ne kemi edhe shumë të përbashkëta të tjera. Ai është natyrë miqësore dhe ndoshta unë jam duke e keqkuptuar entuziazmin dhe interesin e tij kundrejt meje, por, po ashtu, ky mund të jetë një flirt. Sidoqoftë, rri zgjuar gjithë natën dhe mendoj për të. A nuk duhet ta shoh atë djalë si një dhuratë nga universi, të cilën nëse do ta refuzoja do të tregohesha budallaqe?

Përgjigje nga ekspertja:

Jo, jo, jo, jo e dashur! Kjo dilemë nuk ka lidhje me shefin tënd, por me marrëdhënien që bashkëshorti yt ka pasur me kolegen e tij dhe ti dëshiron të marrësh hak. Hakmarrja është joshëse, por mendo: Ti dikur ke qenë e dashuruar me bashkëshortin tënd dhe ju keni fëmijë, mos hidh poshtë çdo gjë. Provo ta zbutësh zemërimin ndaj bashkëshortit. Shkoni në një konsulent çiftesh. Unë besoj që ti dhe bashkëshorti yt mund të krijoni një bashkim më të fortë dhe më seksi. Lëre shefin të shijojë martesën e tij!

Përshtatur nga rubrika Ask E.Jean, Elle