Një grua është martuar me veten e saj, pasi është mërzitur duke pritur mashkullin e duhur të shfaqet në jetën e saj. Laura Mesi është një instruktore palestre italiane dhe ajo ka bërë një pakt me veten: Nëse deri në moshën 40-vjeçare nuk e ka gjetur mashkullin e ëndrrave, ajo të martohet me veten. Vitet kanë kaluar shpejt dhe sapo Laura ka mbushur 40 vjeç e ka përmbushur këtë objektiv që i kishte vënë vetes. Pasi ka kërkuar 20 vite për mashkullin ideal, ajo është dorëzuar dhe ka vendosur të martohet me veten në kishë. Mesi është shprehur për La Repubblica se ajo i kishte “paralajmëruar” miqtë e saj se kjo gjë do të ndodhte.

“Unë ju kam thënë miqve të mi se nëse nuk do ta gjeja shpirtin tim binjak 40 vjeçe, atëherë do të martohesha”,-është shprehur Mesi.

Dasma e Laurës u realizua dhe kushtoi plot 8700 dollarë. Shpenzimet i mbuloi vetë pasi kishte kursyer për këtë ditë. Ceremonia i kishte të gjitha detajet e një dasme të vërtetë: fustanin e bardhë, unazën speciale, tortën, çdo gjë. 70 të ftuarit e Laurës ishin prezent me të në ditën e madhe, duke kërcyer dhe shijuar ushqimin, pijet, shampanjën e mirë mbi të cilën shkruhej “Single”. Si çdo çift që pas dasmës arratisen për në muajin e mjaltit, edhe Laura e shijoi muajin e mjaltit vetëm në Egjipt. Edhe pse ceremonia e lumturoi shumë, Mesi e pranon se nëse një ditë do ta gjejë mashkullin e duhur në jetën e saj, atëherë do të divorcohet me veten për t’u martuar me të.

Laura është shprehur për La Repubblica se mesazhi i kësaj martese është që vajzat ta duan veten e tyre dhe ato mund të jetojnë një përrallë edhe pa një princ.