Flokët janë gjysma e bukurisë.

Sa herë e dëgjojmë këtë shprehje bindemi akoma më shumë për t’u kujdesur sa më tepër për to. Mirëpo, ndonjëherë monotonia e jetës së përditshme na “detyron” të bëjmë një kapje të thjeshtë dhe të nxitojmë për në punë, shkollë…Hairstylist e Class Hair and Makeup, Monaliza Kasaj me siguri nuk do të binte dakord me ju. Ajo ndoshta si çdo vajzë ka ato ditët “dembele”, kur nuk ju kushton shumë rëndësi flokëve, mirëpo ato ditë janë aq të rralla sa mund të numërohen me gishtat e duarve, sepse Monaliza e di më mirë së kushdo rëndësinë e flokëve në bukurinë e një vajze. Prej 10 vitesh ajo merret me këtë punë dhe ndoshta shumë prej jush mendojnë se mund të jetë mërzitur nga ky profesion, mirëpo Monaliza duket se vazhdon ta bëjë këtë punë me të njëjtin pasion si në fillim. Kur  e dëgjon për herë të parë emrin e Monalizës mendon se ke të bësh me një pseudonim për shkak të punës, por më vonë e kupton se ke të bësh me një Monaliza të vërtetë jo atë të Da Vinci-t sigurisht. Monaliza është nga ato hairstylist që u bindet kërkesave të klientëve.

E pafjalë dhe gjithmonë e buzëqeshur, Monaliza ka ditur ta fitojë besimin e klientëve edhe me karakterin e saj. Ajo punon prej 3 vitesh në Class Hair and Makeup dhe punësimi i saj në këtë studio ka qenë fare rastësor. Siç tregon Monaliza, Alketa Vejsiu kishte dëgjuar për punën e saj dhe një ditë rastësisht e merr në telefon për një takim nga afër. Monaliza e kaloi provën me sukses dhe ia doli të punësohet në Class Studio.

Çfarë vlen të theksohet është se në takimin me Alketën, flokët e Monalizës ishin një provë e rëndësishme për të, prandaj ajo u siguria që atë ditë të ishin pika e saj e fortë. Siç ndoshta janë çdo ditë, edhe pse është mamaja e dy djemve dhe si çdo grua tjetër i duhet të bëjë shumë gjëra njëkohësisht gjatë ditës. E tillë është jeta e Monalizës, por asnjëherë nuk e neglizhon të bukurën, sepse edhe po të mundohet ta largojë, vështirë do ta ketë, sepse ajo për hirë të së vërtetës është një vajzë me një bukuri të pastër dhe natyrale. Mirëpo, le të kalojmë paksa edhe tek raportet e saj me vajzat e njohura të ekranit. Duke punuar shpeshherë me VIP-at Monaliza do të na zbulojë disa të vërteta rreth tyre, për tekat, por edhe thjeshtësinë e disa personazheve që ajo i do fortë. Për Monalizën dhe për Class Hair and Makeup të gjithë klientët janë njësoj, mirëpo nëse keni interes specifik për VIP-at, Monaliza do të na tregojë disa sekrete të vogla.

Në këtë intervistë do të lexoni gjithashtu edhe mbi flokët: këshilla se si të kujdesemi më mirë për to dhe çfarë modelesh i shkojnë çdo vajze. Monaliza e ka përvojën e duhur për t’ju këshilluar, pasi eksperienca dhe shkollimi sigurisht, e kanë bërë atë një profesioniste të vërtetë.

Në përgjithësi vajzat që të vogla ju pëlqen të lyhen dhe të rregullojnë flokët, kështu nisi edhe pasioni yt për flokët?

-Pasioni im për flokët nisi duke rregulluar të tjerët, më shumë më pëlqente të rregulloja vajzat e tjera sesa veten, më saktë më pëlqente edhe të rregulohesha vetë, por nuk më linin prindërit. Më kujtohet që merrja me vete gjërat e makeup-t tek çanta e shkollësh dhe lyhesha në klasë unë edhe shoqet e klasës.  

Sa vite keni që jeni një hairstylist?

- Kam mbaruar shkollën 2-vjeçare të parukerisë në Pire në Greqi, edhe vetë ato si akademi me gjetën direkt punë 2-3 muaj para se të mbaronte shkolla sepse dola e shkëlqyer me nota 19,5 nga 20, kështu që kam pothuajse 10 vite punë nga 2008 që mbarova shkollën.

Ju keni jetuar në Greqi për një periudhë të gjatë kohe. Nga ndryshojnë vajzat shqiptare nga ato greke për sa i përket modeleve të flokëve?

-Po, është e drejtë kam jetuar pothuajse 18 vite në Greqi, diferencat mes kërkesave të vajzave shqiptare edhe atyre greke besoj janë të pakta, pasi si vajzat greke po ashtu edhe shqiptaret kanë dëshirë të zbukurohen dhe të mbahen shumë.

Si arritët të punësoheni tek Class Hair and Makeup?

-Kam pothuajse 5 vite që jam kthyer në Shqipëri, kam punuar në News 24 edhe Scan nga 1 vit në secilin televizion. Një ditë papritur, më bie në celular një numër i panjohur dhe ishte Alketa Vejsiu. Për 10 sekonda ajo më tha se i kishin folur për mua dhë dëshironte një takim nga afër për punë. Alketa është e tillë si në televizor edhe në jetë e përditshme, flet shumë shpejt dhe pak nga emocionet se po flisja me Alketën dhe pak nuk e kuptova se foli shumë shpejt i kërkova ta përsëriste edhe një herë atë qe kishte thënë. U takuam tek zyrat e Class dhe pasi u prezantuam më tha se ti je ajo që unë kërkoj për tek Class Hair and Makeup. Do vish nëser më tha të bëjmë një set fotografik me 2 modele dhe kjo ishte prova ime e cila përfundoi me sukses.

Prej sa vitesh punoni si haistylist tek Class Hair and Makeup?

-Unë kam 3 vite që punoj për Class-n.

Ju realizoni modelet e flokëve për shumë vipa të njohur. Si është të punosh me ta?

-Të punosh me VIP-a është kënaqësi, ështe një gjë e veçantë, por ka edhe lodhje për mua. VIP-at janë si fëmijë të vegjël të llastuar ndonjëherë ( jo të gjithë, normalisht).

Cili është VIP-i me të cilin ke bashkëpunuar dhe je mërzitur paksa me kërkesat e saj?

- Të them të drejtën, nuk më ka rastisur akoma një VIP që të më lodhë shumë, mundohem gjithmonë që t’i plotësoj kërkesat e VIP-ave, por edhe të klientëve pasi për mua janë të gjithë njësoj.

Po ai që ta ka bërë jetën më të lehtë?

- Tani po. Është një VIP, që është aq e thjeshtë në kërkesat e veta, di se çfarë kërkon dhe di që ajo që kërkon i shkon shumë, por edhe të kërkon mendim gjithmonë. Kjo është Alketa Vejsiu.

Puna juaj është disi pa orare për shkak se njerëzit nuk kanë një orë të caktuar se kur duan të zbukurohen. Ata kanë një event dhe vijnë tek ju? Si e menaxhoni punën dhe familjen?

- Është disi e vështirë kur ke 2 fëmijë të vegjël, por mendoj se kur puna të kthehet në pasion e gjen kohën për të gjitha, sigurisht që kam edhe ndihmën edhe mbështetjen e bashkëshortit.

Cili është modeli i flokëve që mendon ti se nuk del asnjëherë nga moda?

- Besoj se floku i drejtë është shumë i bukur edhe CLASS dhe nuk del asnjëherë nga moda.

Këshillat që mund t’ju japësh vajzave për flokët dhe prerjen e tyre?

- Floku përcakton karakterin e një vajze, zakonisht vajzat moderne kanë flokë të shkurtër tipit “Bob” , ndërsa ato klasike flokë të gjatë me apo pa shkallëzim. Duhet kujdesur shumë për flokun ashtu siç ka nevojë trupi për trajtime ka nevojë edhe floku që të jetë i shëndetshëm. Prerja e flokut për mua është shumë e rëndësishme. Në varësi të formës së fytyrës përcaktohet edhe prerja. Jo të gjitha llojet e prerjeve na shkojnë. Për shembull, trendi i momentit është stili “Bob”, sa më i çrregullt aq më mirë. Është vjeshtë, me reshje shiu, ndaj falenderoni hairstylist që nxorën nga moda flokët e “hekurosura”.

Po për vajzat me flokë kaçurrele, çfarë sugjeron?

-Nëse keni kaçurrela “Bob” me pak shkallëzim do të ishte perfekte për flokun tuaj. Për fytyra të rrumbullakta “Bob i gjatë”, flokët nuk duhet t’i prisni sipër nofullave sepse krijojnë iluzionin e një fytyre të gjerë. Për flokë të dendur shkallëzim i fortë edhe baluket në njërën anë. Nëse keni flokë tepër voluminoz, nuk keni zgjidhje tjetër dhe duhet t’i holloni. Shkallëzimi do t’ju ndihmojë t’i jepni formën që dëshironi flokut. Për flokë të gjatë dhe të hollë, shkallëzoni majat. Duke shkallëzuar majat krijoni idenë e një floku më të dendur.

Cila është dëshira më e madhe që nuk e ke realizuar ende?

- Kam një dëshirë edhe jam duke punuar fort me Alketën që Class Hair and Makeup të shkojë në një tjetër nivel standarti në Shqipëri dhe jashtë saj.

Foto: Orsola Mema, Class Photography