Nëse e gjithë jeta e saj do të ishte një refren kënge apo një subjekt emisioni televiziv, i ngjashëm me formatin që ajo drejton prej disa kohësh, me gjasë që do të kishte siguruar audiencë maksimale! Sepse Orindën e duan të gjithë! Ky duket si një pakt i përhershëm që ajo ka bërë me veten dhe fansat e saj. Ndoshta, ky do të interpretohet si një rrëfim për famën, për muzikën, për bashkëshortin, por nuk është saktësisht kështu! Ashtu si në vitet e arta, emri i saj përkthen përsosmërisht eksperiencën individuale në një ndjenjë kolektive. Ajo ka fuqinë që këtë efekt ta përçojë përmes zërit të saj, këngës, e cila është aty si provë e një artisteje të vërtetë dhe me vlera.

E vetdijshme thellë brenda vetes së saj, Orinda spikat në mënyrën si komunikon me të ngjashmet e saj. Ajo nuk do të portretizonte kurrë një karakter që dërgon mesazhe të gabuara, sepse me potencialin e zërit apo figurës si imazh publik, ajo është krejt imune ndaj kësaj fuqie. Emocionale, është pak të thuash. Gjatë bisedës së çlirët me të, kishte jo pak momente kur për gjërat më të ndjeshme që e prekin atë drejtpërdrejtë, Orinda nuk i ndrydh emocionet dhe që i lexohen qartë në zë dhe në sy.  

Orinda është e fokusuar! E sjellshme, e gatshme dhe shumë e vendosur për të qenë një profesioniste e përkryer. Gjithçka e ka nën kontrroll dhe pak gjëra mbeten "peng"  i rastësisë. Sepse vetëm kështu, njeriu mundet të tregohet i sigurt dhe i vërtetë më veten, dhe po kaq me njerëzit që e rrethojnë si pjesë e përditshmërisë, familjes, punës, miqësisë, etj.

Ka një argument se fama e Orindës, e bën atë më të ndjeshme ndaj shqyrtimit të vlerësimit dhe kritikave publike, por në fund të fundit, gjithçka vendoset mbi qëllimet e sinqerta me ndjenjën e një mirëkuptimi të pranueshëm. Shpesh, ajo refuzon ta shohë profilin e saj si një çështje publike, por kjo është e pashmangshme, sepse tashmë ajo e ka ndërtuar bindshëm imazhin e dashur dhe publik për të gjithë.

Artistja e dashur për të gjithë ju, vjen në këtë rrëfim ekskluziv për Class, që më shumë se një historie të re të treguar publikisht në media, i ngjan një rikthimi të fuqishëm të saj në arenën artistike. Tri këngë të reja, një videoklip gati, një emision i ri për të drejtuar që ka nisur rrugëtimin e suksesit në TV Klan prej disa javësh dhe një familje e vogël që dashurinë  e ka "ingredientin" parësor për ta mbajtuar gjithçka në baza të forta e të shëndosha.

E bashkë me botën e tyre të bukur, për Orindën dhe Turjanin bekimi më i madh i pritshëm është ai i fëmijës së parë. Dhe Orinda si nënë, tashmë e ka projeksionin e qartë! Shumëçka rrëfehet pa dorashka në këtë intervistë për të mos u humbur!

Orinda, si u përfshive në jurinë e "Këngës Magjike"? Le ta quajmë mirfilli një rikthim tuajin  këtë në muzikë, pas një periudhë shkëputje...

Ishte një telefonatë e Ardit Gjebreas! Një propozim të cilit nuk mund t'i thoja "jo". Unë vetë jam bërë e njohur në Kënga Magjike kështu që është shumë bukur dhe kënaqësi e veçantë të jesh pjesë e një jurie që promovon të rinjtë.

Ç'vend zë muzika në jetën tënde? 

Dëgjoj shumë muzikë dhe besoj që s'ka ilaç më të mirë për shpirtin!

Zgjohesh me këngë në mëngjes? Hiti yt i preferuar?

Për momentin është kolona zanore e  filmit “ A star is born”... "Shallow"!

Flitet që je duke punuar paralelisht për tre këngë njëherësh, njërën prej të cilave do e  konkretizosh shumë  shpejt  me  një videoklip. Mund  të dimë më shumë detaje rreth tyre?

Në fakt është e vërtetë! Janë disa këngë që po punoj dhe shpresoj që së shpejti t'ia paraqes publikut! Janë balada që personalisht i dua shumë! Mund të them se njëra prej tyre është krijim i Armend Rexhepagiq dhe Aida Baraku. Tjetra prej një krijuesi të huaj.. 

Jemi në episodet e para të "Jo vetëm modë" të drejtuara nga ty, por si mendon se po ecën emisioni?

Mendoj që “Jo vetëm modë” është një produksion i mirë i cili duhet të vazhdojë të konsolidohet duke punuar fort! Dhe këtë jemi duke bërë. 

Gjithsesi, publiku është ai që jep gjykimin më të drejtë...Si ndikoni në jetën dhe perceptimin e teleshikuesve tuaj, përmes "Jo vetëm modë"?

Jam shumë e lumtur nga mesazhet që marrë nga shikuesit! Jo vetëm nga komplimentet, por edhe kritikat.

Mendon se ia "rrëmbeve" emisionin Nevina Shtyllës apo thjesht t'u besua si format?

Jo jo! S'ka asnjë gjë të tillë! Shkëputja e Nevinës nga emisioni dhe ardhja ime janë në kohë të ndryshme!

Ndihesh komode, në shtëpinë e re të TV Klan?

Për hirë të së vërtetës më kanë pritur shumë mirë! Shpresoj që të rri gjatë në shtëpinë e re... Më pëlqen shumë.

Fakti që edhe në Vizion Plus edhe tani në Tv Klan, ti ndan të njëjtin ambient pune me Turin, bashkëshortin tënd, a është rastësi apo zgjedhje? 

Në këtë rast është rastësi. Ardhja ime në Klan nuk ishte e parashikuar!

Pse vendose ta lësh Vizion Plus, ku kalove plot tetë vite angazhim aty?

Nuk dua të flas më për Vizion Plus! 

Është bërë si fakt tashmë, që ku shkon Turi, shkon edhe Orinda  më   pas. Është rastësi   e bukur apo zgjedhje e mirëmenduar kjo nga ana jote? 

Rastësi shumë e bukur! 

Thonë, që çiftet që kanë të njëjtin profesion, e  që  ndajnë  të njëjtin  ambient  pune kanë jetë  monotone. A është kjo e vërtetë në rastin tuaj?

Ne nuk takohemi pothuajse fare në punë. Përsa i përket monotonisë nuk besoj që ka të bëjë me profesionin! Ne e kemi ilaçin kundra monotonisë. 

Pasi i vendosni kyçin derën, lini jashtë saj edhe çështjet e problematikave në punë apo i merrni me vete?

Nuk besoj se puna ikën aq kollaj nga mendja sepse zë pjesën më të madhe të kohës. Turjani mundohet ta bëjë këtë gjë ndërsa unë e kam pak më të vështirë! Një film i bukur ose një libër apo një darkë e këndshme e nxjerr punën nga dritarja.

Në media ose në dalje të ndryshme publike, partnerin tënd të gjithë e njohin si Turi, përveç teje! Ti gjithmonë i thua Turjan. Ka ndonjë gjë pas kësaj?

Hahaha! Gjithmonë i kam thënë Turjan sepse ky është emri i tij i vërtetë! Ai çuditej në fillim dhe tani kam arritur që pothuaj të gjithë njerëzit tanë të afërt t'i thonë Turjan! S'ka asgjë tjetër.

Kuzhina është një pasion tjetër i yti, të cilin jo të gjithë e njohin. Çfarë të tërheq më shumë në këndin e gatimit? Receta e preferuar?

Aktualisht po shijoj një picë! Unë e dua shumë ushqimin dhe e shijoj. Jam rritur në një familje ku të gjithë gatuajnë dhe jemi mësuar të hamë shumë mirë dhe shumë ngadalë. Në kohën kur jetoja me prindërit duhet të gjeja gjithmonë kohë për të drekuar apo darkuar qetësisht në tavolinë me ta. Ajo ishte koha jonë e çmuar që kalonim së bashku, ndonjëherë duke lavdëruar e kritikuar atë që konsumonim. Unë gatuaj prej shumë vjetësh, por ende nuk kam një recetë të preferuar. Në këndin e gatimit më terheqin erëzat.

Truket për të realizuar një pjatë të shijshme, cilat janë? 

Duhet siguri në atë që po gatuan, edhe sikur të jetë një test, një recetë e re...

Dashuria kalon nga stomaku thonë...Cila është pjata e preferuar e bashkëshortit tënd dhe që ti e gatuan me shumë dëshirë, gjithmonë?

Turjani është shijuesi më komod. Ai pëlqen çdo gjë që gatuaj. Fillova të mendoja se edhe po ta blija në dyqan, ta ngrohja e ta shisja si timen prapë do thoshte se i pëlqente. Pra, dukej sikur më bënte qejfin çdo herë, por jo. Një herë më rëshkiti dora në përgatitjen e një recete, nuk u kursye aspak të më falenderonte edhe pse shija nuk ishte ndër më të mirat që kishte provuar.

Cili është vendi më i bukur në botë për ty? 

Italia...Përpara se ta vizitoja nuk e kuptoja pse të gjithë binin në dashuri. Më dukej kaq klishe, por në të njëjtin kurth dashurie rashë vetë...

Hera e fundit kur ke qenë në pushime me Turin?

Këtë verë s'kemi bërë pushime fare për shkak të punëve të Turjanit dhe është e tmerrshme kur e mendon. Mezi po pres të vijnë pushimet e dimrit të arratisemi!

Bashkëshorti yt njihet si njeri shumë punëtor në fakt. A i hyn në hak ai orëve që mund t'i   shfrytëzoni për të qendruar bashkë, për të shkuar diku me pushime, etj?

Në fakt ke të drejtë! Me shumë luftë e shkëpus nga puna.

Hera e  fundit kur je nervozuar sepse Turi ka anuluar një plan fundjave apo pushimi, për  shkak të punës?

Këto kohë kanë ndryshuar rolet! Angazhimi në Kënga Magjike na ka bllokuar të dielën dhe Turjanin e ka nervozuar ky fakt! 

Ju me Turin keni një histori të gjatë dashurie. A ndryshoi diçka në jetën tënde pas martesës?

Asgjë! Më e bukur u bë historia.

Shumëkush, sidomos person publik, nuk e ka  luksin  e të qenit i "pagjykuar"! Vlen e njëjta gjë edhe për ty?

Vlen, por me kalimin e kohës mësohesh dhe s'të bën përshtypje! 

Gjëja që doni më shumë në punën tuaj?

Jam shumë e lumtur me këto që kam në punë!

I keni qejf fëmijët? Doni një familje të madhe?

Sigurisht. Me bekimin e Zotit duam një familje të madhe.

Si e sheh veten si mama e ardhshme?

Aaaa s'di çtë them...Unë do bëj më të mirën!

Jeni supersticioze si natyrë? Kur të ndodh mrekullia, mendon se do e tregosh direkt apo pas tre muajve, sipas zakonit?

Do presim tre muaj më mirë! Nuk besoj se na ngut gjë. Do kemi kohë për ta shijuar vetë njëherë. 

Çfarë leksioni të kanë dhënë prindërit?

Puno fort, mos urre, fal dashuri dhe mos lëndo njeri.

Gjëja e preferuar që dëshiron të bësh çdo të diel?

Udhëtime!

Libri i fundit që ke lexuar?

"Gurët e vetmisë", Tom Kuka..

Hera e fundit që ke qeshur aq shumë, sa të kanë dalë lot?

Faleminderit Zotit unë nuk jam njeri i zymtë. As nuk përpiqem të qesh. Më rrethojnë njerëz që më lumturojnë dhe të qeshurën e kam gjithnjë me vete. Me lot mund të kem qeshur edhe para tre ditësh, por tani nuk kujtoj se për çfarë, e pse duhet ta kujtoj në fund të fundit?

Kënga që këndon në dush?

We can't fall any further
If we can't feel ordinary love
And we cannot reach any higher
If we can't deal with ordinary love

Projektet që ju presin?

Video më e re e një prej këngëve që kam përfunduar...

 

Credits: Veshjet

Ani's Boutique

Boutique Lioness

Location: Xheko Imperial