Një tjetër humbje e madhe në plejadën e artistëve që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në kinematografinë dhe artin shqiptar ndër vite. Aktori i njohur shkodran, Sulejman Dibra është ndarë krejt papritur nga jeta mbrëmjen e djeshme, si pasojë e një ataku kardiak në moshën 75 vjeçare.

Rolet e tij kanë spikatur në filmat më të suksesshëm shqiptar, ku veçohet interpretimi i tij në filmin "Nëntori i dytë". Sulejman Dibra lindi më 9 shtator të vitit 1943 në qytetin e Shkodrës. Pas përfundimit të studimeve të lartë në Shkollën e Lartë “Aleksandër Moisiu” në Tiranë, në vitin 1966 rikthehet në qytetin e Shkodrës për të punuar si aktor profesionist në Teatrin “Migjeni” të këtij qyteti.

Në vitin 1969 u transferua në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar) në Tiranë. Me këtë teatër ka interpretuar në shumë pjesë si “Arturo Ui” e Bertold Brehtit, “Toka jonë” e Kolë Jakovës, “Prefekti” e Besim Levonjës etj. Në kinematografi ka interpretuar në 13 role. Roli i tij i parë do të jetë ai Partizanit të plagosur në filmin “Komisari i Dritës”. Më tej do të interpretonte në rolin e Kiços, agjentit 13 në filmin “Njësiti “Guerril”, rolin e Sotir Filipit “Kasketa” në filmin “Operacioni “Zjarri”, rolin e drejtorit të shkollës në filmin “Tinguj Lufte”, rolin e gjeneralit turk në filmin “Nëntori i Dytë” etj.

Roli i tij më i fundit do të jetë në vitin 2009, roli i Myrtezait në filmin “Ne dhe Lenini”. Gjithashtu, prej vitesh ai ka dhënë kontributin e tij të çmuar në fushën pedagogjike, si profesor në në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve) në degën e aktrimit.