Ish-ambasadori dhe diplomati i shquar shqiptar, Bashkim Zeneli, ka promovuar mbrëmjen e sotme librin e tij të ri “Miqësi e trazuar”. Në prani të shumë kolegëve, miqve të ngushtë dhe të afërmve, ish-ambasadori ka bërë një dhuratë tjetër për lexuesit e interesuar për diplomacionë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Dy vjet pas publikimit të librit “Për Gjermaninë”, një libër me histori nga kujtimet dhe raportet e shpeshta me Gjermaninë, Zeneli vjen këtë herë për të folur për raportet me Greqinë, me të cilën marrëdhëniet tona kanë qenë shpeshherë të trazuara.

Me anë të këtij libri apo aktiviteteve të tjera, Zeneli bën pjesë tek ish-zyrtarët e shtetit shqiptar që e nderojnë shtetin shqiptar, që e nderojnë shoqërinë, shërbimin tonë diplomatik, pasi mbeten vazhdimisht një burim informacioni, burim debatesh dhe burim të dhënash për t’i çuar më përpara këto marrëdhënie, për të qenë më të suksesshëm në sferën diplomatike dhe, mbi të gjitha, për të mësuar didaktikën e marrëdhënieve diplomatike për të gjithë ata që do ta fillojnë këtë punë një ditë, duke filluar nga studentët tanë të Marrëdhënieve Ndërkombëtare apo nga ata të Shkencave Politike.

 

Ambasadori Bashkim Zeneli është një mjeshtër i diplomacisë publike. Për veprimtarinë gazetareske dhe politiko-diplomatike është nderuar me medalje dhe urdhra të shumtë. Ai është nderuar me tituj të ndryshëm dhe ka marrë vlerësime të shuma nga autoritetet e vendeve ku ka shërbyer si ambasador, si në Gjermani ashtu edhe në Greqi.

Bashkim Zeneli në Gjermani është përfshirë për tri vite radhazi në “Enciklopedinë e figurave të shquara në Republikën Federale të Gjermanisë”. Edhe në Greqi ambasadori Zeneli është nderuar si “Qytetar Nderi i Athinës” apo medaljen e artë ‘Zgalemi i Lirisë’ për kontributin e dhënë në integrimin e bashkatdhetarëve tanë atje, por pa dyshim, edhe për forcimin e miqësisë midis shqiptarëve dhe grekëve.

Disa muaj më parë, Presidenti Meta i akordoi Zenelit titullin “Mjeshtër i Madh”: “Në shenjë vlerësimi për kontributin e shquar dhe veprimtarinë e gjatë e të spikatur në fushën e politikës së jashtme ku, si gazetar, publicist, deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe ambasador, u ka shërbyer me përkushtim çështjes kombëtare e integrimit euroatlantik të Shqipërisë”.