Nëse të gjithë artistët e rinj duan edhe një këngë më tepër për eksperiencë në Festivalin e Këngës në RTSH, Dilan nuk është në këtë kategori. Ai i di mirë aftësitë e tij, potencialin vokal, ndaj edhe nuk druhet të deklarojë hapur se vjen edhe një herë tjetër, ndoshta më shumë se çdo herë, për të fituar. Pse jo?

Dilan vjen ketë herë me një histori personale. Aq sa ka pasur mbështetje gjatë këtyre viteve në muzikë, aq ka pasur edhe dyer të mbyllura. I ftuar në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, në RTSH, Dilan zbuloi më shumë detaje nga kënga. “Është një histori personale. Kënga u dedikohet të gjithë atyre që më kanë mbyllur dyert dhe që nuk më kanë mbështetur atëherë kur kam pasur më shumë nevojë”,– tha këngëtari.

 

“Karma” është një titull ndërkombëtar, ndaj edhe zgjedhja ishte e qëllimtë. Siç thotë Dilan, “Karma” dhe fabula e saj nuk është prekur as në Festivalin e Këngës, madje as në Eurovision: “Ideja e parë ishte që kënga të titullohej “Rilinda”, por vendosëm ta titullojmë ‘Karma’ pasi është më ndërkombëtare”, – shpjegon Dilan. I pyetur për pritshmëritë që ka nga pjesëmarrja në festival, Dilan nuk druhet ta pranojë se ka pretendime, pse jo edhe për ta fituar. “Kam ardhur për çmimin e madh. Nuk e di çfarë do të ndodhë, por unë do të jap më të mirën time.” Në një prononcim për revistën Class, Dilan shton se kënga e tij është e veçantë, si në melodi, ashtu edhe në fabul: “Jo vetëm sepse është një histori personale, por edhe sepse këtë vit ndihem më i sigurt dhe me një material që do më përfaqësojë denjësisht. Pres shumë nga ky festival. Vij për të fituar.”

Këngët e këtij edicioni do të këndohen në të tria netët, por prezantimi natën e dytë do të jetë ndryshe nga çdo vit tjetër. Dilan nuk zbulon më shumë detaje, por thotë se ka nisur nga puna: “Unë do të bëj më të mirën. Kemi tre muaj që po punojmë me këngën dhe performancën. Do të jetë diçka masive, me efekte, si në Video Music Awards.”

“Karma” është e rrymës euro-pop dhe është punuar nga Gridi Kraja, ndërsa fabula i është besuar Florian Zykës.