Simbolet kombëtare, kostumet tradicionale të të gjitha trevave, valle e këngë të të gjitha krahinave, mbështjellë me aksesorët festivë. Kjo është pamja që është transmetuar këtë vit për Festat e Nëntorit nga pedagogia dhe Prof. asoc. Dr. Roberta Mone, së bashku me kursin e tretë, Koreografi, në Universitetin e Arteve.  

Në një prej qendrave tregtare më të frekuentuara në Tiranë, studentët kanë prezantuar para publikut larmi vallesh, koloritesh e ngjyrash tradicionale. Shqipëria e Mesme, me këngët dhe vallet e saj, por edhe trevat e veriut dhe të jugut, u bënë njësh para të gjithë të pranishmëve, të cilët nuk nguruan edhe të merrnin pjesë në Festën e Flamurit dhe të kërcenin së bashku me grupin e baletit. 

Edhe kostumet që mbanin veshur balerinët ishin kuruar me shumë detaje për të përfaqësuar çdo trevë e çdo krahinë. I gjithë repertori i valleve tradicionale ishte gërshetuar e harmonizuar me kostumet e trevave të Shqipërisë.

Në shumë prej këngëve e valleve që u përcollën për plot një orë, edhe publiku u bë njësh me atmosferën, madje nuk nguroi të kërcejë bashkë me grupin e baletit. Kush mund t’i rezistojë pogonishtes, valles së Kukësit apo asaj të Tropojës?

Çdo emocion të gjallë, pedagogia Roberta Mone e ndau me të gjithë të pranishmit dhe me kursin e saj të kërcimit, madje u dha mundësi të gjithëve që të bënin foto pas aktivitetit.

Kur larmia e ngjyrave, simbolet kombëtare dhe tradita trokasin pranë publikut, pranë të gjithëve, festat janë më të bukura. Sepse emocionet janë të gjalla… ndaj edhe zgjojnë gjithmonë krenarinë kombëtare.