Kur na ndajnë vetëm pak ditë nga nisja e edicionit të përvitshëm të festivalit të fundvitit në "RTSH", i cili cilësohet si një patentë e përsosur për të gjithë këngëtarët shqiptarë që duan të shkelin skenën e "Eurosong", ende pa nisur festivali, një surprizë e pakëndshme në fakt ka ndodhur.

Skenës së këtij kompeticioni muzikor, do t'i mungojë këtë vit emri i këngëtares së njohur Vikena Kamenica. "Natën e mirë", hiti me të cilin artistja do të ngjitej në skenën e festivalit, është tërhequr nga gara e konkurrimit. Njoftimin zyrtar e ka dhënë vetë festivali i RTSH, ndërsa zbulon edhe arsyen:

"Kënga “Natën e mirë”, e këngëtares Vikena Kamenica nuk do të jetë pjesë e konkurrimit në Festivalin e 57-të të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar. Artistja është tërhequr nga gara për shkak të disa impenjimeve të papritura profesionale, të cilat janë bërë pengesë për të respektuar vijueshmërinë dhe rregulloren e festivalit. Sipas rregullores së festivalit bazuar në vlerësimet e Komisionit Përzgjedhës, kënga që do të vijojë garën është “Dua ta besoj”, kënduar nga Artemisa Mithi & Febi Shkurt.”,shprehet festivali në faqen zyrtare në internet.