Nga opinioniste në “The Voice of Albania 6” në rolin e opinionistes në “V-Room Reporter” në edicionin e dytë të formatit për talentet e vegjël, Dojna Mema këtë vit vjen në rolin e prezantueses së “The Voice Kids”.  Në një intervistë për “The Voice Kids”, moderatorja ka rrëfyer se po e pret me padurim këtë rrugëtim të ri: “Nga eksperienca e edicionit të kaluar në “Voice Room”, kuptova se formatet me fëmijët në qendër janë ata që mbartin më shumë të papritura, emocion, punë dhe argëtim. Për mua është një sfidë, të cilën mezi pres ta përballoj dhe, mbi të gjitha, ta jetoj 360 gradë çdo fazë të “The Voice Kids 3”.

Ndërsa për natyrën që shfaq në ekran dhe origjinalitetin, Dojna tha nuk e di se çfarë mund të ndodhë, por nuk do të reshtë së shprehuri ndjenjat ashtu siç do t’i vijnë: “Në ka diçka për të cilën gjendem në vështirësi është të flas për veten, megjithatë ata që më njohin mirë thonë se jam shumëdimensionale. Nuk e di as unë se ç’do të ndodhë, sepse më karakterizon sportiviteti dhe natyrshmëria, ndaj nëse do të më vijë për të qarë do qaj, nëse dua të qesh, do ta bëj”, vijon ajo.

Por natyrshmëria e Dojnës, për mamin e saj duket si ajo e një goce lagjeje, madje këtë ia thotë gjithmonë, sidomos kur e shikon të bijën të qesheë në ekran sikur po pi kafe te lagjja: “Ime më, sa herë më sheh në ekran, thotë: “Po mirë, s’i sheh të gjitha koleget e tua sa të përmbajtura janë kur qeshin? S’u lëviz qerpiku! Ti qesh njëlloj sikur po pi një kafe në lagjje!” (qesh). Kjo, për të thënë se kamera nuk ka qenë dhe s’do të jetë kurrë pengesë për të qenë UNË, pa stisje, pa poza dhe pa menduar nëse buzëqeshja ime është “prej princeshe apo gocë lagjeje”. Për të qenë e sinqertë, preferoj këtë të dytën. Kështu që prisni të papriturën.”

Që kur kanë filluar provat, Dojna tregon se është shumë e lidhur me fëmijët, madje ka nisur edhe të mësojë shumë për botën e tyre të thjeshtë dhe aq të bukur: “Unë afeksionohem shpejt nëse pëlqej dikë, por në këtë rast nuk do të ndodhë sepse dua të shohin tek unë barazi, maturi dhe në të njëjtën kohë një shoqe. Flasim, më pyesin për gjëra që ne të rriturve as nuk na shkojnë ndërmend, aq sa ndonjëherë kërkoj ndihmë nga pjesa tjetër e stafit për të formuluar një përgjigjje të vetme. Kjo në fakt është një tjetër pjesë e bukur e të punuarit me fëmijët. Mësoj nga ata më shumë se ç’mësojnë ata nga unë.”