Mëngjesin e sotëm, është ndarja nga jeta gazetarja e njohur e kronikës së zezë, Sonila Mesareja. Siç bëjnë me dije kolegët dhe bashkëpunëtorët e shumtë ndër vite të gazetares së ndjerë, ajo vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë.

Sonila ka punuar në shumë redaksi të njohura të shtypit të shkruar në vend, ndërkohë që ka qenë një nga nismëtaret e krijimit të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë. Kanë qenë të shumta mesazhet e ngushëllimit sot, nga kolegët, miqtë, bashkëpunëtorët me të cilën ajo ka ndarë rrugëtimin profesional ndër vite.

Unioni i Gazetarëve shkruan: "Pas një sëmundjeje të rëndë, sot ndahet nga jeta gazetarja Sonila Mesareja. Kolegia Mesareja për vite punoi si reportere e kronikës në disa redaksi të shtypit të shkruar dhe në shumë projekte që synuan një gazetari cilësore.  Sonila ishte kolege e dashur, model i këmbëngulëses dhe një profesioniste që modestine e kishte virtyt, ndërsa kurajon dhe durimin i mbartte si vlera njerëzore që i shtonin besimin tek lexuesi dhe komuniteti i gazetarëve. Ajo shërbeu në redaksitë e shtypit të shkruar si profesioniste e heshtur dhe me kujdesin për të ruajtur vlerat dhe cilësitë e larta njerëzore, duke fituar respekt e miqësi të të gjithë stafeve e kolegëve me të cilët punoi.
Ndarja nga jeta e Sonilës le hapur dhimbjen e ikjes së parakohshme dhe kujtimin e vyer të një kolegeje që nuk do të harrohet kurrë. Sonila ishte ndër nismëtaret e organizimeve themeluese të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë dhe një kolege që nuk nguroi asnjëherë së qeni pjesë e nismave dhe reagimeve rregulluese në jetën tonë profesionale.


U prehsh në paqe kolegia jonë e dashur! E paharruar do të jesh për gjithë ne anëtarët e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë dhe komunitetin e gjerë të gazetarëve! Ngushëllime familjes"!