Nuk ka ndodhur asnjëherë në 20 vite Këngë Magjike që Arditi të kërkojë një këngëtar të konkurrojë në festivalin në të cilin ai është producent. Por këtë herë ishte ndryshe. Të dielën, një ditë pas finales, nërsa kishte të ftuar të gjithë finalistët tek “E diela shqiptare”, ai rrëfeu çdo histori që i kishte ndodhur me këngët konkurrente të këtij viti.

“Psikopatja jote”, një ndër këngët më të mira të këtij edicioni, që erdhi si një bashkëpunim i Fifit dhe Mc Kreshës, i ishte prezantuar Arditit nga Fifit qysh në qershor gjatë fazës së “Edhe unë këndoj” në “E diela shqiptare”. Fifi i kishte thënë Arditit se do të ishte pjesëmarrëse edhe këtë vit në Këngën Magjike me pjesën e dytë të “Zhurmë”.

Sapo e kishte dëgjuar këngën e saj të re, Arditi e kishte pëlqyer, por ‘problemi’ ishte te reperi. Kush do ta merrte përsipër atë rol në këngën e re? Pasi u menduan pak, të dy binin vetëm në një emër: ishte vetëm Kresha: “Zakonisht, unë nuk i bie telefonit për t’i ftuar këngëtarët në Këngën Magjike, ama në këtë rast e doja Mc Kreshën”, – tha Arditi me të qeshur në Post festival, në “E diela shqiptare”, dhe e la reperin ta vazhdonte më tutje historinë: “Sapo e pashë telefonin që shkruante Ardit Gjebrea, thashë: ‘Ah, ky po thërret, s’ka jo”, - tha Kresha. Dhe kështu u ngjiz kënga e Fifit dhe Mc Kreshës, e cila, sipas vlerësimit të Arditit, nuk është një ndër më të bukurat e këtij festivali, por është një ndër më të bukurat e të gjitha edicioneve të Këngës Magjike.

Por sapo Fifi dhe Kresha u bënë gati të dielën të këndonin këngën, nga regjia u vendos një version tjetër I “Psikopatja jote” që I bëri Fifin dhe Kreshën ta ndërprisnin këngën. E meqë Arditi ua propozoi ta këndonin ashtu, pa bazë muzikore, vetëm akustik, të dy këngëtarët u ulën në gjunjë e kënduan bashkë me Arditin duke I falur publikut emocione edhe më të gjalla.

Sot, Fifi ka postuar në llogarinë e saj në Instagram këtë moment, por duke guxuar t’I kërkojë Arditit publikisht një bashkëpunim. Me humor dhe si për t’ia kthyer “qokën”, Fifi e pyet Arditin nëse është nevoja që rolin e ‘mikut’ këtë herë ta marrë përsipër Kresha.

Nuk do jetë nevoja, me siguri, apo jo?