Sa herë e keni menduar që puna juaj do të ishte e përkryer nëse do të ishte e mundur të punonit nga shtëpia?

Në të vërtetë është diçka të cilën e mendojmë pak të gjithë, puna nga shtëpia është një ndër aktivitetet më të përhapura, mbi të gjitha tek ata që nuk e kanë të nevojshme të shkojnë në zyrë, por që nëpërmjet një kompjuteri apo telefoni, mund të komunikojnë me ekipin e tyre të punës dhe të përmbushin detyrat e ngarkuara dhe të dorëzojnë punën pasi e kanë përfunduar.

Ndonëse është zgjidhja më e mirë për profesionistët dhe shpesh për punëdhënësit, që mund të ulin në mënyrë drastike kostot e kërkuara për pagën e një punonjësi të zakonshëm, disa përfaqësues kompanish mendojnë që të punosh nga shtëpia është një zgjidhje me dizavantazhe të mëdha dhe mundësi të kufizuara për rritje profesionale.

1. Përjashtimi nga kultura e kompanisë

Arsyeja kryesore që frenon kompanitë të punësojnë një person që do të punojë në distancë është mospjesëmarrja në kulturën e kompanisë. Mjaft të sillni në mend Facebook apo Google, të cilat i kanë projektuar hapësirat e punës, duke vënë në dispozicion të punonjësve palestra, mjedise krijuese dhe restorante, të nevojshme për shtimin e momenteve të kohës së lirë, duke nxitur edhe lindjen e marrëdhënieve njerëzore mes kolegëve dhe drejtuesve të lartë.

Filozofia e kompanisë, në fakt, nuk qëndron vetëm në produktet apo shërbimet që u ofrohen punonjësve por edhe në proceset produktive të punonjësve – duke e kryer punën në distancë, kultura e kompanisë në mënyrë të pashmangshme synon të largohet nga punonjësi dhe pengon krijimin e një marrëdhënie që shkon përtej asaj profesionale.

2. Mundësi të pakta për t’u rritur profesionalisht

Për arsyet e përmendura më sipër, punëdhënësit dhe ekspertët e Burimeve Njerëzore mendojnë që një bashkëpunëtor që punon në distancë ka pak mundësi për të bërë karrierë brenda kompanisë. Në fakt, në pjesën më të madhe të rasteve, ata që punojnë nga shtëpia, do të kenë gjithnjë të njëjtin rol në kompani me pak mundësi – ose aspak – për t’u rritur profesionalisht. Nga ana tjetër, janë të shumta rastet kur bashkëpunëtorët e jashtëm janë të parët që pushohen nga puna në momentin kur kompania ka nevojë urgjente të reduktojë numrin e personelit dhe shpenzimeve.

3. Produktivitet i ulët

Sipas pjesës më të madhe të punëdhënësve, punonjësi që punon nga shtëpia i kushton pak vëmendje detyrave të ngarkuara. Për pasojë, produktiviteti i tij është më i ulët krahasuar me punonjësin tradicional i pranishëm çdo ditë në zyrë, i cili mund të monitorohet nga drejtuesit e tij.

Ky përfundim hidhet poshtë nga një studim i publikuar nga Harward Business Review, i cili vërteton të kundërtën: ambienti i pakëndshëm, zhurmat dhe ndonjëherë “shkatërrues” i zyrave ul në mënyrë drastike përqendrimin e punonjësve, të cilët ndërkohë që kryejnë punën e tyre, shpërqendrohen vazhdimisht nga kolegët e pranishëm në të njëjtën dhomë.

4. Komunikim i dobët

Sipas shumë ekspertëve, distanca është një pengesë e rëndësishme për të ruajtur komunikimin efikas mes punonjësit dhe pjesës tjetër të ekipit. Nëse një punëdhënës do ta refuzonte kërkesën tuaj për të punuar nga shtëpia, pasi mendon se kjo situatë do ta vështirësonte komunikimin me drejtuesit, keni shumë argumente për ta kundërshtuar zgjedhjen. Falë internetit dhe shërbimet e shumta, sot, komunikimi i kapërcen distancat.

Slack, Skype, Facetime dhe aplikacione të tjera ju lejojnë të kryeni telefonata dhe videothirrje në grup pa kosto dhe me cilësi të mirë, të merrni pjesë në mbledhje dhe konferenca me persona që ndodhen njëkohësisht në vende të ndryshme të botës. Efikasiteti dhe thjeshtësia e përdorimit të shërbimeve të ndryshme që kemi në dispozicion është një arsye e vlefshme për të kapërcyer këtë problem, që i shqetëson shpesh drejtuesit e kompanisë.

5. Disponueshmëria e vazhdueshme 24 orë gjatë gjithë javës

Dhe në fund, sipas disa punonjësve është i gabuar interpretimi i kryerjes së punës nga shtëpia në vazhdimësi. Nëse nga një anë, të punuarit nga shtëpia mund të jetë një lehtësi e madhe për t’i përfunduar punët në çdo moment të ditës, shpesh bashkëpunëtorët e jashtëm thonë se ata duhet të angazhohen në mënyrë të vazhdueshme për klientin e tyre, çdo ditë të javës në çdo orë të saj.

Nga ana tjetër, punëdhënësit përfitojnë nga gatishmëria e tepërt, propozojnë orare të papërballueshme dhe nuk paguajnë mjaftueshëm. Nëse keni në dorë një mundësi profesionale që mund t’ju japë mundësi ta kryeni punën tuaj nga shtëpia, analizojeni mirë zgjedhjen dhe përcaktoni me drejtuesin tuaj kohën kur jeni të disponueshëm dhe se si t’i menaxhoni disa situata emergjente.

Burimi: Business Insider (Monitor)