- Ç’thua mi? Kuzhinier?

- Po!

- Ah, çfarë fati, lum si ti!

- Për çfarë?

- Po që nuk prek gjë me dorë në kuzhinë, pra, nuk të duket fat?

- Jo edhe aq. Nuk është ashtu siç duket… Madje, nuk është fare siç duket.

Një dialog i trilluar, i vështirë për të qenë i vërtetë, një bisedë aq e zakonshme kur ndeshesh me një vajzë që ka ‘fatin e madh’ të ketë partner një kuzhinier dhe një situatë mëse e zakonshme për ata që janë partnerët, nga ana tjetër… Aq sa me fat mund ta konsiderosh çdo vajzë që ka në krah një profesionist në kuzhinë, aq ‘e lumtur’ ndihesh kur mëson se edhe asaj, ashtu si ty, i duhet të rrijë me orë të tëra në kuzhinë (ndoshta edhe më shumë), sepse kuzhinieri që ka në krah “nuk punon edhe në shtëpi.” Ose, edhe kur kjo ndodh, duhet një mjedis shumë profesional, duhen nja 15-20 tiganë dhe tenxhere, por po ashtu, duhet edhe një shoqëruese aty, që ta mbajë me muhabet e t’i pëshpëritë fjalë të ëmbla. Nëse të gjitha këto arrihen, që në të shumtën e rasteve është e vështirë, atëherë situata mund të ndryshojë. Në të kundërt, “amore, do porositim pica?”

E gjithë kjo skenë nuk është aspak e trilluar, madje nuk ka asnjë copëz hiperbole brenda saj. Është thjesht pothuaj e njëjta situatë që përsëritet në një çift, ku njëri partner është kuzhinier – si çifti më i ri dhe më trendy i showbiz-it shqiptar.

Fatma Methasani dhe Alfio Rrotani, prej pak muajsh kanë deklaruar se janë bashkë dhe një çift shumë i lumtur. Pavarësisht se kanë vetëm pak kohë që e kanë shprehur hapur dashurinë, kanë plot dy vjet që i fshihen rrjetit dhe showbiz-it, derisa u bindën se dashuria merr përmasa më të bukura kur ndahet me të gjithë, derisa kuptuan se ta tregosh hapur atë që ke në zemër nuk ka asgjë të keqe, përkundrazi. Sepse zemra bëhet më e kuqe kur rreh në një kraharor më të madh….

 

Alfio: Nuk e harroj dot ndjesinë që pata kur e pashë për herë të parë

Askush nuk kishte kuptuar asgjë deri në kohën kur ata të dy e zbuluan vetë. Dhe këtë e bënë pa një qëllim në vetvete, vetëm se deshën që për një kohë ta mbanin për vete ndjenjën e ëmbël që u kishte lindur për t’i lidhur gjithmonë bashkë. Ndërsa kujtojnë fillimet e tyre, qeshin me njëri-tjetrin dhe me mënyrën se si ai ‘po e gjuante’ asokohe, ndërsa Fatma as që e kishte mendjen fare tek ai djali që për një sezon kishte drejtuar një program gatimi nga Kalaja e Petrelës. Ajo, si pjesë e televizionit, edhe për shkak se kishte raporte shumë të mira me drejtuesit, kishte qenë e pranishme shpesh në studiot ku bëhej montazhi i programit të Alfios, por sigurisht që nuk i shkonte mendja se ai, një ditë...

Ishte koha kur, gjatë fazës së pushimeve, të gjithë moderatorët duhet të bënin një fushatë publicitare. Alfio, ndërkohë, kishte një vit që punonte në televizion me një projekt të jashtëm, InLife, xhirimet e të cilit bëheshin në një vilë nga Kalaja e Petrelës”, - tregon Fatma që duket se e kujton mjaft mirë zanafillën e historisë. Edhe pse të dy pjesë e të njëjtit televizion, nuk ishin takuar asnjëherë më parë: “Aty u takuam për herë të parë…” Sigurisht, ajo e njihte edhe nga Masterchef-i, por vazhdonte të mendonte se ishte nga ata çunat shumë të hallakatur. Në fakt, e kishte pasur gabim. Shumë!

“Me kaq mbaroi ajo ditë…” – ndërhyn Alfio shpejt e shpejt, por Fatma nuk e lë ta kalojë kaq lehtë atë kujtim që do të mbetet nga takimi i parë i një historie të ëmbël që në nisje. “Alfios unë i pëlqeva shumë atë ditë, tregoje mirë”, – thotë ajo duke parë nga ai dhe duke e kritikuar me sy pse nuk po e rrëfen siç duhet dhe ai bindet: “Kam parë ca detaje që më bënë përshtypje, atë fjongon kështu, ajo lulja në kokë… Nuk e harroj dot ndjesinë që pata kur e pashë për herë të parë”, – shton natyrshëm duke parë nga Fatma, e cila ndihet mirë tani që kupton se Alfio nuk e ka harruar imazhin e asaj dite që do të ndryshonte rrënjësisht jetën e shefit të kuzhinës dhe të moderators së njohur.

Kaq mjaftoi që pas këtij momenti të ndizej një dritë tjetër. Alfion e kontaktojnë drejtuesit e InTv, meqenëse programi i tij kishte gjeneruar të ardhura të mjaftueshme, por ai kërkoi të ishte pjesë e sezonit të ri në ekran bashkë me mikun e tij, Indritin: “Doja të bëja diçka ndryshe. Bëmë nja dy prova në një restorant që po hapnim në Bllok, se si mund të bëhej një emision me dy veta, dërguam nja dy receta dhe prisnim konfirmimim“, - tregon duke shtuar se shumë shpejt nisi edhe programi i ri në InTv: “Kur filluam studion dhe rregullonim gjërat, vinte Fatma të shikonte si po na shkonin punët…”, – kujton Alfio duke parë nga e dashura, e cila, asokohe ishte thjesht një kureshtare që donte të kuptonte nëse ata të dy ishin vërtet miq të mirë që donin të bënin një program apo po bënin shoë: “Unë shkoja të shikoja si është, si po bëhet ky programi, se këta ishin shumë shokë dhe ne na dukej e çuditshme të besonim se dy shokë donin të bënin një emision bashkë dhe të dukeshin kaq shumë edhe në sytë e publikut.”

Ndërsa Alfio, nga ana tjetër, kujton Fatmën dhe batutat e saj të para, kur vinte t’i vizitonte gjatë kohës që ata përgatiteshin për emisionin. Duke qenë në showbiz, një prej lajmeve më të shpeshta është edhe ai i ndërhyrjeve plastike: “Unë mendoj se Alfio e ka hundën shumë të bukur dhe këtë ia vura në dukje edhe atëherë. E pyesja “e ke bërë apo s’e ke bërë hundën?

Derisa erdhi koha e puntatës së parë:

Ishte puntata e parë, po shkonte shumë mirë, vetëm se, duke qenë se dy djemtë kanë jetuar në Itali, kishin probleme me të folurin shqip. Drejtoresha, asokohe, më propozoi që të isha unë e ftuara, sepse ‘vetëm ti mund t’i bësh të ndihen si në shtëpi, ta thyejnë akullin me të ftuarin dhe të kuptojnë se të kesh të ftuar është bukur. Dhe kështu ndodhi. Edhe Alfio që insistonte ‘Do vish e ftuar?’, ‘Do vish e ftuar?’

E di çfarë ndodhi? Në fakt, Fatma u largua jashtë shtetit për ditëlindje dhe ne do të na sillnin një të ftuar tjetër, por nuk pranuam. Vendosëm që ta presim”, – shton Alfio me krenarinë që ajo e pritur i doli për mirë. Vetëm se ai nuk e njihte fare Fatmën nga ekrani. Nuk e kishte parë asnjëherë programin e saj: “Madje as sot nuk e kam parë nga fillimi në fund emisionin e Fatmës” (pse janë gjithmonë kështu këta çunat?)

Në shtëpinë e Alfios dhe Fatmës…

Prej më shumë se një viti jetojnë në të njëjtën shtëpi, por e merrni me mend? Kanë një marrëdhënie si macja me miun. Sepse në fillim Alfio ishte më tolerant… Kohën kur Alfio e ftoi të jetonin bashkë, Fatma e tregon me shumë humor: “Më kishte bërë një album fotografik dhe unë që prisja të më thoshte “Do jetojmë bashkë…” Ftesa po vononte derisa çifti u largua me pushime dhe Alfio nuk priti më gjatë për t’i bërë ftesën e mezipritur. Nuk zgjati shumë kohë dhe Fatma u transferua. Për Alfion, jetesa në të njëjtën shtëpi me Fatmën ishte një surprizë tjetër: “Nëse ti mendon se, po të lidhesh me një vajzë nga showbiz-i, ca gjëra janë kështu, mund të të dalë e kundërta. Sepse Fatma gatuan shumë mirë, e ka shumë merak pastërtinë e shtëpisë, është maniake mund të them. Fatma është shumë e prirur për familjen dhe jam shumë i lumtur për këtë pjesë.”

Po Fatma? Ajo kishte menduar se nuk do ta shihte më kuzhinën me sy, por Alfio nuk është fare çun për shtëpi…. “Fakti që jam kuzhinier, nuk do të thotë që do gatuaj gjithmonë. Ca herë kam gatuar, por shumicën e radhëve jo. Unë e kam shumë bezdi të gatuaj në shtëpi, sepse kam nevojë për ambientin tim profesional”, - thotë ai i bindur që ka të drejtë.

Unë nuk i kam pasur qejf asnjëherë fast food-et. i kam pasur bezdi ushqimet e shpejta, por që kur kam njohur Alfion, kam filluar të ha lloj-lloj ushqimesh të tilla. Nisim të gatuajmë ndonjë gjë, unë bëj me dhjetëra pyetje parapërgatitore ‘po sikur të gatuajmë këtë, atë, po sikur të përgatitim…. Dhe pastaj përfundojmë në “amore, pica?

Ndërsa kur gatuan Fatma, Alfio ndërhyn (ndërhynte në fillim) duke dhënë sugjerime “Bëje kështu, hidhi këtë, hidhi atë…”, por është bezdi, ju e dini. Ndaj hoqi dorë: “Jam tërhequr. Sa herë ndërhyj dhe i them mos e bëj kështu, bëje kështu, mos i hidh këtë, hidhi këtë, që të mos lodhet kot, më hedh një nga ato shikimet që…. Dhe pastaj unë bëj punët e mia, merrem me punët e mia.”

Por nuk e harron kurrë supën më të thjeshtë dhe më të mirën që ka ngrënë në jetë nga Fatma: “Në fakt, herën e parë që më ka gatuar, më ka bërë një supë, më e mira që kam ngrënë në jetën time, të betohem. Për ta parë, nuk ishte kush e di se çfarë, por shija ishte fantastike, më iku truri. Fatma kujtonte se unë po tallesha kur po i thosha se është shumë e mirë. Nuk më besonte, mendonte se po tallesha me të dhe më thoshte ‘nuk është e vërtetë, nuk është e vërtetë’. Akoma edhe sot nuk e beson.” Ndërsa ajo donte që ta hidhte atë natë supën dhe të gatuante diçka tjetër, por meqenëse Alfio erdhi shpejt, tha ‘ok, le ta hajë.’

Duket se që nga supa nisi magjia që pastaj do ta përkufizonte Fatmën si ingrendientin sekret të recetës së lumturisë. Edhe këto emërtime që ata i vunë njëri-tjetrit erdhën fare natyrshëm, pa më të voglën nxitje nga askush:

Kur kishte Alfio ditëlindjen këtë vit, ishte shumë i zënë me “Bukë e kripë e zemër”. I binte që vetëm një natë mund të ishte në Tiranë, gjithmonë në lëvizje, sa andej-këtej. Ishte periudha që vetëm për ditëlindje mund të kthehej dhe të ikte prapë të nesërmen. Mua, para shumë kohësh më kishte thënë ‘nuk e di pse kam filluar t’i kem qejf këto festat me njerëzit’ dhe unë po i organizoja një festë surprizë. Kisha marrë të gjithë miqtë e afërt dhe të zemrës dhe po bëja festën. Unë jam tip që as familjen, asgjë private nuk i nxjerr në rrjetet sociale. Jam tip surprizash, më pëlqen t’u bëj surpriza njerëzve, por kaq. Alfio e dinte shumë mirë këtë pjesë që unë nuk postoj në rrjetet sociale. Të nesërmen, unë isha në zyrë dhe po shihja fotot e ditëlindjes së Alfios. Pashë atë foton, më pëlqeu dhe më erdhi natyrshëm. Alfio ishte në shtëpi, unë në zyrë. Dhe pasi e postova foton, më tha “Ku e gjete atë tekstin?” Si të erdhi vetë? “Po, më erdhi vetë…

Ishte gjëja më e bukur që më kanë thënë ndonjëherë…”, - shton Alfio pa dashur t’i kalojë ky moment, sepse edhe ai ia gjeti së dashurës shumë shpejt dedikimin – ingredienti sekret: “Nuk ishte aq e bukur sa ajo e Fatmës, por që lidhet shumë mirë, sepse është meritë e Fatmës për çdo gjë të bukur që më ka ndodhur. Nëse jeta ime më parë ishte shumë e ngarkuar, aq sa e ndieja veten të lodhur, ndryshoi komplet. Ngrihesha nga gjumi i lumtur dhe bija për të fjetur, i lumtur.”

Megjithatë, bashkëjetesa nxjerr edhe pikët e dobëta të secilit. Duket se, në këtë pikë, Fatma është ajo që bën ligjin në shtëpi, madje të shkruar të zezë mbi të bardhë. Sa mirë kur del dikush në jetë, që as nuk ta kishte marrë mendja kurrë, që të bën të heqësh dorë edhe nga ato që kurrë nuk e kishe menduar. Alfios, kështu i ndodhi. Te koka e krevatit, Fatma i ka ngjitur një listë me 10 rregulla që ai duhet t’i zbatojë. Njëkohësisht! Ndër to, edhe edhe “mos shaj në makinë”; “mos pi cigare”, por edhe “mos e lër furçën pa kapak në tualet”. Sa herë që kjo e fundit ndodh, Fatma e hedh në kosh dhe Alfios i duhet të blejë një tjetër, kështu që ka filluar të jetë shumë i vëmendshëm: “Në fakt, të gjitha këto janë për të mirën time, nuk i quaj si bezdi, sepse nëse nuk pi cigare, më bën mua mirë. Kështu që këto më ndihmojnë të bëhem njeri më i mirë.”

 

Ah, harruam tatuazhet

Meqenëse ka aq shumë tatuazhe në trup, pyetja më e natyrshme që mund të të vinte për Alfion ishte ajo për tatuazhet: ka bërë apo do bëjë një tatuazh për Fatmën? Nuk foli për një çast, heshti, pastaj u kujtua që për këtë nuk mund të thoshte dot asgjë, ndaj tha “jo, nuk jam gati për një tatuazh të ri”, por e vërteta ishte ndryshe. Ai e kishte bërë tatuazh zemrën e vogël të kuqe, që identifikon Fatmën, por vetëm një ditë më pas, ata kishin një datë shumë të rëndësishme të lidhjes së tyre, ndaj ai nuk zbuloi asgjë.

Në fakt, Alfio ka shumë tatuazhe dhe ju të gjithë, pa dyshim, ia keni vënë re. Meraku i tyre, në fakt, zuri në fillim edhe mamin e Fatmës. Të dyja familjet e çiftit, pasi mësuan që Alfio dhe Fatma janë bashkë, nuk patën asnjë kundërshtim, por mami i Fatmës, si mama vajzash, kishte merakun e atyre tatuazheve, i kishte bezdi: “E ka pyetur një herë Fatmën… A hiqen ato tatuazhet?"

Kur bëmë një vit, bëmë një pikë të dy në gisht, por na është fshirë të dyve, ndërkohë, kur ishin në Tajlandë, si vendi i tatauzheve, Alfio donte që të bënte një tatuazh, por ishin shumë vende jo të pastra për tatuazhe, ishte shumë e habitshme dhe e kemi viziatuar pothuaj çdo qendër, por nuk u bindëm dhe nuk e bëmë. Ndonjëherë ia bëj unë me stilolaps një zemër të kuqe, sa herë jam duke punuar. I bëj një zemër të kuqe për t’i treguar shenjën çfarë tatuazhi duhet të bëjë”, – tregon Fatma, por as ajo nuk e dinte se ai e kishte bërë tashmë zemrën e vogël të kuqe tatuazh. Por po priste vetëm pak orë për t’ia treguar.

Prej disa muajsh, Fatma dhe Alfio punojnë në ekrane të ndryshme dhe kalojnë më pak kohë bashkë. Alfion e mundon pak kjo gjë, sepse ua ndien mungesën orëve të gjata në punë dhe pa Fatmën aty nëpër korridore: “Mua më mungon shumë tani, sepse kur shkoja te vendi i punës e gjeja aty. Kjo nuk ndodh më tani. Fakti që nuk jemi më një një televizion ka më shumë anë negative sesa pozitive, sepse jemi larg njëri-tjerit. Ishte më mirë kur rrija më shumë kohë me të, e kalonim kohën bashkë më shumë. Unë i them gjithë ditën ‘më mungon, më mungon’. Më mjafton ta kem afër, edhe pse flas gjithë kohën në telefon, dua ta kem afër. Dua ta kem gjithmonë afër... “

Sapo përshëndetesh me çiftin, merr me vete shijen e një recete të re, përbërësit e së cilës nuk mundesh t’i dallosh, kuptosh jo e jo. Vetëm se, pas këtyre dritave të festave, ka kaq shumë dashuri që ndihet në ajër, sa çdo aksesor që përpiqet me të gjitha forcat ta bëjë kryeqytetin më të bukur, zbehet para buzëqeshjes së ëmbël të Fatmës dhe shikimit ledhatues që i drejton asaj Alfio herë pas here. Nuk është as nga ato historitë e përrallave, as nga ato dashuritë platonike që janë gjithmonë të bukura, por fare larg realitetit. Është një histori e bukur, pa recetë, nëse po kërkoni ta dini.

Sepse dashuria, shpeshherë nuk ka nevojë për receta lumturie, por ajo që Alfio dhe Fatma kanë gatuar për njëri-tjetrin ka një shije unike që vetëm ata e ndiejnë. Pak pikante, pak e athët, pak e egër, por shumë e ëmbël. Mjaltë…

 

Fotografia: Orsola Mema, Class Photography

Veshjet: Class Atelie, Boutique Anis

Design: Xhesika Berisha

Make Up: Class Hair & Make Up