Në intervistën e parë të saj dhe ekskluzive për një media shqiptare, këngëtarja e dashur për publikun Xhensila Myrtezaj vjen në një rrëfim pa doreza. Me statusin e ri të nënës, raportin me bashkëshortin Besin, jeta e saj e re, vigjilja e festave të fundvitit që ka trokitur në shtëpinë e tyre që tashmë vjen aromë "Ajkë", muzika, dueti i parë dhe një baladë me Pirro Çakon e ëndërruar herët qysh në fëmijëri...Xhensila hap zemrën në këto ditë festash bashkë me një urim të sinqertë për ju dhe gjithë Shqiptarët!

Seç ka një ndjesi të bukur muaji i fundit i vitit...Dhjetori i magjishëm, i ngjyrave, i festave, i dritave, i urimeve, i gëzimeve, i të gjitha përjetimeve speciale të bëra bashkë. Jo  vetëm, për faktin se një tjetër vit është gati të trokasë, por përpara se të gjithë bashkarisht të kthejmë faqen e fundit të kalendarit për 2018-ën, le ta pranojmë që ndjesia që na mbështjell i ngjan një aureole magjie që të mbush zemrën dhe shpirtin plot.

Bashkë me padurimin për të hedhur hapat drejt 365 ditëve të tjera të vitit pasardhës, ndalojmë një moment dhe marrim frymë thellë...Dëshira për të bërë katarsis, për të shenjuar gjithçka shkoi mirë dhe gjithçka shkoi keq në vitin që po lëmë pas, me pak fjalë një bilanc i shkurtër i jetës në vitin që po mbyllet na kaplon të gjithëve, edhe pse duket si një vit i jetuar shpejt, por me gjurmë të pashlyeshme në qenien dhe kujtesën tonë.

Nëse ka një personazh publik shqiptar që i "mëshon" pa kushte pikërisht kësaj atmosfere, ajo është Xhensila Myrtezaj! Artistja e njohur dhe këngëtarja aq shumë e dashur për publikun! Të gjithë e duan Xhensilën, dhe sapo përmendet emri i saj, median nuk rreshtin së shkruari artikuj për të, fansat e ndjekin plot fanatizëm, kolegët e mbështesin, miqtë gjithashtu, e familja pa diskutim! Kjo e fundit është baza! Gjeneza ku ajo ka hedhur rrënjët, e ku sot familja për të nuk është thjesht e vetëm nocion, apo përcaktim i rastit: është gjithçka! Familja dhe shtëpia për të prej pesë muajsh vjen aromë "Ajkë"! Është bija e saj dhe e Besit, ajo që u dha statusin e prindërve për herë të parë, dhe është pikërisht ajo motivi i njohjes së një dimensioni të ri dashurie dhe dhembshurie siç thotë vetë mami Xhensila.

Por, ka diçka që ne të Class e respektuam që në krye të herës! Në fakt nukse doli jashtë parashikimit tonë, edhe pse e dinim që kur bëhet fjalë për Ajkën, ndjenja e mbrojtjes ndaj më të voglës së familjes vjen menjëherë dhe pa kushte! Xhensila zgjedh të mos flasë gjatë për bijën e saj, por të ndajë me lexuesit dhe miliona fansat e saj komplet "tharmin" e këtij përjetimi magjik. Në vetëm një përgjigje, por aty i ka thënë të gjitha! Sepse vajza e saj dhe e Besit është gjithçka ka ëndërruar, dëshiruar, dhe po e jeton në çdo skaj statusin e ri të mëmësisë, bashkë me ndjenjën e pashmangshme të protektivitetit. Ku i dihet, në të ardhmen kjo situatë edhe mund të ndryshojë...Kështu pohon edhe vetë këngëtarja, por deri sa kjo të ndodhë le të marrim pak nga magjia e këtij rrëfimi!

Për herë të parë dhe ekskluzivisht për Class, Xhensila Myrtezaj flet nga pozitat e reja si nënë për herë të parë, për marrëdhënien me Besin, njeriun e saj të zemrës dhe jetës, për gjithë atmosferën fantastike që kanë sjellë këto festa këtë fundviti në shtëpinë e tyre. Sepse më shumë se kurrë, ata ndihen të plotësuar këtë vit, ndaj mezi presin që dashurinë dhe urimet t'i ndajnë me të gjithë ju! Jeni gati?

Xhensila, kjo është intervista jote e parë dhe ekskluzive për një media shqiptare pas lindjes së vajzës dhe me statusin e ri si nënë. Cila është ndjesia jote në këto momente?

Ështe magjike! Kurrë më parë në jetë nuk jam ndjerë më e plotësuar, edhe sa rëndësi i kam kushtuar panevojshmërisë në sa e sa raste. E gjithë shtëpia vjen aromë “Ajke”. Dhe në të vërtetë nuk ja di aspak ndjesinë nëse nuk e provon. Vajza është suksesi im më i madh. Ështe dueti ynë më i bukur. Kjo është nga të vetmet intervista ku unë flas për vajzën, pasi ajo është e shenjtë për mua, në boten dhe ditët e errëta ku jetojmë që njerëzit janë të etur për ca like apo material për të ushqyer veten dhe të mbushin me të pavërteta. Aq më tepër për shumë të tjerë që fshihen pas një tableti apo celulari, dhe janë vetëm dashakeqë, të gatshëm për të komentuar negativisht edhe për të mirën më të madhe. Kjo është një nga arsyet përse nuk dua të flas për të, pasi është e kulluara dhe e pastra në sytë e mi. Nuk do të mjaftonte jo vetëm kjo intervistë, por krejt jeta ime për të folur për atë çka unë kam ndjerë në këto pesë muaj. Mendoj se çdo nënë ma kupton ndjesinë protektive që unë kam! Në të ardhmen edhe mund të zbutet, por tani jam “kujdes kafshon” kur bëhet fjalë për bijën time.

Dilni më shpesh me Besin për darka si çift, pasi jeni bërë prindër?

Në fakt dalim më rrallë. Asgjë nuk shijojmë dot më pa të voglën. Edhe oraret edhe daljet janë të reduktuara.

Besi këtë vit ka qenë shumë aktiv dhe B.E Coffee ka qenë vërtet një sukses për të. Ti nga ana tjetër i je rikthyer sërish muzikës. A është e vështirë të gjeni kohë për njëri-tjetrin, duke qenë se jeni të zënë në karrierat respektive?

Angazhimet tona në punë, nuk kanë qenë kurrë pengesë për marrëdhënien tonë personale. Madje përpiqemi të jemi shumë pranë njëri-tjetrit për të kaluar kohë cilesore. Unë dhe Besi kemi shpeshherë dhe mbrëmje koncertore bashkë, kështu që le të themi se dhe ajo është një kohë që e kalojmë së bashku. Por, edhe gjatë kohës kur kemi punë në karrierat respektive, rroftë telefoni që na sjellë më afër (qesh).

Çfarë të pëlqen më shumë te Besi që nuk do të doje ta ndryshonte kurrë?

Besi është gjysma ime më e mirë. Unë e kam thënë gjithnjë (madje dhe në vargjet e “Çelësit të zemrës”) që do më mungonte edhe nëse nuk do ta takoja kurrë, por ajo që vërtet adhuroj tek ai njeri është dashuria dhe zemërgjerësia që ka për njerëzit. Sikur të isha 1/2 e tij mendoj që do të kisha qenë njeri shumë i mirë (qesh)

Xhensila, jemi zyrtarisht në ditë festash. Ju festoni "Krishtlindjet" apo "Vitin e Ri" më shumë?

Mezi i pres festat e fundvitit, atmosferën, dritat, zbukurimet, këngët festive, darkat e ngrohta me familjarët, madje këto ditë po dëgjoj “Andrea Bocelli-What child is this” dhe më është bërë si refren i këtyre festave. Jam më e plotësuar në këtë fundvit. Me zemrën plot. Krishtlindjet i festoj edhe prej besimit që kam. Lutemi, shkojmë në vende peligrinazhi pasi mbi gjithçka besimi është gjëja më e mirë, nëse beson dhe njeh Zotin nuk mund të bësh dot keq e as të lëndosh kënd. Unë jam e bindur se jam këtu ku jam sot për shkak të besimit dhe adhurimit të Zotit. Vetëm kjo është paqja dhe lumturia e vërtetë kur njeriu kënaqet me atë që ka dhe nuk mbytet nga egoizmi apo sipërfaqësorja. Fatkeqësisht jetojmë në ditë që njerëzit besimin e kanë fasadë. Në një botë ku qajnë e servirin që janë të lumtur, ku shprehin dashurinë për botën dhe brenda ndihen bosh. Sot, jetojmë në ditën kur komunikimi virtual na ka afruar aq shumë sa nuk e kuptojmë se në të vërtetë jemi shumë larg njëri-tjetrit.

Bën shpesh dhurata apo duhet patjetër të jenë ditë të shënuara si ditëlindje apo festa që t'i të dhurosh diçka?

Unë kam një rreth shumë të ngushtë në jetën time, gjithmonë kam ndarë ç'kam pasur me ta. Por, për dashamirës që më rrethojnë këto festa të bekuara të kujtojnë më tepër. Dhuratat nuk kanë vlerë monetare më tepër se sa shpirtërore. Ndonjëherë, një kukull e bërë dhe e qëndisur me dorën tënde vlen më shumë se sa një e blerë shtrenjtë.

Duket se po rikthehesh fuqishëm, me një këngë të re, me koncerte në Shqipëri dhe Evropë. Të kishte munguar kjo pjesë?

Qëllimi im i parë është që unë e dua këtë gjë, dhe do tregohesha hipokrite nëse nuk do e pranoja, ashtu siç e do çdo artist. Qëllimi i dytë është që tani që jam bërë nënë, mendoj ndryshe, mendoj të ardhmen e vajzës time. Është kënaqësi fakti kur ndihem e shpërblyer fort dhe e pavarur për të dhënë edhe unë kontributin tim. Është fat kur shpërblehesh mirë nga pasioni yt i madh, ose kur puna jote është njëkohësisht edhe pasioni yt.

Si ishte ndjesia e rikthimit pranë publikut me koncerte?

Çdo artisti i mungon skena! Është në ADN-në time dhe shpirtin tim.

Po bashkëpunimi me Darko Dimitrov dhe Pirro Çakon, kënga e re mbi të cilën jeni duke punuar. Pse e keni ëndërruar që në vogëli një këngë me Pirron?

Pirro është kantautori klasik dhe ikonë i baladave. Ështe penë e artë e këngëve që mbesin dhe ngelen në historikun e muzikës. Për mua është nder që një artist si ai pranoi dhe bashkëpunoi me mua. Ashtu sikurse me moshën, njeriu piqet dhe evoluon. Çdo hap i karrierës sime ka ardhur i sigurt dhe i natyrshëm njësoj si ky bashkëpunim.

Thatë se ju ka rrëmbyer zemrën kjo baladë. Çfarë ka ndryshe nga baladat e tjera dhe pse mendoni se do të pëlqehet?

Është dueti im i parë në një baladë. Me modesti e them se çdo baladë që kam kënduar është përqafuar aq sa më kanë thënë të rri në këtë terren. Unë shprehem mirë si në ndjenjë, si në vokal me baladat. Prandaj në këtë duet doja të zgjidhja Pirron si një projekt të ëndërruar me kohë, për të sjellë ëndrrën në nota.

Shkëputja më e gjatë në muzikë cila ka qenë?

Nuk kam ndjerë dhe nuk jam ndjerë e shkëputur. Pavarësisht daljeve të mia apo jo, zëri është një instrument që ti e ke në çdo kohë e moment tëndin. Ndër gjërat që Zotin e falënderoj është talenti me të cilin më ka bekuar. Talent që pavarësisht çdo lloje zbrazëtie që kam pasur në jetë ma ka mbushur shpirtin. Edhe arsyeja pse shpesh herë më merr malli për skenën edhe për publikun është fakti që talenti ka nevojë për ushqimin e tij, energjinë dhe duartrokitjet.

Cila është ambicia jote më e madhe për sa i përket karrierës?

Lexuesit do mendojnë se janë çmimet apo fitoret e spektakleve apo karrierës ndërkombëtare. Për mua ambicja ime më e madhe është që muzika dhe këngët e mia të kalojnë breza.

Çfarë ke ti ndryshe nga artistët e tjerë?

Çdo artist ka të ndryshmen e tij, edhe gjithsecili pëlqehet për të ndryshmen që ka. Nuk duhet të kërkosh kopjen e askujt, por të jesh ti, vetja jote. Mendoj se ata që e duan vërtetë muzikën dhe kanë talentin në ADN shpërblehen me dashurinë e publikut.

Cilin nga kolegët/koleget e tu këngëtar/e vlerëson më shumë?

Unë kam një marrëdhënie shumë të mirë me kolegët dhe koleget e mia. I dua dhe e vlerësoj shumë punën e tyre. Ma besoni nuk është aspak e lehtë të jesh këngëtar në Shqipëri, të bësh muzikë të mirë, (sidomos kur ke shumë vite karrierë) dhe të godasësh gjithnjë në shenjë me çdo material muzikor. Në showbiz ka frymë të mirë mendoj, le ta mbajmë këtë dhe të jemi mbështetës të njëri-tjetrit.

Nëse do të bëje një këngë për jetën tënde, cili do të ishte titulli i saj? Po fabula?

Fabula do të ishte historia e një vajze të vogël që vizatonte nota në rërën e lagur ku dallgët ja morën dhe i bënë këngë për të. Titullin nuk mund ta gjej sepse më duhen ende vite për t'a gjetur. Uroj për veten që gjithcka kam ta kem krahë timin në rrugëtimin e përkohshëm.

Kujt i je mirënjohëse për njeriun që je sot?

Familjes time, bashkëshortit, vajzës sime që zgjoi tek unë një dimension tjetër, dashurie e dhembshurie. Zotit mbi të gjitha i jam mirënjohëse që më dha gjithçka për të cilen përmenda më lart.

Çfarë të frymëzon më shumë në jetë?

Gjithcka pozitive. Një mirëmëngjes, një mesazh që mund të më vijë në inbox-in tim nga ata/ato që pëlqejnë muzikën time, një këngë e bukur e një kolegeje. Gjithçka e mirë është frymëzuese për mua.

Ke diçka që të ka mbetur peng në lidhje me jetën tënde personale apo profesionale?

Deri tani gjithçka ka shkuar ashtu siç e kam ëndërruar, nuk do të ndryshoja asgjë nga të dyja sferat e jetës. Vetëm se mund të them me bindje një gjë: vajza është padiskutim prioriteti i jetës sime...

Si e mendon veten pas 10 vitesh?

Me një familje edhe më të madhe...Me njerëzit që dua afër vetes. Ndoshta me një biznes personal dhe padiskutim me këngë të bukura në repertorin tim.

Sa rëndësi kanë paratë në jetën tënde?

Të ndihmojnë të jetosh mirë, por nuk kanë aspak vlerë për të blerë dashurinë, respektin apo shëndetin. Është një komoditet, por jo esenca e jetës. Dashuria e pastër është vlera më e madhe, thjeshtësia të tregon se sa i vlefshëm je. Askush nuk është aq i pasur sa për të blerë të kaluarën e tij, ndaj unë jam e lumtur që e kaluara ime ka qenë pa të mira materiale, por me dinjitetin maksimal.

E konsideron veten të pasur?

Pasuria është relative. Tani jam më e pasur se kurrë, kam në krahe krejt pasurinë time.

Cili është vendi më i bukur në botë për të jetuar?

Gjithkund nëse rreth teje ke ata që do, ata që të duan dhe tokën që u rrëzove për herë të parë, pasi u ngrite nga këmbadorazi, dhe token ku do kthehesh sërish në pluhur.

A mendon ndonjëherë Xhensila për ta lënë Shqipërinë dhe muzikën?

Momentalisht jo. Shqipëria është një vend i bekuar dhe mua më ka dhënë shumë, (shpresoj t’i kem dhënë dhe unë sadopak me artin tim). Kështu që do shijojmë së bashku çdo moment të bukur që na ka rezervuar jeta.

Nëse nuk do të ishe bërë këngëtare, cili mendon se do te ishte profesioni yt?

Unë kam studiuar për marrëdhënie me publikun dhe shkenca komunikimi. Ndoshta do të isha një Pr, ose do të merresha me marketing. Ky është profesioni i momentit.

Tre gratë model në jetën tënde?

Gruaja që më lindi, gruaja që lindi, dhe ajo që më bëri nënë.

Çfarë pret Xhensila nga viti 2019-të?

Për mua 2018-ta ishte një vit fantastik. Kam bërë muzikën që kam dashur, kam patur afër njerëz që e kanë kërcyer dhe duartrokitur, (xhensilatorët e mi të shtrenjtë) dhe mbi të gjitha u bëra nënë. Sikur 2019-ta të ishte kaq i mirë ( po dhe pak fare më i mirë) do isha shumë e lumtur.

Urimi yt për të gjithë shqiptarët në këtë prag ndërrim vitesh, cili do të ishte?

Ta duam njëri-tjetrin. Jemi kaq pak dhe ndonjëherë mendoj që ka kaq shumë urrejtje mes nesh. Dashuria qoftë përherë kryefjalë e familjes së çdo shqiptari. Këtë e uroj me shpirt!

Credits:

Veshjet: Class Dress

Stiliste: Livia Myftari

Fotografi: Eugenio Qose

Hair& Make Up: Studio Sellma

Design: Xhesika Berisha

Karroca: https://www.instagram.com/homerelax_babyhome/?hl=en