Nëse gjyshet tona do ta dinin sa pjata janë thyer në atë kuzhinë “të mallkuar”, që edhe emrin e ka “Kuzhina e Djallit”, me siguri do ta mallkonin atë që i hedh poshtë pa mëshirë ato pjatat luksoze e për çfarë? Sepse në rizoto mungonte karota… Një fije e hollë karote, më saktë. Le pastaj sikur ta dinin sa shumë shpenzime kanë ato pjata që hidhen në kosh sepse mungon piperi, nuk janë bukur sa duhet apo nuk kanë masën e saktë të kripës. Të gjorat gjyshe, prisnin e përcillnin nga shtatë palë miq me 4-5 produkte që ndodheshin në kuzhinë dhe me kursime të mëdha, e shtronin tryezën plot. Sepse para të gjitha ushqimeve, vinin në tryezë zemrën…

Sa keq që kohët kanë ndryshuar. Por edhe sa mirë që kanë ndryshuar. Sepse një shef kuzhine si Renato Mekolli, kujtimet e pjatave të para i ka pikërisht tek pjatat e gjysheve, madje edhe shijet e ushqimeve në to nuk i harron kollaj, edhe pse vetë sot mund të gatuajë me qindra receta moderne, me qindra produkte e përzierje të gjithëfarëllojshme me shije unike. Por e di që pilafi me pulë nuk ngjan asnjëherë me shijen e atij që i gatuante gjyshja kur ishte ende fëmijë.

Ky fundvit, ndryshe nga shumë të tjerë, për Renaton është edhe një tjetër sukses. Siç kishte projektuar, synuar e planifikuar në fillim të tij, ekrani e risolli në qendër të vëmendjes me një program që në publik pritshmëritë i pati shumë të larta, madje edhe më të larta nga sa vetë autorët dhe produksioni kishin menduar. Renato e dinte se “Hell’s Kitchen”, si në të gjitha vendet ku është transmetuar, do të shkaktonte debat, sepse kështu është natyra e këtij formati, por dinte gjithashtu se në ekran do të kthehej vetëm me të dhe me asnjë program tjetër. Quajeni egoizëm, protagonizën apo çfarë të doni atë që shefi është mësuar të bëjë në këtë kuzhinë, në fund ai vetë sheh të ardhurat – të cilat, për hir të së vërtetës, gjithashtu i kanë kaluar pritshmëritë. Madje, veç kësaj, pikërisht nga kjo kuzhinë “e mallkuar” u prodhua edhe një tjetër në spektaklin e humorit “Portokalli”, “Kuzhina e hallit”, e cila është ndër më të ndjekurat e publikut…

Fundi i 2018-ës e gjen Renaton edhe me një libër tjetër recetash, “50 shijet e pastave”, të cilin ai ua dedikoi të gjithë të apasionuarëve të pastave dhe të gjithë të rinjve që janë të prirur ndaj gatimeve të shpejta e të shijshme. Nga panairi, atje ku e prezantoi librin e ri, Renato mori edhe shumë ide për projektet e radhës, një libër për fëmijë dhe, pa diskutim, një libër me ëmbëlsira.

Në shtëpinë e tij, në Umami, vendi në të cilin e gjen shefin 24 orë të ditënatës, ndihet që në ajër atmosfera e festave. Jo vetëm nga dritat dhe pema që të përshëndetin që në hyrje, por sidomos nga aroma që vjen andej nga kuzhina. Diku e ëmbël, diku e athët, diku dehëse. Është Vit i Ri dhe shefat janë duke u përgatitur për darkën, sqaron Renato, ndërsa hedh (kontrollon) një shikim nga këndi tjetër i gatimit. Këtu nuk duket si “Hell’s Kitchen”, por se ç’ka diçka të ngjashme me kuzhinën e gjysheve; në aromë, në ngrohtësi, në dashurinë për çdo produkt të natyrës dhe, natyrisht, në ftesën me zemër që u bëhet gjithmonë miqve.

Në këtë intervistë ekskluzive për revistën Class, Renato vjen me disa të vërteta të tjera, veç atyre që keni mësuar gjatë vitit nga ai. Këtu, në shtëpinë e tij, i rehatuar si për festë, ai zbulon (ndonjëherë edhe pa dashje) të gjitha të pathënat që nuk ka mundur t’i thotë më parë në publik. Tani është i dorëzuar nga presioni mediatik, madje nuk është marrë kurrë me “kritikët” e pazotë që t’u dalë kundër e të prodhojë debate të kota, nuk i merr fare në konsideratë replikat në lidhje me punën e tij kur e di që gjithçka shkon në rregull. Herë-herë, mund të të duket egoist i tmerrshëm kur është fjala për gjërat e tij më të shtrenjta, i do dhe i mbron me të gjithë fuqinë e shpirtit, por e bën sepse do që t’i mbajë gjatë gjithë jetës të tilla. Nëse ia prek, ia ngacmon (këtu e sheh Renaton të përlotur, nëse keni menduar se është pa pikë gjaku në trup), e humbet ekuilibrin e jetës, nuk i kontrollon dot më veprimet e tij dhe nuk është më në gjendje të jetë objektiv… Sepse gjithçka e ka të xhanit, e ka të shtrenjtë. Edhe përtej derës së shtëpisë… (ndonëse brenda kësaj të fundit, diçka kemi vjedhur)

Takohemi në fundvit, veç shumë risive, edhe me një libër më shumë “50 shijet e pastave”. Pati të njëjtin ndikim si “Sekretet e shijes”, si u prit?

Më mirë nuk mund të shkonte. Muajin e kaluar, siç e dini, nxora në treg librin “50 shijet e pastave”, shitja e të cilit shkoi shumë mirë. Ishim libri më i shitur, por ajo që më bëri përshtypje ishte fakti që vazhdonte të shitej edhe “Sekretet e shijes”. Me sa më tha edhe botuesja, Arlinda Dudaj, ai rezulton të jetë një libër “long seller”, që do të thotë se shitja e tij vazhdon për një kohë të gjatë. Dhe, në fakt, “Sekretet e shijes” është një libër shumë i bukur që ka gjithçka brenda. Ndërsa libri i pastave është një libër i kufizuar. Tani jam gati për librin e tretë që po e mendoj. Përsëri është shumë i goditur, sepse do ketë të bëjë me fëmijët, me shijet e fëmijëve dhe me ëmbëlsirat. Po mendoj që në kopertinën e parë të jem unë me dy fëmijë dhe mbrapa të jenë ëmbëlsirat. Në një libër të dyja bashkë.

Po pse zgjodhe pastat dhe pse 50? Ka të bëjë me “50 hijet…” apo jo?

Zgjodha pastat, sepse ato pëlqehen nga të gjithë njerëzit, tek ato e gjen veten çdo njeri, me shije nga më të ndryshmet, me mishin, me peshkun, me çdo gjë. Në një farë mënyre, janë edhe seksi. Dhe mua më pëlqejnë shumë, i shijoj pa fund. Pastat dhe orizi janë edhe ushqimet e mia të preferuara. Zgjodha pastat, sepse kam menduar, në radhë të parë, për veten. Mendoj se pastat më identifikojnë disi edhe mua; janë pak agresive, ekspresive, pak ‘nevrike’, pikante, janë delikate (me raste), ashtu siç janë edhe të parezistueshme. U mendova gjatë për t’i vendosur një titull librit, por mbeta këtu edhe duke u nisur nga “50 hijet”, po. Pastat të çojnë te mendimi i parë i ditës. Janë edhe seksi, e thashë.

Por në panair u përballe edhe me ‘kritikët’, ata që të kanë ndjekur në “Hell’s Kitchen” dhe të kanë sharë sa herë ke thyer pjata…

Po, edhe me ata. Por e di çfarë? Nuk më bëjnë përshtypje fare. Nuk më bëjnë përshtypje, sepse njerëzit kanë të drejtën e plotë të reagojnë, sepse nuk e dinë se çfarë do të ndodhë dhe çfarë bëhet në një televizor, nuk kanë parë. Në atë emision, secili prej nesh shikon veten. Ne reagojmë në përditshmërinë tonë me prindërit, reagojmë me kolegët, reagojmë me shoqërinë, nëse nuk na pëlqen një ushqim, e kthejmë mbrapsht, nuk do shkojmë përsëri tek ai restorant etj. Janë të gjitha reagimet që ne bëjmë jashtë kamerave dhe aty njerëzit shikojnë veten e tyre. Është një program i vërtetë. Nëse nuk do ishte për t’u parë, njerëzit nuk do ta shikonin. Dhe, me sa duket, njerëzit, në shtatë ditë të javës, nga mëngjesi në darkë, diskutojnë për HK. Derisa është kështu, puna është e bërë apo jo?

Nuk të trembin as kritikat e profesionistëve të tjerë apo njohësve të mirë të kuzhinës?

Shiko, ka njerëz që gatuajnë në ekran, por nuk janë shefa kuzhine. Me ata njerëz që nuk janë shefa kuzhine, nuk merrem fare dhe nuk u jap rëndësi. Janë zero për mua. Sepse nuk e dinë se si ndodh dhe çfarë ndodh brenda në një kuzhinë. Brenda në kuzhinë është një kaos i vërtetë. Ka probleme me stafin, ka probleme me pastërtinë, me detajet, ka probleme me organizimin dhe nuk ka seriozitet. Por njerëzit nuk e shikojnë këtë gjë që bëhet me shumë pasion, me shumë profesionalizëm, është si të japësh shpirtin aty, ashtu siç e jap unë, siç e japin njerëzit e njohur aty ku janë. Unë jam nga mëngjesi deri në darkë në restorant, në çdo orë që të më marrësh, unë jam këtu. Kjo do të thotë që për mua restoranti është gjithçka, por jo sepse është restoranti im. Unë kështu kam qenë gjithmonë në punën time. Kam punuar fort, kam dhënë shumë, sepse kam pasur ego me veten. Dua të arrij lart, dua të jem ndryshe nga të tjerët, dua të jem më i mirë nga të tjerët. Dua të punoj fort. Nuk më intereson luksi, nuk më intereson të dukem, nuk më intereson të vesh rroba të shtrenjta. Ndihem rehat me atë që unë kam qejf – pasionin dhe dashurinë ndaj kuzhinës. Për këtë kam dhënë dhe jap shumë. E di që pas shumë vitesh, kjo do më bëjë dëm, sepse jap shpirtin te kjo gjë dhe kur të vijë një kohë, ndoshta do them ‘pse dhe kaq shumë’, por nuk bëj dot ndryshe dhe nuk mendoj të ardhmen. Mendoj tani, gjithmonë kam menduar tani. Them se tani duhet të jap shumë në atë gjë që kam: në kuzhinë.

HK ishte një program i projektuar kështu apo rrugës formati ndryshoi për t’u bërë më interesant në sytë e publikut, duke thyer pjata?

Këtu ka diçka. Tensioni i kuzhinës të sjell në atë pikë që reagon edhe ti, edhe konkurrenti dhe të dyja palët janë të pamenduara me reagimet e tyre. Por duhet të kuptojmë një gjë. Në çdo punë është një shef që na komandon. Nuk mund të ngremë zërin njëlloj me shefin, përndryshe ‘hajde merre ti vendin tim, po shkoj unë në anën tjetër dhe jam shumë rehat’. Por nuk është kaq kollaj. Ne mund të dëgjojmë gjithandej ‘shefi, shefi, drejtori’, dhe mendojmë se ky personi i nxjerr lekët shumë kollaj, por ai stresi dhe ai presioni që të krijohet me të gjitha gjërat që të rrethojnë, me punët tona kudo që jemi, nuk është aq i lehtë për t’u menaxhuar. Reagimet e mia kanë qenë shumë spontane, të pamenduara, ashtu siç kanë qenë edhe nga konkurrentët ndaj meje. Por shefi është shefi. Nëse ai të thotë tri fjalë, mos thuaj ti gjashtë, se nuk ka lezet. Nëse shefi reagon, duhet të kuptosh nga lindi ky reagim dhe të tregosh më shumë respekt për të.

Po Gaz Paja, në syrin tënd është një shef i mirë apo një shef që kopjon keq?

Gazi është një shef shumë i mirë në punën e tij. Mua më bëri siç duhej, gati-gati nuk e dalloja nga vetja.

Si ishin pritshmëritë e këtij formati, çfarë pritet të vijë pas tij?

Aktualisht, jemi drejt fundit të tij. Ai që fiton ka një kontratë 1-vjeçare me restorantin tim dhe një shumë të madhe parash. Është shumë e vështirë për të spikatur fituesin. Unë do të doja, në fakt, që të ishte vajzë, mbase ngaqë edhe në të tria formatet e Master Chef-it nuk ka pasur vajzë, edhe në çdo format sa i përket gatimit janë kryesisht meshkuj. Megjithatë, gjithçka do duket në detajet e fundit kur të mbeten dy finalistët.
Sa u përket pritshmërive, ky format i ka kaluar të gjitha ato që prisnim, qoftë nga sponsorët, qoftë nga audienca, qoftë nga mënyra se si jam unë dhe si dua unë të dal, i ka kaluar. Pas tij vjen një skenë e re e HK, tërësore, një skenografi e re, një studio tërësisht e re, gjigante, gjithçka do të jetë perfekte. Ka filluar të mendohet që tani HK2.

Shef i suksesshëm, themelues i një restoranti të suksesshëm, një faqe web-i profesionale në shërbim të biznesit, autor i dy librave të suksesshëm me receta, personazh televiziv i suksesshëm, nuk ke frikë nga i gjithë ky sukses?

Kam frikë, por kam frikë nga dështimi. Nuk mund dhe nuk dua ta pranoj dështimin. Unë i bëj dëm vetes në shumë gjëra dhe dështimin nuk e pranoj. Por gjej një zgjidhje sa herë e shoh se mund të dështoj. Jam larguar dhe largohem gjithmonë në kulmin e suksesit. U largova nga Greqia dy vjet e ca më parë në kulmin e karrierës sime. Atje nuk isha personazh publik, sepse nuk e kam dashur vetë për të mos rënë pre e gjykimeve të racizmit. Por edhe atje kam pasur plot oferta për të qenë në ekran, madje në kanale dhe në programe shumë të forta. Por nuk e kam dashur, sepse më dukej vetja si një peshk në një oqean. Më dukej sikur po futesha thellë dhe i thosha vetes: “Do të hanë o qyq, ku vete?” Por u largova në kulmin e karrierës sime, 2-3 muaj para se të merrja edhe çmimin tjetër të Kepelës së Artë. Nëse nuk do largohesha dhe do vazhdoja, me kohë mund të bija. Dhe tani që jam larguar, njerëzit, mediat dhe të gjithë të njohurit e rrjetit, më kërkojnë ‘kur do kthehesh?” Nëse do isha konsumuar, nuk do më kërkonte njeri tani. Kështu që zgjedh të largohem gjithmonë në momentin që e shoh se nuk kam më se çfarë të jap. Këtë bëra edhe në Master Chef, pasi u bë i treti. Nuk doja që ta bëja përsëri, sepse thashë ‘ok, ky është, po u bë edhe i katërti, nuk do ta shikojë njeri'. Nuk do të doja kurrë të vazhdoja të qëndroja në një gjë të dështuar.

Po pas ardhjes në Shqipëri, pse nuk zgjodhe të ishe vetëm shef, ç’të tërhoqi kaq shumë te televizioni?

Në fakt, gjithmonë televizioni më ka kërkuar. Unë nuk kam qenë kurrë i televizionit. Por, shiko, unë prapë në punën time jam, bëj të njëjtën gjë. Në televizion dola pas dy vjetësh pasi hapa restorantin, nuk dola direkt, sado që kisha shumë oferta. Javë për javë, muaj për muaj, të gjitha kanalet, nga më i madhi tek më i vogli më bënin oferta, por doja të fokusohesha te restoranti im, te Umami, që të nxirrja dhe të lidhja të gjithë skuadrën që doja. Nuk ishte qëllimi im të dukesha në televizor dhe t’ia varja restorantit. Për mua është gjithmonë restoranti, puna që bëj çdo ditë dhe pas tij, gjërat e tjera.

Por fama të josh ama…

Çfarë quan famë, të dalësh në ekran?

Edhe atë…

Shiko, unë nuk e kam kërkuar kurrë ekranin, më beso. Por e kam zgjedhur, mbase edhe nga ofertat e pagesave që (pa modesti) i kam shumë të larta. Ndiej edhe sigurinë e kësaj gjëje dhe gjithmonë, nëse bëj një bashkëpunim ose një diskutim me kanalin, gjithmonë kam parim të ketë lidhje me punën time, me restorantin, sepse Umami është gjithmonë aty ku është edhe Renato. Domethënë, ku të jetë Renato, do të jetë edhe restoranti. Nëse nuk dal në një ekran ku nuk dëgjohet Umami, unë zgjedh të mos shkoj. Kështu që, për t’u lidhur me pyetjen, për mua fama nuk ekziston. Nëse ti më thua “po, Renato, do të jetë edhe Umami”, atëherë do të dal në ekran. Nuk dal në ekran nëse nuk dëgjohet Umami… Kam refuzuar shumë programe pikërisht për këtë arsye. Nëse nuk janë punët e mia, nuk pranoj. Unë mbi interesin tim nuk vë asgjë tjetër. Umami flitet gjithandej… Kudo ku jam unë, është Umami. Kaq e thjeshtë është.

A nuk po tregohesh pak egoist këtu?

Jam shumë egoist, kush tha që jam pak? Unë e kam thënë gjithmonë. Por ama jam shumë i qartë me qëllimet e mia. Jam shumë i veçantë, jam shumë i mirë, jam unik, por dua edhe unë gjërat e mia. Nuk mund të më do më shfrytëzojë ekrani për gjërat që do. Dua edhe unë të përfitoj nga ekrani.

Çfarë nuk ta jep dot kurrë televizioni, ke arritur ta ndiesh gjatë këtyre viteve?

Para se të dilja në ekran për herë të parë, në Master Chef, kur shikoja televizor, besoj edhe si shumica e njerëzve që do të donin të ishin në ekran e të bënin diçka, ëndërroja, flisja, këndoja, komentoja, prezantoja, bëja lloj-lloj gjërash që të isha në ekran. Në momentin që dola dhe pashë mënyrën se si punohet në ekran, mënyrën se si bëhet televizioni, fama e madhe, që vërtet është shumë e bukur dhe shumë e mirë, por nga ana tjetër, të shkatërron nga ana e lirisë, kuptova se të mungon shumë liria; të dalët i parregulluar, mos të të njohë njeri, mos të diskutojë njeri. Këtë moment unë e mendoj 2-3 herë para se të shkoj në një club, sepse kam merakun e shumë gjërave. Kur shkoj në Greqi, jam si një fëmijë i lumtur, sepse atje jam më i lirë, qesh si të dua, ha si të dua, nuk më intereson asgjë, më pëlqen shumë ajo jetë që kam lënë atje, ndërsa kjo jetë që kam këtu, në një farë mënyre, më mbyt. Ngaqë është ekrani.

Ndërsa ne, këtej ekranit, kemi krijuar përshtypjen sikur ti e shijon shumë këtë ‘famë’…

Sepse, ta thashë, dashuria ime është edhe do të mbetet gjithmonë shefi i kuzhinës, restoranti im dhe gjithçka e imja. Por në momentin që marr përsipër ta bëj një gjë, do jap maksimumin dhe do tejkaloj veten që kjo të ndihet tek të gjithë. Mbase nuk duket, nuk ndihet te ju, por edhe unë kam shumë emocione, strese, më shpëton çiçi një mijë herë dhe shkoj në tualet. Por duhet ta bëj, është pjesë e natyrës sime, duhet të çoj deri në fund.

E ndien veten personazh të showbiz-it, të lajmeve rozë?

Jo, fare. Nuk e ndiej veten në showbiz, nuk jam dhe nuk dua të jem. Nuk më intereson ta shes veten, të bëj selfie apo të tregoj se ku jam, veshjet luksoze, udhëtimet apo ku di unë se çfarë. Ishte një kohë kur doja të dukesha, doja që të fitoja vëmendje, por e kisha qëllim që të më shikonin disa njerëz, të më ofronin këto që më janë ofruar. Ishte fillimi. Në momentin që u bëra, ia arrita qëllimit, nuk dua dhe nuk bëj më. Çfarë doja që të arrija, e arrita. Të tjerët vdesin të bëjnë selfie, të duken, kur i shikoj sot të bëjnë kështu gjërash, më duken të shëmtuara.

Jeta private, pastaj, është pjesë tjetër. Me të nuk kam shitur dhe nuk do të shes kurrë. Familja ime është një gjë shumë e shenjtë, njeriu im është diçka shumë e shenjtë. Kur ka dalë familja një herë të vetme në ekran, po dridhesha i tëri, nuk dija çfarë të thoja, humba komplet ekuilibrin dhe nuk isha më unë. Familja dhe njeriu im është një gjë shumë e shenjtë, nuk ka pse të dalë….

Në fakt, kam hallin e gjysmës tjetër…

As ajo nuk ka pse të dalë. Përderisa me këtë person, unë nuk kam vendosur të martohem dhe të jemi zyrtarisht bashkë, pse të dalë? Të bësh këtë gjë që bëjnë shumë, të shesin personin e tyre nga mëngjesi në darkë që të bëjnë lajm, të kënaqen dhe ta publikojnë në Instagram dhe në FB në çdo mënyrë, që të diskutohen, për mua është e pakonceptueshme. Unë, nga kjo pjesë, nuk kam nxjerrë kurrë asgjë. Ju, nëse merreni me Renaton, merreni me shpërthimet e Renatos, me punët e Renatos si shef, ka të bëjë gjithmonë me punën time. Ndodh me shumë pak personazhe, në dijeninë time, që të jetë kaq të përfolur vetëm për punën. Kjo është shumë e rrallë. HK është puna ime dhe kjo më mbush plot.

Por puna në një moment mbaron, mbyllet dera e restorantit, hapet dera e shtëpisë, çfarë ka aty?

Ëmmm, akoma edhe aty jam shumë egoist… e di që është shumë gjë e keqe të jesh kaq egoist, ndaj dhe luftoj me veten dhe me gjithçka që më rrethon, edhe me familjen. Por, s’e di, mbase ngaqë, që kur kam qenë i vogël, kam pasur një liri të madhe, kam lëvizuar nga shtëpia që kur kam qenë 14 vjeç, kam pasur gjithmonë lekë nëpër duar, kam dashur gjithmonë si Renato të mos jem i varur nga askush dhe për këtë jam krenar, jam krenar që e kam ndihmuar dhe vazhdoj ta ndihmoj familjen time dhe prindërit e mi që i dua fort, edhe mbesën dhe nipin tim, por që kur futem në shtëpi, jam edhe unë një njeri si gjithë të tjerët dhe jam shumë rehat.

Çfarë bën sapo hapet dera e shtëpisë?

Puthem, shtrihem, shikoj televizor….

Domethënë bashkëjeton me dikë?

Jo, kjo është, mbase, pjesa në të cilën mund të them që egoizmi im është i dukshëm. Mund të shkoj unë në shtëpinë e saj, ajo në timen, mund të rrimë bashkë, të jetojmë bashkë, por jo, nuk bashkëjetoj.

Ka diçka që të mungon këtu, dikur e ke pasur, ndërsa sot nuk e ke?

Jo, më ka bekuar aq shumë Zoti me të gjitha gjërat. Gjithçka kam kërkuar nga ai, m’i ka dhënë me të dyja duart. Çdo gjë që kam ëndërrur, i kam arritur të gjitha në moshë shumë të vogël, pothuaj gjithçka në moshën 30-33-vjeçare. Për mua është shumë, një dhuratë shumë e madhe. Besoj shumë në Zot dhe e falënderoj pa fund çdo natë që fle. Faleminderit Zot për të gjitha që më jep dhe lutem për të gjitha mëkatet që bëj.

Çfarë të ka mbetur akoma pa bërë, ku do të të çojë i gjithë ky vrap?

Nuk është se i kam arritur gjërat me maninë e të dukurit, me vrull, kam punuar edhe me një euro apo dy euro në ditë, prandaj nuk më bën gjë përshtypje, nuk më bezdis gjë. Unë i kam arritur të gjitha në kohën e tyre, edhe pse jam i ri. Sot për sot, jam më i miri, di të gatuaj shumë mirë, më rrethojnë njerëz të suksesshëm rreth vetes, jam i plotësuar. I kam arritur të gjitha dhe nuk kam asnjë peng. Por ajo që mund të them, pjesa që më mbetet është të marr edhe unë njeriun tim, të martohem dhe të shijoj të gjitha këto gjëra që më ka dhënë Zoti me të dyja duart.

Ç’emër do t’i vije recetës së vitit 2018 (pse)?

Receta e vitit 2018 mund të quhej “Speca pikante, me frut pasioni dhe fruta deti”. Sepse më përfaqëson, por edhe sepse kështu më ka shkuar i gjithë viti, me pasione (qesh).

Dhe me speca...

Po, dhe me speca (qesh).



Cila është lutja që i ke bërë Zotit për vitin 2019, çfarë pret nga Viti i Ri?

Uroj që 2019-a të më japë shëndet, energji, dashuri dhe pak më shumë kohë për veten. Me sa shoh, vështirë do ta kem, sepse do vazhdoj të jem i angazhuar dhe i ngarkuar, por gjithsesi, asnjëherë nuk i dihet. Uroj të kemi ditë më të mira!

Credits:

Fotografia: Orsola Mema, Class Photography

Design: Xhesika Berisha