Temperaturat e ulëta dhe i ftohti i dimrit janë gjithmonë problematike për lëkurën. Për ta mbrojtur fytyrën nga i ftohti, kujdesi për pastrimin, hidratimin dhë zbutjen duhet të jetë më i madh. Më poshtë, ka disa maska të thjeshta, që mund të përgatiten shumë thjesht, me anë të të cilave mund t’i japësh lëkurës butësi dhe shkëlqim.

Luleshtrydhe dhe limon: Kjo maskë është ideale, nëse fytyra gjatë stinës së dimrit të skuqet nga o ftohti. Merr disa luleshtrydhe, 2 lugë gjelle limon dhe 1 lugë gjelle mjaltë. Përzjeji mirë të gjithë përbërësit në një blender derisa të formohet një masë kompakte. Aplikoje maskën në fytyrë dhe lëre të veprojë rreth 20 minuta. Më pas, shpëlaje me ujë të vakët. Luleshtrydhet përmbajnë acid salicilik, i cili parandalon çarjet e lëkurës, formimin e rrudhave dhe të puçrave.

E verdhë veze, avokado dhe mjaltë:  Merr dy lugë çaji tul nga një avokado e freskët, dy lugë çaji mjaltë dhe një lugë të verdhë veze. Të tre përbërësit vendosi në blender, në mënyrë që të formohet një masë homogjene. Më pas, mund ta aplikosh maskën në zonën e fytyrës dhe qafës, duke e lënë të veprojë për 30-40 minuta dhe më pas e shpëlan me ujë të vakët. Për një pastrim të hollësishëm dhe rezultate afatagjata, aplikoje maskën një herë në javë.

Qumësht i pasterizuar dhe mjaltë: Kjo është maska më e thjeshtë për t’u përgatitur. Mjafton të përzjesh 5-6 lugë çaji qumësht me 2 lugë çaji mjaltë. Pastën e formuar, aplikoje në pjesën e fytyrës dhe qafës, duke masazhuar për 5 minuta. Pas kësaj,  lëre të veprojë për 15 minuta të tjera. Kjo është mënyra më e lehtë për të trajtuar lëkurën e thatë gjatë dimrit.