Gjithmonë është vënë në qendër të vëmendjes për raportin dhe diferencën e moshës që ka me bashkëshortin e saj miliarder Sam Nazarian dhe çdoherë ajo e ka një përgjigje për të gjithë! Mes fotove të shumta që poston në profilin zyrtar në Instagram, supermodelja shqiptare Emina Çunmulaj ndan me fansat e saj virtual momente nga jeta e përditshme, nga udhëtimet luksoze, e plot detaje të tjera, por nëse ka diçka që ngjall më shumë se kurrë diskutime apo debate, është pikërisht detaji i diferencës së moshës mes saj dhe partnerit, me të cilin ka edhe dy vajza të vogla.

Këtë herë, nga pushimet e tyre familjare dimërore, Emina ka zgjedhur që të postojë së fundmi një foto me bashkëshortin e saj, ku të dy shfaqen të relaksuar dhe shumë të lumtur krahë njëri-tjetrit. Mes komenteve të shumta që i vlerësojnë dhe komplimentojnë si çift, duket se ka qenë njëri që e ka nervozuar jo pak supermodelen e famshme.

"Më falni ça janë, babë e bijë apo bashkëshortë", ka shkruar komentuesi, e reagimi i Eminës ka qenë i menjëhershëm! ”E ti këtë në foton tënde çfarë e ke, gjysh”?, i është kthyer ajo komentuesit që me siguri nuk e ka zgjatur më me ngacmime më pas!