Aksesori më i rëndësishëm për një vajzë është padyshim çanta. Përveçse janë shumë funksionale, çantat duket se i japin prekjen e fundit pamjes duke e kompletuar atë. Tashmë jemi mësuar me trendet e çuditshme që fillimisht mund të mos na pëlqejnë, por më vonë i përqafojmë me shumë dëshirë. Është e sigurt që kështu do të ndodhë edhe me çantat e vitit 2019, të cilat për momentin i kemi parë në pasarelat e modës, por që shumë shpejt do t`i shohim gjithandej. Më poshtë po ju prezantojmë me 5 stilet më të çuditshme të çantave që do të shihni këtë vit.

Çantat cilindrike

Nga sfilatat Pranverë 2019, shumë shpejt do t`i shohim edhe në rrugët e qytetit. Markat e njohura si Calvin Klein apo Coach kanë sjellë versione të vogla të çantave cilindrike duke i bërë perfekte për përdorim të përditshëm.

Çantat e thurura me grep

Është koha që të pendoheni që nuk mësuat kurrë të thurni me grep. Fillimisht i pamë në sfilatat e Monse, Isabel Marant dhe Chanel duke krijuar një stil boho dhe shumë veror. Vijnë në versione të ndryshme dhe mund t`i përdorni si për plazh, ashtu edhe për të krijuar një ‘look’ të veçantë në mbrëmje.

Çantat në miniaturë

Stilistët si Brandon Maxëell dhe Burberry sollën versione në miniaturë të çantave dhe duhet ta pranojmë që edhe pse nuk fusim dot më shumë se disa monedha, ato duken shumë bukur. Nuk janë aspak praktike apo funksionale, por duken shumë bukur për t`u përdorur për raste të veçanta.

Çantat e lidhura në qafë

Markat si Gabriela Hearst dhe Erdem sollën versione të çantave të varura në qafë në sfilatat Pranverë-Verë 2019. Burberry solli versionin e dy çantave të varura në një rrip dhe mund të themi që janë shumë praktike në raste kur shkon  në ndonjë festival apo kur nuk dëshiron të marrësh një çantë të zakonshme me vete.

Çantat me një rrip

Emporio Armani, Marc Jacons, Dion Lee dhe Adeam sollën çantat me një rrip vitin e kaluar. Ato krijojnë një ‘look’ të pastër dhe të sofistikuar, sidomos kur materiali është lëkurë.

Përshtatur nga Marie Claire