Deepfake është problemi më i madh aktualisht në botën online dhe duket se nuk ka një zgjidhje. Videot deepfake lidhen me montimin e fytyrës tënde në trupin nudo të dikujt tjetër, që është duke bërë gjëra që për ty mund të jenë të turpshme, si për shembull video porno. Viktima të videove të tilla kanë qenë emra të njohur në botën e showbiz-it. Po ashtu, videot mund të montohen duke bërë që të duket sikur dikush ka thënë diçka që në realitet nuk e ka thënë, përgjithësisht kjo është përdorur për politikanët. Pre e këtyre videove kanë qenë një numër i madh i personazheve të njohur, si: Emma Watson, Katy Perry, Taylor Swift dhe Scarlett Johansson. 

Deepfake është një problem i madh privatësie dhe duket se nga ana ligjore nuk mund të bëhet asgjë. Shumë vende kanë ligje strikte që lidhen me të drejtën e autorit për fotot apo videot, por këto ligje mund të mos jenë të vlefshme në vende të tjera. Prandaj, siç është shprehur edhe Scarlett Johansson në lidhje me këtë çështje, “të përiqesh ta mbrosh veten nga interneti është një kauzë e humbur”. Teknologjia e videove deepfake po përmirësohet dita-ditës dhe nëse bie në dorën e gabuar mund të shkaktojë shumë dëme. Nuk dihet nëse këtij problemi, viktimë e të cilit mund të jesh edhe ti, do t`i jepet zgjidhje një ditë.