Njerëzit e modës flasin me gjuhën e trupit, stilit, me pamjen e tyre! Edhe pse në atë tiparin e dukshëm, ata shfaqin shpirtëroren e tyre, anën e brendshme që më së miri ata dinë ta materializojnë në veshje të bukura, në koleksione moderne dhe luksoze, në stile të personalizuara e në ato që i japin identitet gjithkujt që i mban veshur në trup. Periudha apo dita kur ai vendosi të krijojë etiketën e tij, nuk është saktësisht koha kur ai i tha vetes që donte të bëhej stilist! Është shumë më herët se kaq! Është punë ndjenjash, pasioni që ka lindur herët, e që më pas u transformua në një angazhim të pashoq që vetëm ai diti se si ta fuste në "shinat" e duhura për t'i dhënë orientimin e duhur drejt mbërritjes në destinacionin e famës dhe suksesit.

Valdrin Sahiti është një prej tyre! Ai e përqafon idenë e modës në atë mënyrë që dikush e konsideron veten humanist dhe përqafon idenë e njerëzimit, apo si dikush tjetër besimtar që zotohet në potencialin e tij të besimit. Por, në dallim tyrin, ai njeh kufijtë themelor të vetes dhe imagjinatës, ndaj dëshira për perfeksion është gjithmonë aty në mendjen dhe kokën e tij për t'i dhënë formën e duhur me "daltën" e tij të horizontit dhe dëshirës për të bukurën. Sepse në thelb, e bukura nuk është vetëm koncept! Është diçka e prekshme, e matshme e përcjellë kjo në bukuri fizike, në stil, në veshje, në zgjedhje, në gjetje dhe ide. Dhe kjo është e bukura sipas Valdrin Sahitit! Dimensioni dhe metri me të cilin ai futet në një proces krijimtarie të vazhdueshëm, ka nisur plot 15 vite të shkuara për të mbërritur sot në jehonën e suksesit të një brand name! Nuk është e tepruar nëse themi se ai ka ndërtuar në Kosovë një perandori, me njerëz të përkushtuar që e duan punën, që duan t'a ndjekin hap pas hapi në krijimtarinë e tij, që rendin pas detajeve dhe materializojnë mjeshtërisht në copa mëndafshi, në qëndisma, në element gurësh, teminash, ngjyrash, detajesh dhe gjithçka tjetër mbart emrin stil! Ç'mund të thuhet më shumë për një skuadër njerëzish kreativ? Asnjë metrik nuk ekziston për të përcaktuar efektin Valdrin Sahiti, ama në industrinë e modës ku ai prej vitesh bën pjesë mund ta pohojmë që është zgjedhja e parë e shumë vajzave të famshme, e shumë personazheve publik, grave me influencë në shoqërinë kosovare e shqiptare, e shumë kategori të tjera që shkelin në atelienë e tij pa frikë sa herë duan të duken të veshura bukur dhe plot stil.

Sepse Valdrini pohon se qëndrimi me njerëzit është gjithçka e frymëzon pa kushte! Vetë biseda me ta, ato grimcat e para që merren nga një takim i momentit, nga një bisedë e çastit, prej së cilës më pas lindin miqësi të çmuara. Si ajo që stilisti i njohur ka ndërtuar me shumë yje të showbiz-it shqiptar dhe atij kosovar, veçojmë këtu Elvana Gjatën. Ai flet pa rezerva për këtë marrëdhënie të vyer që vetëm ata të dy kanë ditur si ta ndërtojnë prej fillimit e deri sot në një histori disa vjeçare miqësie. Por, jo vetëm!

Valdrin Sahiti prek në këtë intervistë të veçantë për Class edhe dimensionet e tjera të bukurisë në jetën e tij, siç janë Edita Ramadani, bashkëshortja, dhe sublimi i plotësimit dhe etalonit të lumturisë për të si individ: e bija Bella! Stilisti i famshëm flet për ndryshimet që ka pësuar jeta e tij post statusit si baba, planet për më të voglën e familjes, e plot gjëra të bukura që e bija ja ka sjellë pa kursim në jetën e tij.

Çfarë mund të kërkojë më shumë ai në këtë fazë plotësimesh si në aspektin profesional, por edhe atë privat? Si një njeri shumë pranë të bukurës dhe qenies njerëzore, ai di fare mirë çfarë kërkon nga jeta, ku do të mbërrijë, rrugën që e çon drejt këtij "ishulli" plotësimi multidimensional, e jo vetëm!

Valdrin Sahiti thotë shumëçka në këtë intervistë të tij për Class!

Cili ka qenë ai moment në karrierën tënde për të cilin krenohesh dhe thua me veten “Ja kam dalë”?

Ja kam dalë....Hmmm...Unë se di ende a ja kam dalë, unë thjesht jam në mes të rrugës që kam nisur 15 vite më parë. E vlerësoj shumë gjithsesi karrierën dhe punën time 15 vjeçare deri këtu dhe fuqishëm mendoj që “ja kam dalë” dhe këtë mund ta them lirisht në kontekstin e arritjes time si profesionist. Të ndryshoj njerëz me influencë, t'i ndryshoj në stil, në pikëpamje si e shohin modën dhe të krijoj sensacione me ta. Më pëlqen kjo aftësi për të ndryshuar perceptimin mbi modën tek njerëzit me influencë sepse më pëlqen pastaj ndikimi im indirekt në popull dhe kontributi im mbi formimin e shijes së njerëzve .

Cilat mendon se kanë më shumë stil në veshje, vajzat e Kosovës apo Shqipërisë?

Unë karrierën time e kam filluar me këngtaret shqiptare dhe një jetë të tërë kam punuar me to! Në fakt i vetmi luks i imi ka qenë që nga dita e parë, që të kem mundësinë të zgjedh se me kë të punoj, fakti që një femër mund të jetë këngëtare pavarësisht famës s'më ka intriguar kurrë!  Unë kam pas luksin e qejfit që të zgjedh të punoj me njerëz që kam kimi me ta dhe gjatë procesit të punës të kënaqem duke punuar. Në fakt nuk e di a ka këngëtare shqiptare që s'kam punuar me të dhe mandej kam zgjedhur të mbaj ato që mua më pëlqejnë dhe plotësojnë standardet shoqërore.

Çfarë do të ndryshoje tek stili i veshjes së vajzave shqiptare?

Marrë bazë historinë e vendeve tona, ato nëpër të cilat kemi kaluar, qoftë politike, qoftë ekonomike mendoj që nuk jemi shumë prapa me vendet që se kishin fatin e njëjtë sepse është një gjë (atë që ne kaluam në vitet 90’-2000), Italia e kaloi në vitet 30’-40’-të, andaj analizuar dhe tregjet tona e mundësitë përgëzoj popujt shqiptar për vullnetin dhe dëshirën që kanë për t'u dukur bukur dhe mbi të bukurën. Mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk mendoj që ka më mirë ose më keq, ka ndryshime që pastaj në bazë të shijes relative njerëzit zgjedhin.  Kosova trashëgon një shije të (ish shteteve të Bashkmit Sovjetik ) që nënkupton ka një frymë tjetër nga Shqipëria që po kalonte kohën e komunizmit, andaj me eksperiencat e mia kam aluduar që Shqipëria bazohet më shumë në cilësinë, të qenurit komod, të ndjerit mirë dhe kualitet. Kosova më shumë në të dukurit bukur, të qenurit medoemos IN, ekstravagnt dhe shumë trendy pavarësisht brendit.

A ekziston një njeri të cilit i je mirënjohës për karrierën tënde?

Ka pas persona që kanë kontribuar në karrierën time, në fillimet e mia ose në kyçjen në shoëbiz. Jam shumë mirënjohës për dëshirën e tyre, por që të them i përulem dhe jam mirënjohës se më bëri ose më krijoi jo! Them faleminderit mamit dhe familjes time sepse më formuan për këtë që jam sot, ndërsa pjesën tjetër profesionale e personale e kam se e dua jo sespe jam i detyruar se ata më bënë ose më ngritën.

Kush/Çfarë të frymëzon për krijimet e tua?

Unë nuk përkoj në grupin e artistëve të cilët kanë hyrë në shoëbiz me sponsor ose thjesht nga talenti dhe pastaj kanë ecur në mënyrat e tyre. Unë kam hyrë në botën e shoëbiz-it i ardhur nga studimet universitare në dy universitete (ekonomi dhe modë) dhe një master në (fashion and merchendiaising). Isha i përgatitur profesionalisht dhe e dija saktë çfarë doja në jetë. Ata që më kanë përkrahur gjatë rrugës kanë qenë miq të cilët i kam përkrahur po ashtu në të njëjtën mënyrë në profesionet e tyre sepse jemi rritur bashkë.

Është e rëndësishme që klienti, kur drejtohet në atelienë tënde të ketë shije specifike?

Është e çuditshme në fakt që mua më frymëzojnë njerëzit.  Qendrimi me njerëz të ndryshëm, bisedat e gjata, darkat e mira, verërat e preferuara, metropolet me adrenalinë janë pika kyçe e frymëzimit dhe suksesit tim.

Kur e ke njohur bashkëshorten tuaj, e ke kritikuar apo komplimentuar për veshjen?

Bashkëshortja ime nuk vinte nga bota e shoëbiz-it, gocë normale e Prishtinës.  Nuk kishte të bëjë me kritikën time ndaj saj rreth shijes, por rreth mënyrës së perceptimit ndaj modës në përgjithësi. Ajo çka unë bëja 2-3 vitet e para ishte që unë punoja që ta ngrisja veshjen në çështje sublime dhe punoja fort në atë që pastaj ndjekja e trendeve dhe gjërave tjera t'i vinte shumë e lehtë.

Thonë se kur dhëndri shikon nusen përpara dasmës sjell ters. Ti e ke dizenjuar vetë fustanin e Editës, si ia keni bërë me provat apo e ke parë vetëm ditën e dasmës me fustanin veshur?

Unë kurrë s'kam dashur një dasmë të madhe, as një dasmë tradicionale. Nuk kanë pasur kurrë rëndësi në jetën time, ndarja e jetës personale me shumë njerëz. Më pëlqen të jem më pak, por të saktë, gjithmonë. Ideja e Vegasit ishte një pushim me njerëz që duam fort dhe në një formë një kurorëzim i një bashkëjetesë shtatë vjeçare dhe një festë për Bellën e vogël që kishte nisur rrugën...Nuk i dhamë shumë rëndësi fustanit të them drejtën, sepse donim diçka që ishte i lehtë, komod dhe thjeshtë, ngaqë Edita në atë kohë nuk duronte as pizhamet në trup (ahhaahhaah)!

Mes Norës dhe Leonorës, dy nga vajzat me të cilat punon prej vitesh, cila është e preferuara për stilin?

Nora Istrefi është një person që s'të bën presion dhe është gjithmonë në një linjë të disponimit. Më pëlqen të vesh njerëz të cilët nuk bëjnë presion dhe nuk kanë koment për çdo gjë, kënaqem shumë me Norën. Pastaj, Leonora është një tjetër personash publik që më jep një energji tej mase të mirë dhe pozitive ,e di gjithmonë çfarë do dhe nuk ka nevojë kurrë për komente, bindje ose diçka e tillë dhe puna me Leonorën po ashtu është kënaqësi dhe jo punë e presion.

Ndërkohë, ti ke një raport special edhe me Elvana Gjatën. Si është të bashkëpunosh me të?

Kemi një raport shumë të mirë përtej raportit profesional.  Jemi shokë të ngushtë dhe kënaqemi shumë bashkë. Është shumë me rëndësi për një artist kur personat që mban afër të frymëzojnë dhe motivojnë për punën e tij apo saj. Elvana ka një energji të paparë dhe një sens humori tej mase të spikatur dhe çdo gjë si në punë, si në shoqëri edhe nëse si pëlqen e kthen në shaka dhe të bind që më ndryshe do ishte më mirë. Është një ndër njerëzit e vetëm në jetë me të cilët s'kam ndërruar kurrë asnjë muhabet në raport me punën, stilin, pëlqyeshmërinë sepse pak a shumë jemi në të njëjtat frekuenca.

Vijmë tek profili i Valdrinit si baba. Çfarë ka ndryshuar në jetën tënde pas ardhjes së vajzës?

Përfundimisht  titulli më i mirë në jetë. Pa Bellën isha thjesht një Valdrin gjysmë, tani ndihem i plotësuar. Gjithmonë kur monologoja me veten, thoja çfarë më mungon, çfarë më mungon, unë kam gjithçka, por kur erdhi Bella kuptova që më mungonte një dashuri pa kusht, pa çmim, një dashuri që nuk njeh epitete se kush jemi ne dhe çfarë bëjmë, një dashuri që thjesht vjen natyrshëm dhe është e parezistueshme e më e fuqishme se çdo gjë në botë. Thjesht nga ardhja e Bellës në jetë, kam kuptuar çfarë me të vërtetë ka rëndësi dhe çfarë nuk duhet të diskutohet fare, po fare.

Nëse vajza do të ta trashëgonte një ditë profesionin, cila është këshilla e parë që do t’i jepje?

Misoni im i jetës është që të investoj në formimin e botëkuptimit të Bellës dhe t'i jap shumë dashuri. Unë vdes për shkollën, më pëlqen që të shoh Bellën në Harward, Oxford... Nuk e di a do doja të trashëgonte profesionin tim sepse bota në të cilën kam jetuar unë prej 15 vitesh dhe vazhdoj të jetoj nuk është shumë e pastër, e brishtë dhe relaksuse. Nuk do t'ja uroja (gjithmonë nëse nuk ka trashëguar talentin). Do doja ta shihja si producente, si një menaxhere të suksesshme, si një juriste të korporatave, diçka e tillë.

Cili është objektivi që i ke vënë vetes këtë vit, ka një projekt të madh që të pret?

Të jesh i pari është adrenalinë e paparë. Më pëlqen të mbaj këtë epitet edhe për ca vite me radhë. Po punojmë shumë në çdo departament të kompanisë tonë që të jemi gati për globalizimin e brendit që normalisht do shumë mund. S'kam qejf të vendos ndonjë synim sepse më pëlqen të sforcohem. Unë po punoj fort, të gjitha të tjerat janë aty pas derës, thjesht çështje kohe.

Credits:

Fotograf: Artan Korenica

Design: Xhesika Berisha