Ngrohja e ushqimeve të mbetura të një dite më parë jo vetëm që kursen kohë dhe para, por redukton mbetjet.

Është një praktikë e rëndësishme dhe mjaft popullore, sidomos nëse përgatisni sasi të mëdha ushqimi.

Megjithatë, nëse i ruajmë në mënyrë jo të rregullt, ushqimet e mbetura mund të shkaktojnë helmime duke rrezikuar shëndetin.

Shumë metoda të ngrohjes apo ruajtjes mund ta bëjnë ushqimin më pak të shijshëm dhe jo aq tërheqës për t’u konsumuar.

Për këto arsye, ju sjellim këtë artikull që mund t’ju ndihmojë t’i ruani ato siç duhet, duke i mbajtur të freskëta dhe të shijshme si ditën që i gatuat.

Rregulla të përgjithshme

1.Vendosini ushqimet në ftohje sa më shpejt (brenda 2 orëve) dhe konsumojini brenda 3-4 ditëve.

2. Nëse vendosni t’i konservoni për më gjatë (3-4 muaj), ato janë të shëndetshme për t’u ngrënë, por nuk ruajnë të njëjtën shije dhe paraqitje.

3. Para se të konsumoni ushqimet e ngrira / të vendosura në frigorifer, duhet t’i shkrini, dhe më pas t’i vendosni për t’u ngrohur.

4. Mund t’i ngrohni në mikrovalë, tigan apo furrë.

5. Përziejeni ushqimin kur ngrohet dhe vendoseni në një temperaturë të lartë zjarri / gradimi.

6. Mos i ngrohni ushqimet më shumë se 1 herë.

7. Mos vendosni sërish në frigorifer ushqime që janë ringrohur.

8. Shërbejini menjëherë pas ngrohjes.

 

Këshilla për ngrohjen

Bifteku

Mënyra e parë është ngrohja në furrë në temperaturën 120 gradë. Vendoseni mishin në një tabaka pjekjeje sipër telave të furrës, që mishi të ngrohet nga të dyja anët.

Lëreni në furrë për 20-30 minuta, duke e kontrolluar vazhdimisht. Kur bifteku të jetë i ngrohtë (jo i nxehtë) në qendër, e nxjerrim nga furra. E lyejmë me vaj ulliri ose gjalpë për ta bërë më krokante.

Nëse ju duhet një mënyrë më e shpejtë, atëherë përdorni mikrovalën. Para se ta ngrohni, lyejeni me një salcë për biftekun dhe spërkateni me pak vaj ulliri ose gjalpë.

Mbulojeni pjatën me kapak dhe vendoseni në nxehtësi mesatare.

Mishi i pulës dhe mishi i kuq

Mënyra më e mirë për të ruajtur mishin e pulës ose disa lloje të mishit të kuq është duke e ngrohur në të njëjtën mënyrë që e gatuam. Këto mishra kanë tendencën të thahen ose bëhen të fortë për t’u konsumuar.

Metoda e parë është ngrohja në furrë. Temperaturën vendoseni në 120 gradë dhe tavën lyejeni me vaj ulliri ose gjalpë. Pasi të vendosni mishin sipër, mbulojeni me një letër alumini që të mos thahet.

Kjo metodë merr rreth 10-15 minuta, por gjithmonë do të varet dhe nga sasia e mishit që po ngrohni.

Nëse do të përdorni mikrovalën, këshillohet që mishi të vendoset në një pjatë dhe të mbushet me një sasi të vogël uji, salce ose vaji. Të mbulohet me kapak dhe të ngrohet në një nxehtësi mesatare.

 

Peshku

Ashtu si për mishin, dhe për peshkun ndiqen metoda të ngjashme të ngrohjes.

Para se ta ngrohim në mikrovalë, e spërkasim me ujë ose vaj ulliri.

E mbulojmë me kapak dhe e ngrohim në nxehtësi të ulët në mesatare për 20-30 sekonda, duke kontrolluar që mishi të mos ngrohet shumë.

Nëse e ngrohim në furrë, vendosim gradacionin 120°C, e lyejmë me vaj ulliri / gjalpë ose e mbulojmë me letër alumini.

E ngrohim për 15-20 minuta, derisa qendra të jetë e nxehtë.

 

Orizi

Ringrohja e pilafit të gatuar një ditë më parë mund të jetë i dëmshëm për shëndetin nëse nuk konservohet e ruhet me kujdes.

Orizi i pagatuar mirë përmban spore të Bakterit Bacillus cereus, i cili shkakton helmim nga ushqimi.

Këto spore i mbijetojnë nxehtësisë dhe mund të shfaqen edhe pasi ta kemi gatuar orizin.

Për këtë arsye, këshillohet që pilafi të shërbehet i sapo gatuar dhe të ruhet në frigorifer brenda 1 ore pas gatimit.

mikrovalë, pjatës me oriz shtojini pak ujë dhe mbulojeni me kapak ose peshqir të lagur. Ngroheni në temperaturë të lartë.

Kur përdorni furrën, vendoseni në 150 gradë, mbulojeni me kapak ose letër alumini dhe ngroheni derisa të jetë i nxehtë./renatomekolli.com/