Ka mbetur edhe pak kohë që Almeda dhe Tolga të bëhen prindër për herë të parë. Gjininë e kanë zbuluar, emrin po ashtu dhe pas dy muajsh do të kenë në krah vogëlushin e tyre të parë. Këto muaj të fundit, Almeda ka ndarë edhe me fansat ndjesitë e pritjes së ëmbël, çdo emocion që po kalon gjatë kësaj periudhe, ndryshimet që ka pësuar në fizik, por edhe në gjendjen emocionale.

Në një bisedë të fundit me fansat në Instagram, Almeda ka postuar edhe disa pyetje specifike që ndjekësit kureshtarë i kanë drejtuar për këtë fazë të bukur të jetës.

Mes shumë pyetjeve që i drejtohen, Almeda ka rrëfyer edhe çastin kur mësoi se ishte shtatzënë. Siç tregoi ajo, kishte shkuar te mjeku për një kontroll rutinë. Ato ditë kishte pasur dhimbje koke dhe së bashku me Tolga-n vendosën të bëjnë një vizitë për të parë nëse dhimbja e kokës ishte thjesht një migrenë apo vinte nga diçka tjetër: “Ishte shokuese, por edhe lot lumturie në të njëjtën kohë…”

Edhe pak muaj dhe Efehan do të vijë në jetë. Derisa ai të përshëndetë botën, Almeda do ta shijojë deri në fund pritjen e ëmbël. Me streçet e zeza dhe bluzat e gjera, me disa kilogramë më shumë, me neps të tepruar për gjithçka e me gjithfarë gjërash që të “dhuron” shtatzënia. Por e lumtur që shumë shpejt do të ketë në krah engjëllin e saj të parë.