Menjëherë pas finales së madhe të Këngës Magjike, ku Flori Mumajesi triumfoi me çmimin e parë, “Plas” nisi të shpërthejë në rrjet jo vetëm nga fansat që vazhdojnë ta ndajnë baladën e ndjerë, por edhe kolegët nisën të publikonin një version të tyre të kësaj kënge. Ndër të parat që e bëri për vete menjëherë kënga e Florit ishte edhe Elhaida Dani. Ajo solli një version origjinal të këngës së Florit, të cilin ky e fundit jo vetëm e pëlqeu, por edhe e vlerësoi këngëtaren shkodrane.

Në profilin e tij, Flori postoi cover-in e Elhaidës duke e komplimentuar për origjinalitetin dhe stilin unik, ngjyrat e reja që ajo i dha baladës së tij.

Sot, pak javë pas asaj videoje të kantautorit të njohur, pak para se Elhaida të publikojë projektin e saj të ri, ka dashur t’i rikthehet atij momenti kur Flori ka dëgjuar me ëndje këngën e saj.

Pas pak do ndaj me ju një krijim timin të ri, por më parë dua të ndalem tek një ndër momentet më të bukura për mua të dy muajve të fundit... E kam parë këtë video nuk di se sa herë, thonë që kur punon me shume dashuri, të shpërblehet dhe reagimi i Florit mbi coverin tim në këtë video është më shumë sesa prisja si artiste…”

Pas kësaj, nuk vonoi as reagimi i Florit: “Elhaida Dani, dashuri….” – shkruan ai, si për ta theksuar edhe një herë vlerësimin për “Esmeraldën” shqiptare.