“14” është kënga e re e Eranda Libohovës, e cila është bërë publike vetëm pak ditë më parë. Balada, pika e fortë e Erandës, edhe këtë herë, vjen në kohën e duhur, me një mesazh dashurie vetëm pak ditë para festës së të dashuruarve. Me bashkëpunëtorët e saj besnikë, Pandi Laço për tekstin dhe Gent Myftaraj për muzikën, Eranda ka goditur në shenjë edhe këtë herë duke sjellë një këngë dedikim të gjithë fansave të saj, por edhe një këngë dedikim për të gjithë të dashuruarit.

E ftuar pasditen e sotme në “Rudina, në Tv Klan, Eranda tregoi se videoklipi i këngës, i realizuar brenda një dite, është si një minifilm me skena të shkurtra, të cilat janë realizuar në Tiranë.

Sa herë vjen radha e një klipi të ri, qëllimi i produksionit është të sjellë para publikut skena të paprekura dhe vende të pashkelura. Për këtë arsye, edhe Eranda këtë herë vendosi të hapë edhe dyert e shtëpisë së saj: “Është xhiruar në Tiranë dhe xhirimet janë bërë për një ditë. Skenat ishin të shkurtra, në vende që prekeshin afër, në bulevard, në një studio tattoo-sh, në një club të njohur, në një qendër estetike, është si një minifilm… Skenat më të gjata kanë qenë ato që janë xhiruar brenda, në ambientin e shtëpisë sime…”, – tha Eranda duke shtuar se arsyeja pse hapi derën e shtëpisë ishte sepse nevojiteshin vende të reja: “E kam përdorur edhe shtëpinë si studio televizive, sepse gjithmonë kërkojmë vende sa më të pashkelura dhe shtëpia ishte një ambient shumë i mirë për të xhiruar pjesën e skenave të çiftit kur kishin jetuar bashkë.”

“14” është një film për dashurinë dhe për të dashuruarit. Klipi është mirëpritur nga fansat, është përshëndetur nga ata dhe nga kolegët e Erandës që gjithmonë vlerësojnë melodinë dhe tekstin me të cilat ajo nuk dështon asnjëherë.