Një tjetër grua është bërë sot viktimë, teksa trupi i saj i pajetë është gjetur me shenja dhune dhe me tre plumba i hedhur në ferra në zonën e liqenit të Sharrës në Tiranë. Sipas të dhënave të fundit të Policisë së Shtetit është mësuar vetëm pak më parë identiteti i viktimës. Ajo është 45-vjeçarja me emrin Lirie Xhepa.

Gruaja dyshohet se është vrarë në një vend tjetër dhe më pas është hedhur mes ferrave, pranë liqenit për të humbur gjurmët e krimit.

Këto dyshime janë forcuar për faktin se mbi trupin e gruas së moshës rreth 45-vjeçare janë konstatuar tre plagë plumbi dhe në pjesën e kokës shenja dhune, që  dyshohet se janë shkaktuar nga goditja me mjete të forta.

Trupi i pajetë i gruas është gjendur fillimisht nga banorët e zonës, të cilët më pas kanë njoftuar policinë.