Reçipetat vijnë në modele dhe numra të ndryshëm, megjithatë është shumë e rëndësishme të dish se cili është tipi që të përshtatet. Ka disa modele që të propozohen nga markat e njohura e që të përshtaten sipas formës së gjoksit, por edhe të tjera që të bezdisin apo të lodhin herë pas here. Në varësi të prerjes, stilit, formës apo edhe masës, sipas këtyre trukeve do ta kesh më të thjeshtë për të gjetur modelin e duhur.

Julia Mercer, menaxhere teknike në linjën e rrobave të brendshme Marks & Spencer, ka listuar më poshtë disa pika kyçe që të ndihmojnë për të duhurat.

Numri i duhur. Investo në një linjë profesionale reçipetash, e cila të ofron të gjithë numrat e mundshëm, në mënyrë që të zgjedhësh pikërisht ato që të rrinë fiks sipas gjoksit, as më të mëdha dhe as më të vogla. Numri dhe forma e reçipetave është e para gjë që duhet të vëresh sa herë të blesh të reja. Nga këto dy elementë varet pastaj rehatia që do të ndiesh në trup. Të gjithë e dimë rehatinë që të japin kur reçipetat rrinë perfekt sipas formës së gjoksit.

Provo para se t’i blesh. Sigurohu që të provosh reçipeta më modele dhe numra të ndryshëm që të kuptosh se cila është perfektja, ajo që të rri më mirë dhe ajo që është më e rehatshme. Reçipetat duhet të të përshtaten, nuk duhet të të vrasin apo bezdisin. Po ashtu, sigurohu që rripat nuk të bezdisin në shpinë apo nuk të japin alergji. Në të kundërt, do të kesh probleme.

Shiko numrin e kupave. Edhe kupat duhet të jenë në masën perfekte të gjoksit, por njëkohësisht edhe të buta. Gjithashtu, sigurohu që të jenë të përshtatshme edhe kur mbi to të veshësh rroba të lehta e paksa transparente. Mënyra më e mirë për të provuar masën perfekte të kupave është të shtrish krahët lart. Pasi ta bësh këtë dhe reçipetat të qëndrojnë pa lëvizur, atëherë ai është numri i duhur.

Masa e duhur. Gabimi më i madh i shumë vajzave e grave është se shpeshherë nuk zgjedhin masën e duhur të kupave. Markat e ndryshme sjellin masa nga më të ndryshmet, por gjithmonë duhet të tregosh kujdes. Kupat duhet të mbulojnë plotësisht gjoksin. Si praktikë, bli një palë të reja çdo gjashtë deri në njëmbëdhjetë muaj, pasi madhësia mund të ndryshojë për shkak të humbjes ose shtimit në peshë.

Stili. Gjoksi me shpatulla të gjera duhet të kërkojë gjithmonë një stil reçipetash me rripa të fortë për një mbajtje të sigurt e të qëndrueshme. Një kornizë trupore më e imët me supe të vegjël mund të mjaftohet me reçipeta me rripa më të hollë.