Flori dhe Sadina Binaj janë nga çiftet më simpatike të botës së showbiz-it. Që nga fillimet e lidhjes së tyre e deri më sot kanë ditur ta mbajnë gjallë dashurinë dhe raportin e ngushtë me njëri-tjetrin dhe prej 15-vjetësh, kanë histori të panumërta për të rrëfyer. Sot, çifti ishte i ftuar në “Rudina” në Tv Klan për të treguar detaje nga historia e tyre e dashurisë.

Duke treguar fillimet e lidhjes, ngacmimet e para në Lice, propozimin në kinema dhe vitet e dashurisë në universitet, Flori dhe Sadina ndanë me publikun për herë të parë edhe sekretin e martesës së tyre të lumtur, respektin dhe besimin që kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë gjithmonë për njëri-tjetrin.

Prindër të dy fëmijëve, Krena dhe Glauk, Flori dhe Sadina nuk e kanë mbyllur me këtë pjesë. Siç rrëfyen ata nga studio e Rudinës, pak më vonë kanë në plan edhe për një fëmijë të tretë. Por, nëse Sadina ka më shumë dëshirë për t’i dhuruar Krenës një motër, për Florin, as kjo nuk mjafton: “E mira do ishte të ishin binjakë”, – tha ai me të qeshur duke shtuar se do të donte të ishin edhe katër, pse jo?

Krena dhe Glauk, nga sa duket, nuk do të jenë vetëm dy. Planet e prindërve janë që t’u dhurojnë atyre të paktën një motër ose vëlla.