Të gjithë ne kemi një histori me lulet...Dhe kjo nuk është një nga ato frazat e rrëmuara në librat për fëmijë e për vogëlushët që rriten me idenë e përkujdesit dhe dashurisë për to! Historia jonë me to është disi ndryshe...Për dikë, një buqetë me lule të freskëta dhe të bukura i kujton një person special! Për dikë tjetër, një moment nga jeta që nuk harrohet kurrë, e për shumë të tjerë një fantazi fantastike brenda një kopshti botanik me mijëra lloje lulesh dhe mix aromash që kutërbojnë në çdo anë. Por, kur me lulet atashohen individë të caktuar, për më tepër kur ato janë identitet, atëherë ndalemi një moment bashkarisht dhe mendojmë thellë!

Lulet vijnë si një gamë e pafundme zgjedhesh dhe mundësish, por për ato të dyja janë thjesht e vetëm emrat më të cilët i identifikojmë të gjithë ne së jashtmi! Ne që i shohim nga ekrani, në angazhimin e tyre të përditshëm në Ora News dhe në studion e emisionit investigativ Boom, por jo vetëm! Portretizimi i tyre si figura të njohura publike është më shumë se kaq! Është më shumë se emrat e luleve dhe përkatësia e identitetit që i dallon, është më shumë se dashuria dhe afiniteti që ato kanë me to! "Një Fior, Rose", e menduam titullin që në krye të herës dhe goditëm në shenjë! Sepse në intervistat e detajuara që ato kanë dhënë për Class, bashkë me detajet e pathëna më parë për miqësitë e armiqësitë, për familjet, projektet, për pasionet e çmuara dhe preferencat e rralla, Fiori Dardha dhe Rozana Radi vijnë për të parën herë në një profil ndryshe.

I kemi futur brenda një kopshti fantastik me lule të freskëta për t'i marrë emocionet e vërteta të një rrëfimi ndryshe! Dhe i "zhveshëm" emocionet me radhë, njësoj siç këpusim petalet e një trëndafili apo të një luleje çfarëdo për të zbuluar pak nga pak nga të gjitha përkatësitë dhe sferat e jetës së tyre.

Nga emisioni "Boom" që moderojnë suksesshëm prej disa kohësh, tek jeta private, partnerët e zemrës, tek dashuria dhe motivimi, tek pasionet dhe sakrificat, tek sublimja dhe shpirtërorja që ndërton secilën prej tyre. Një intervistë dhe rrëfim atipik i të dyjave!

Larg klisheve dhe shumë pranë realitetit dhe të prekshmes, "zbërthimi" i tyre në këtë intervistë të gjatë pa doreza, por plot të vërteta që u rrëfyen në një terren jo fort të zakonshëm dhe normal, por brenda një aureole fantastike ngjyrash, lulesh dhe aromash, i portretizon ndryshe këtë herë dyshen simpatike të ekranit, që ne i quajtëm thjesht, me emrat e tyre të luleve që i njohim të gjithë: Fior, Rosè!

 

Intervista Fiori Dardha

Fiori, cila është gjëja më e bukur që të ka ndodhur ty këtë muaj?

Djalit tim Abelit iu ndërruan dhëmbët e qumështit, ndërsa mbesës sime 10 muajshe Erës i dolën dhëmbët e parë. Ka më bukur?

Me 3 fjalë, si do të përshkruaje veten tënde?

E drejtpërdrejtë, e vërtetë, shumë e ndjeshme.

Forca jote më e madhe?

Familja ime.

Frika jote më e madhe?

Humbja e njerëzve të dashur.

Emri yt do të thotë lule. Ka ndodhur që dikush të të thërrasë me këtë emër, lule dhe jo Fiori?

Përgjithësisht më thërrasin Fiori, por disa familjarë edhe Alda, duke qenë se emri im i gjatë është Fioralda. Lule më thërrasin me përkëdheli disa nga shokët dhe shoqet e fakultetit.

Çfarë marrëdhënie ke ti me lulet? A i do? Kujdesesh për to?

As nuk i prek dot me dorë pasi jam alergjike ndaj tyre. Duket fati kam kompensuar pamundësinë e marrëdhënies me emrin. Gjithsesi, më pëlqejnë pafund lulet.

Lulet kanë edhe gjemba, dhe shpesh për të mbërritur tek delikatesa dhe aroma e këndshme duhet të prekësh gjembat. Ngjan edhe si filozofi jete, por realisht diçka serioze apo e vështirë që ka prekur jetën tënde, e për të cilën nuk je dorëzuar për asnjë moment cila është?

Një nga vështirësitë më serioze që kam kaluar në jetë ka qenë sëmundja e mamasë sime. Kam luftuar me të gjitha forcat e mia për të shmangur më të keqen dhe falë Zotit e përkushtimit të mjekëve, ia dolëm.

Fiori, përveçse gazetare, ti gëzon edhe një status tjetër: mama! Këshilla më e vlefshme që ti i jep djalit tënd Abelit çdo ditë?

Abeli është shumë i vogël për ti dhënë këshilla të mëdha. E këshilloj për gjëra të vogla, të përditshme. Jam e lumtur me të, sepse është një nxënës i shkëlqyer dhe premisat e tij janë që të bëhet dikush në jetë.

Ndihet në ajër në media që të gjithë flasin për jetën perfekte, për trupa perfekt, për veshje perfekte, bashkëshort dhe familje, e karrierë perfekte. Si ndihesh kur lexon apo dëgjon të tilla çështje?

Mendoj që përfektja nuk ekziston në tokë. Njeriu nuk është perfekt, pasi nuk ka lindur si i tillë. Kur lexoj të tilla gjëra mendoj se ngatërrojnë çastin me përjetësinë.

Gjëja e parë që fikson tek një njeri që e takon për të parën herë?

Sjellja. Është impakti i parë që më bën përshtypje në një prezantim.

Mund të jetë kaq perfekte jeta e një individi qoftë ai i famshëm ose jo?

Jeta e një individi të famshëm është e njëjtë me jetën e çdo qytetari.

Sa e do bashkëshortin?

E dua aq sa për të çuar jetën me të.

Për tradhtinë çfarë mendon? Do e falje?

Tradhëtia është problem psikologjik, social, individual dhe rrethanor. Në ditët e sotme po vriten familjarët për të tilla probleme, por unë nuk i përkas kësaj kategorie.

Dashuria e parë?

Në adoleshencë!

Intervista Rozana Radi

Udhëtimi i fundit që ke bërë?

Thonë që udhëtimet që bëjmë i jetojmë tre herë në jetë. Kur i ëndërrojmë, kur i jetojmë dhe kur i kujtojmë. Faleminderit që më solle në mendjen time gushtin e 2018-ës në një udhëtim të mrekullueshëm në të gjithë Jugun e Italisë. 

Ishe e shoqëruar apo vetëm?

Nuk e dimë asnjëherë kur do të mbetemi vetëm në këtë jetë ndaj mundohem gjithmonë të jem në shoqëri të mirë.

Çfarë të bën të qeshësh gjithmonë?

Një politikan që premton!

Dhurata më e bukur që ke marrë nga dikush?

Im atë më ka dhuruar librin e tij me një dedikim.

Filmi më i bukur i të gjitha kohërave sipas Rozana Radit?

"Il curioso caso di Benjamin Button"!

Teksti më i bukur i këngës i të gjitha kohërave sipas teje?

Këtu s'do jem (Dritëro Agolli)!

Befas ke ngecur në një ishull të shkretë dhe që të mbijetosh ty të duhet të zgjedhësh një ushqim. Cili është i preferuari yt e që kur nuk lodhesh së konsumuari?

Do jetoja gjithë jetën duke ngrënë sushi.  

Diamante apo perla?

Gjërat më reale në këtë botë pas bon sensit janë diamantet dhe perlat. Nuk do t'i ndaja.

Shampo e lirë apo e shtrenjtë?

90% e bukurisë së një gruaja është prerja e flokëve jo shampo!

Lulja jote e preferuar?

Trëndafili i kuq, lulja më e dashur e të gjithë poetëve.

A ka në shtëpinë tënde gjithmonë një buqetë lulesh të freskëta?

Është shumë e bukur për të qenë e vërtetë kjo në kohën që jetojmë.

Buqeta e fundit e luleve që ke marrë dhe kush ta ka dhuruar?

Vjet në premierën e komedisë “Çifti i çuditshëm"!

A është partneri yt person romantik, që të surprizon me dhurata e buqeta lulesh?

Kam preferuar ta mbaj larg vëmendjes së publikut partnerin tim. Dhe më duket një gjë e pa drejtë të flas për gjërat që ai bën apo nuk bën në raport me ne. Fakti që ai ka zgjedhur një person publik si unë sigurisht nuk e bën të padukshëm, por jeta më ka mësuar se gjërat tona duhet të jenë vetëm tonat. Duhet të mjaftoheni vetëm me Rozanën në skenë, jashtë skene preferoj t'i kem dyert e mbyllura.

Sa e do partnerin tënd?

Nuk e dua dashurinë me fjalë.

Për tradhtinë çfarë mendon? Do e falje?

Mendoj që një tradhtare ka pasur në të kaluarën e tij/saj mungesë të theksuar vëmendje dhe dashurie. Tradhëtia për mendimin tim është ves që vdes me shpirtin. E urrej atë shprehjen “vdis pa të të dua”.  

Dashuria e parë?

Hmmm më ktheve pas në kohë në adoleshencën time dhe dashurinë time të parë kur isha e  mbushur me energji dhe dashuri. Tani kam vetëm nostalgji për energjinë, jo për dashurinë.

Ashtu siç të dyja bashkë u bënë protagoniste të këtij misioni në realizimin e kopertinës në Class, edhe pse dy karaktere me tipologji të ndryshme, përpos gjithë ideve apo ndasive që i bëjnë ato të ndryshme nga njëra-tjetra, ne menduam se të përbashkëtat e tyre mund të ishin një tjetër pikë e fortë në intervistë. Ndaj, Fiori dhe Rozana vijnë në këtë intervistë me pyetje të njëjta, për të kuptuar edhe ne më shumë se ku realisht ato kanë gjërat që i ndajnë apo që i bashkojnë në botëkuptime, në jetë, në punë, etj!

Çfarë pëlqeni tek njëra-tjetra?

Rozi: Tek Fiori pëlqej mënyrën se si ajo punon! Fiori e dashuron punën që bën ndaj e bën shumë mirë atë. Nuk ndalon asnjëherë! Puna për të është si ato historitë e mëdha të dashurisë që bëhet gjithnjë e më e mirë kur vitet kalojnë.

Fiori: Më pëlqen sensi i humorit tek Rozi

A lani enët?

Rozi: Gjithmonë.

Fiori: I laj nga halli.

Pse ziheni ju të dyja?

Rozi: Duket e çuditshme, por ne nuk jemi zënë kurrë! Ne thjesht jami larguar, por kemi qenë gjithmonë aty për njëra-tjetrën.

Fiori: Grindemi për vogëlsira zakonisht.

A ka pasur një moment në studion e "Boom" që situata ju ka dalë jashtë kontrrollit dhe si e keni kthyer gjithçka në normalitet?

Rozi: Ka gjithmonë! Por, kur ndizet ajo drita e kuqe e kamerave harrojmë gjithçka.

Fiori: Ku punohet dhe gabohet dhe tensionohet situata. Sigurisht që ka patur situata të ndezura, por sapo ajo sqarohet gjithçka kthehet në normalitet. Asgjë personale.

Në dukje të parë ju nuk jeni shembulli i të kundërtave që të tërhiqen, por i dy të ngjashmeve që nuk bëjnë dot pa njëra-tjetrën. Pikat tuaja të forta të përbashkëta?

Rozi: Ka shumë! Nuk kemi frikë të kërkojmë atë që duam. Nuk na frikëson fakti që jemi gra. Nuk kemi frikë të ngremë zërin . Dhe më kryesorja, nuk kemi frikë të plakemi.

Fiori: Të kuptuarit e njëra-tjetrës. Në tashmë dimë të komunikojmë dhe pa tekst.

Po ndasitë? Ku mendoni ndryshe ju të dyja?

Rozi: Kemi karaktere të ndryshme dhe sigurisht kemi dhe ide të tjera të ndryshme, por kemi gjetur takim në një të mesme.

Fiori: Tek orientimi i interesave. Ajo çka është e rëndësishme për mua, nuk është për Rozin dhe anasjelltas.

Fakti që ndani një pjesë të madhe të kohës bashkë, për shkak të angazhimit në Ora News, e bën më të fortë miqësinë tuaj apo ka raste që edhe mërziteni nga njëra-tjetra?

Rozi: Unë mendoj që nuk rrimë aq shumë bashkë sa rrinim në Liceun Artistik. Tani Fiorin e ke pas një kompjuteri ose duke dëgjuar lajmet. Mbaj mend një shprehje që e thonte shpesh im atë: “Sado larg të jenë miqtë e vërtetë janë të vetmit që të tregojnë kur bëhesh pis në fytyrë"!

Fiori: Ka raste kur grindemi, madje dhe nuk flasim, por gjithçka e përkohshme.

Çfarë do donit të ndryshonit tek njëra-tjetra?

Rozi: Mëngjeset e punës kur pa thënë ende mirëmëngjes e kupton fare mirë që është e tensionuar. Do doja të ishte Fiori e orëve të drekës jo e mëngjesit.

Fiori: Nuk di çfarë do të donte të ndryshonte Rozi tek unë, por unë tek ajo nuk do të doja të ndryshoja gjë. Po të ndryshonte sipas shijeve të mija, nuk do të ishte më vetvetja.

Skandali më i madh që ju është dashur të bëni publik në emisionin investigativ "Boom", cili është? Si e keni pritur?

Rozi: Bëjmë një punë të vështirë për vetë faktin e profilit që ka emisioni BOOM. Tema të vështira ka çdo ditë. Por, ne kemi zgjedhur këtë profesion dhe jemi aty për të qenë zëri juaj.

Fiori: Çdo ditë në redaksinë e "BOOM" vijnë me dhjetra denoncime. Ne si staf jemi të lumtur që qytetarët shqiptarë besojnë tek "BOOM"! Skandal është edhe kur i mohon kempin një të sëmuri sepse nuk të ka ofruar para, edhe kur mbahet një qytetar padrejtësisht në burg, edhe kur abuzon me fondet e një institucioni, edhe kur shpërdoron detyrën që të është besuar, edhe kur shkel proçedurat e tenderave, edhe kur i mohon shërbimin një qytetari. Të gjitha këto skandale vijnë çdo ditë në "BOOM". Kemi fatin që emisionin e realizojmë në RTV ORA, ku mbështetja e Presidentit Ylli Ndroqi, e drejtoreshës së përgjithshme Mariam Ndroqi dhe e gjithë ekipit nuk na mungon në asnjë moment.

A keni komplekse?

Rozi: Jo, jo kompleksi nuk bën pjesë në karrierën time.

Fiori: Si çdo njeri edhe unë kam komplekset e mia. Ndoshta mund të rregulloj diçka në paraqitje, pasi nuk i kam bërë sefte ende këto ndërhyrjet estetike.

Si dy figura publike me gjasë që keni edhe miq të ngushtë në radhët e arstistëve e të famshmëve shqiptarë. Po, ndonjë person me të cilin nuk flisni apo keni armiqësi?

Rozi: Nuk kam miq të ngushtë artistë, por kam kolegë shumë të mirë. Mes tyre ka dhe nga ata që i kemi ndërprerë marrëdhëniet, po nuk do të thoja armiqësi.

Fiori: Armiqësi nuk mund të them, por antipati po. Jetojmë në hapësirë të vogël ku gjithkush njeh këdo dhe përshtypjet ndonjëherë krijohen nga fjalët, pa e njohur aspak tjetrin. Kështu ndodh rëndom.

Credits: 

Fotografia: Orsola Mema

Design: Xhesika Berisha

Lulet: Floral Fantasy