Nesër mbrëma është nata e tretë dhe aventurierët e vegjël të anijes së Piter Panit ia morën dorën gazetarisë, madje nuk e kanë fare siklet të bëjnë edhe pyetje pikante për personazhet e ftuar. Xhejsoni, me fjalët e veta ende të paqarta, ka bërë për vete publikun qysh natën e parë, por edhe Deoni, Vivien, Amaris, Edelina e të gjithë të tjerët janë po aq të gatshëm për të thumbuar këdo që ulet para tyre.

Po cilët do të jenë në kurthin e anijes këtë javë?

Irma Libohova

Këngëtarja e madhe e skenës që jo vetëm nuk njeh moshë, por nuk njeh as pushim nga skena. Që nga fillimet e saj në skenën e festivaleve e deri sot, Irma numëron me dhjetëra këngë hite që akoma i këndojnë brezi i saj e gjithë të rinjtë e ditëve tona. Protagonistja e festivaleve të fundvitit, fituesja e shumë çmimeve, e zgjedhura e shumë festave e gëzimeve familjare, sot jeton me dhe për këngën. Gjyshja e Lules, me siguri, do të ndajë me fëmijët dhe me publikun edhe histori të ëmbla me mbesën dhe kohën që ndan me të. Mos e humbni nesër Irmën…

Bes Kallaku

Ishte vetëm 18 vjeç kur u bë pjesë e ekranit dhe e spektaklit të humorit “Portokalli”. Për vite me radhë provoi disa personazhe me të cilat më vonë edhe do të identifikohej. Pas një dekade në “Portokalli”, Besi është bërë pjesë e “B & E Caffee” në Tv Klan, së bashku me Erion Isain dhe Olsi Bylukun.
Gjithashtu, Besi e ka provuar veten edhe në këngë. Disa bashkëpunime të tij me këngëtarë të njohur të skenës, si Klajdi Haruni, Ylli Baka etj., janë ndër këngët më të pëlqyera e të kërcyera të clubeve. Tani që është bërë baba, Besi ka edhe shumë histori për të rrëfyer për vajzën  e tij, Ajkën, dhe Xhensilën në rolin e nënës. Me siguri, edhe për Besin, fëmijët kanë rezervuar disa pyetje pikante.