“Grand Palais” në Paris është shndërruar sërish në një skenografi madhështore në sfilatën e fundit të Chanel, të konceptuar nga Karl Lagerfeld. Në një ambient malor të mbuluar me shtëpi e pemë dimërore, pasarela e Chanel prezantoi në mënyrën më kreative, koleksionin e sezonit të ri vjeshtë- dimër 2019-2020! Mes ngjyrave të hapura e të ndezura, të bardhës dhe të zezës që nuk mungon kurrë, kjo sfilatë solli disa trende që nuk duhen humbur!

Në listën e mëposhtme kemi përmbledhur 5 tendencat që përkufizojnë shkurt modën në sezonin e ardhshëm!

Dominanca e ngjyrave klasike të markës, bardh e zi
Nëse ka dy ngjyra që nuk mungojnë kurrë në koleksionet që Chanel propozon, ato janë definitivisht e bardha dhe e zeza, pa lënë mënjane dhe kombinimin epik mes tyre. Mes vijash, kuadratesh dhe dhjetra dizajneve të firmosura nga marka e njohur, këto dy ngjyra dëshmojnë në mënyrën më fine elegancën e pakohë që i karakterizon.
Veshjet në material stofi
Materiali i stofit është gjithashtu një element që e kemi parë në koleksionet e markës Chanel, që prej viteve ’80. Si një material që përshtatet më së miri me dizajnin e xhaketës ikonë të Chanel, stofi sjell bukur edhe ndërthurjen e ngjyrave dhe elementeve që i bëjnë këto veshje të veçanta. Xhaketat, palltot, por edhe fustanet në këtë material do të mbizotërojnë vjeshtën dhe dimrin e ardhshëm!
Kostumet në ngjyra të ndezura
Që prej viteve ’90, stili i markës Chanel filloi të sugjeronte më shumë energji nëpërmjet ngjyrave dhe stileve rinore. Sot, në sfilatën e fundit për sezonin vjeshtë- dimër shohim tendencën e ngjyrave të ndezura edhe pse nuk po flasim për stinën e pranverës ose të verës. Me një kombinim perfekt mes stilit dhe materialit, Chanel sapo na konfirmoi se dimri i ardhshëm do të ketë më shumë diell!
Veshjet në material PVC
Edhe pse materiali i lëkurës PVC nuk është më klasiku i mundshëm, në koleksionin Chanel veshjet në këtë stil duken shumë elegante. Pantallonat e lëkurës, xhaketat dhe pardesytë tregojnë një tendencë të re!
Xhupat “puffer”
Shumë sportivë për të qenë Chanel? Gaboheni! Koncepti “Chanel” me stilin e ri të vjeshtës e të dimrit është më pranë vajzave të reja dhe më afër ngjyrave plot jetë.