“Gusht – portret familjar” është një shfaqje interesante: e bukur për nga ambicia artistike që shpërfaq, e pastër për nga formulat teatrore që aplikon, e plotë dhe e saktë, si për nga skenografia ashtu edhe për nga përdorimi i duhur ielementeve tjera mbështetëse të domosdoshme për anatominë e një shfaqjeje. Por shfaqja e Spiro Dunit, që për më tepër është realizuar si një produksion i Teatrit Kombëtar në Tiranë, përbën edhe një rast të mirë reflektimi për të gjitha ato gjëra që mbase duhet të ndryshojnë në teatrin shqiptar të ditëve të sotme.

Teatri Kombëtar ka shumë të drejtë në ambicien e vet që në skenë të sjellë veprat më të mira të dramaturgjisë botërore, por një vepër e shkruar mirë dhe që është dëshmuar në skena të ndryshme botërore jo domosdo nënkupton një parakusht për sukses. Kasti i mirë i aktorëve dhe potenca që ata tregojnë në skenë (siç ishte rasti me këtë shfaqje) po ashtu jo domosdo është parakusht i mjaftueshëm që një shfaqje të përmbushë misionin e vet. Nëse regjisori nuk e gjen formulën që një vepër të caktuar nga dramaturgjia botërore ta kthejë në një pasqyrë reflektimi për një nga sfidat e përditshmërisë sonë, atëherë përkundër saktësisë e pastërtisë teknike, përkundër potencës së aktorëve, shfaqja nuk do të arrijë që të nxisë as edhe dromca katarzi, një nga funksionet dhe qëllimet themelore të teatrit.

Vepra “August: Osage County” e Tracy Letts, e përshtatur në shqip si “Gusht – portret familjar”, ka një kontekst tipik amerikan.Një rrëfim tragjikomik që ndërtohet mbi një intrigë dramatike që zhvillohet brenda asaj që autori e përjeton si absurdi i përditshmërisë me të cilën duhet të ballafaqohet shtresa e mesme amerikane. Një tragjedi moderne që brenda intrigës së vet përmbledh esencën e tragjedive të vjetra, të ritreguar nëpërmjet plag është jetës moderne (incesti, aferat, gojët e këqija, ngacmimet seksuale, etj)  që tashmë kanë tejkaluar kontekstin e jetës perëndimore dhe sot na prekin të gjithëve. Një lexim sipërfaqësor i veprës mund të ngelë i kurthuar vetëm përbrenda kontekstit tejet amerikan që ka kjo vepër, por një lexim më i kultivuar do të nxjerrë në plan të parë situata dhe intriga që janë shumë aktuale për realitetin e sotëm shqiptar, d.m.th shumë mundësi regjisoriale për ta jetësuar në skenë.

Familja Weston nga Oklahoma, subjekti i dramës së Tracy Letts, fare lehtë mund të jetë një nga shumë familje të sotme shqiptare të lodhura nga dështimet e njëpasnjëshme, por edhe nga përpjekja që të ruajnë imazhin e tyre para botës. Problemi i incestit, aferat dhe skandalet ndryshme që dihen dhe heshten nga të gjithë, ngacmimi seksual dhe mosgatishmëria për ta raportuar dhe luftuar atë, janë vetëm disa nga nuancat e intrigëssë kësaj vepre që sot janë kthyer në një pjesë përbërëse të kronikës së përditshme shqiptare. Familja Weston përbën një mundësi për të ndërtuar një reflektim artistik mbi të gjitha ato lloj gjërash që nuk funksionojnë te një familje e sotme shqiptare, po ato gjëra që më pas shpërfaqen si një hije e zezë që rëndon mbi të gjithë ata që preken prej tyre.

Spiro Duni, një emër i madh i botës së teatrit shqiptar, me këtë shfaqje ri-dëshmon qëështë një njohës ekselent i anatomisësë teatrit, por, përkundër ambicies së tij që të tronditë publikun, leximi besnik që ai i ka bërëkësaj drame të Tracy Lettsështë kthyer në instrument frenues që shfaqjen e pengon nga brenda. Natyrisht ky detaj i analizës është pjesë e një debati më të gjerë e më kompleks, por megjithatë duhet thënë që te kjo shfaqje, duke i qëndruar në tërësi besnik si linjës dramatike të veprës së shkruar ashtu edhe të kontekstit burimor që ka paracaktuar autori i veprës, regjisori është bërë autor i një pafuqie, të koduar mes pamjesh që ia lëshojnë vendin njëra tjetrës, që ne, si publik, të mund të identifikohemi me situatën apo ndonjë nga personazhet në skenë. Në disa pjesë, shfaqja sikur ka humbje të ritmit dhe lë përshtypjen e diçka të tej zgjatur, pikërisht për shkak që regjisori nuk e ka vlerësuar të nevojshme që të eksplorojë formula shtesë që mbase do të mundësonin që pjesë të caktuara të kësaj vepre të ndërlidheshin në mënyrë më të qartë meshumësituata nga përditshmëria jonë, po njësoj tragjikomike si ajo e familjes Weston.

Problemet njerëzore janë universale, pak ka rëndësi nëse janë amerikane apo çfarëdo, por mënyra si njerëzit dhe popujt e ndryshëm i përjetojnë ato nuk janë të njëjta. Është detyrë e regjisorit që kontekstittë dhimbjeve, traumave, dilemave sfidave të caktuara, të përkufizuara nga autori i veprës së shkruar,t’i bëjë një përkthim artistik, gjegjësisht ta bëjë të kuptueshëm për kontekstin shoqëror të publikut të vet, në këtë rast të publikut shqiptar. Në teatrin e botës së lirë nuk ekziston diçka si “autori nuk jep zgjidhje” apo “autori e lë të hapur zgjidhjen” e të ngjashme, me të cilën jo rrallë herëe pozicionojnë veten regjisorët shqiptarë. Këto janë të gjitha mbetje të logjikës së ngulitur nga realizmi socialist, kur artistët nuk guxonin të mendonin për mesazhe përtej asaj që caktohej nga lart, një mënyrë e të menduarit që akoma rëndon si hije mbi teatrin dhe dramën shqipe. Tragjedia e familjes Weston - përmbysja e ngadaltëqë vjen nga brenda kësaj familjeje, të kthyerit në armik të vetvetes, ikja si shpëtim i vetëme mbi të gjitha pafuqia për tëdal nga rrethi vicioz – është ZGJIDHJA mbi të cilën çelen horizonte për të ndërtuar një mesazh apo gjetje specifike. Fati i familjes Weston është pasqyra ku fare lehtë mund të shohim veten, familjet tona, qoftë në të tashmen apo në fund të rrugëtimit tonë, gjithnjë nëse vazhdojmë të heshtim problemet, nëse vazhdojmë të kurojmë imazhin edhe pse nga brenda jemi të kalbur.

Kjo shfaqje më ka nxitur të mendoj që mbase ka ardhur koha që ne, si artistë të teatrit, kritikë apo thjesht dashamirës të teatrit, duhet të zhvishemi pak nga ngarkesa e tepruar teknike që rëndon mbiqasjen e një profesionistitë teatrit, në mënyrë që të mund të afrohemi me mënyrën si një shfaqje përjetohet nga publiku, gjegjësisht përpjekjen dhe dëshirën krejtësisht intime të një pjesëtari të publikut që të identifikohet me diçka nga ajo që zhvillohet në skenë. Nëse publikut ia pengojmë identifikimin me atë që ndodh në skenë atëherë sado e arrirë, në aspektin teknik, të jetë shfaqja, ajo ka dështuar në misionin e vet themelor – të jetë në shërbim të publikut dhe jo vetëm në shërbim të një grupi të vogël egocentrikësh të veshur me petka kritikësh.Si dashamirës i teatrit besoj fuqimisht se regjia nuk është vetëm demonstrim njohurish dhe i saktësisë teknike, por mbi të gjitha është ide,një qëllim i detajuar deri në imtësidhe i fuqizuar me dromca çmendurie të guximit. Pa këtë nuk mund të ketë as pritshmëri reale që publiku do të arrijë të identifikohet me diçka nga ajo që prezantohet në një shfaqje.

Teatri Kombëtar, regjisori dhe i gjithë kasti me të drejtë, mund të jenë krenarë për shumëçka që shfaqja “Gusht – portret familjar” prezantoi, por, në vlerësimin tim modest, duke marr shkas pikërisht nga kjo shfaqje, Teatri Kombëtar, por edhe i gjithë komuniteti teatror,duhet të reflektojë për atë se mbase ka ardhur koha që të ngulmohet për një qasje regjisoriale më dinamike, një qasje ku regjisori merr përgjegjësi të plotë mbi mesazhin që synon të përçojë në skenë, në mënyrë që të trazohet sado pak letargjia dhe mposhtja para të keqes që na kapur të gjithëve.

(Autori është dramaturg dhe shkrimtar. Ky reflektim është krejtësisht personal)