1. Origjina e Ditës së Verës vjen nga lashtësia. Ajo është festë arbëreshe e trashëguar në veçanti nga qytetarët e VALMâ?it Elbasanit (Skampa e lashtësisë) dhe festohet gjithmonë më 14 Mars.

2. Dita e Verës, e njohur si festa e ripërtëritjes së natyrës dhe e vazhdimësisë së jetës, është sot festë kombëtare dhe festohet kombëtarisht si e tillë.

3. Mëngjesi i 14 Marsit – Të gjithë zgjohen me të njëjtën lutje: Inshalláh është kohë e mirë! Rituali vijonte me përgatitjen nga i zoti i shtëpisë të pjatave për të bërë kamë (këmbë) te të afërmit etj. Këtu hynin pilafi me gjel, ballokume ose revani, vezë të ziera, arra, palë dhe 2-3 bisqe me lule, zakonisht lule misiri, që në Elbasan çelin herët.

4. Kulti i kësaj dite të shenjtë “tempullin” e vet e ka pasur qëmoti në trevat e Elbasanit, pasi në këto anë ndodhej faltorja e Zanës së Çermenikës (Diana Candaviensis). Në kohët e lashta perëndesha Diana mbahej si hyjnesha e gjuetisë, pyjeve dhe e gjithë natyrës. Ajo adhurohej jo veç në hapësirat ilire, por në mbarë brigjet mesdhetare. Statuja të saj janë gjetur jo veç në Apolloni, por dhe në brigjet e Afrikës Veriore e në Azi të Vogël.

5. Fakti që një festë mistike e natyrës, u ruajt në qytetin e Elbasanit dhe u përcoll “e pastër” deri më sot, pavarësisht tallazeve historike, ideologjike e fetare, përbën një krenari dhe pasuri gjithëkombëtare.

6. Shenja dalluese e këtij festimi është gatimi i ballokumeve. Ndërsa në Lezhë Ditën e Verës ndizeshin zjarre purifikues e për t'i dhënë forcë diellit në oborr e në kopshte. Nga gratë bëheshin rite magjike e kundër qenieve të tjera dëmtuese, grabitëse.

7. Më 13 mars njerëzit marrin një tufë të vogël bari të njomë bashkë me rrënjët dhe dheun, që ta kenë në mëngjesin e datës 14 Mars në shtëpi. Ky zakon i lashtë ruhet dhe festohet jo vetëm në Elbasan, po edhe në Dibër, Strugë e Prespë.

8. Dita e Verës ishte dita e fillimit të vitit sipas kalendarit shumë të lashtë të shqiptarëve, pra një ditë që kremtohej shumë shekuj para se të lindte krishterimi. Ajo kremtohej me 1 Mars të kalendarit Julian, ditën e parë të vitit të ri (sipas kalendarit Gregorian, 14 Mars).

9. Populli iranian (themeluesit e kësaj feste) e festojnë më 21 mars, sepse pikërisht në këtë datë fillon stina e parë e pranverës, pikërisht në këtë datë fillon shenja e parë astrologjike, Dashi, që është shenje zjarri, prandaj simbol i kësaj feste është zjarri.

10. Edhe pse kjo festë ndodh në pranverë, në kohët e lashta njiheshin vetëm dy stinë: Vera, e cila niste në mars dhe mbaronte në shtator, dhe dimri, nga shtatori në shkurt. Pra, nga ana shkencore kjo festë duhet të festohet me datën 21 mars, sepse në atë kohë dita dhe nata janë barazim.

11. Shumë vite më parë, në Elbasan festa kishte përmasa të mëdha. Një muaj më parë, por dhe më herët, sigurohej gjeli i detit, i cili së bashku me ballakumen dhe revaninë përbëjnë nishanet më përfaqësuese të festës. Gjeli i detit ka qenë tradicionalisht pjesë e Ditës së Verës. Gjeli ushqehej me shuka që të ishte i madh, i majmë, me pendë të shkëlqyeshme dhe “i fortë”.

12. Pas kësaj date, hynte mbretëria e Diellit (zotit të lashtë pagan), dita fillonte të zgjatej dhe Dielli dukej përherë e më shumë.

13. Shumë kohë me përpara kjo festë festohej edhe më 1 mars, sepse marsi ishte muaji i parë. Sot, ne të gjithë përdorim kalendarin gregorian, i vendosur nga papa Gregori, ky është kalendar i bazuar te Dielli.

14. Mëngjesin e Ditës së Verës kryhej dhe një rit tjetër disi i pazakontë. Djem të vegjël dilnin herët në mëngjes dhe i binin çekiçit të derës (familjeve jo farefis). Në qoftë se nga brenda dëgjohej thirrja: – Kush asht? – atëherë djali niste vargjet:

“Marrsh morrat e pleshtat,

Gjumin e sabahut

Ethet e verës

Me çekiça derës”

Simbolika e këtij riti ishte që i huaji të largonte të ligat nga dera e tij, për t’ia lënë derës tjetër.