Gjatë javës së shkuar kam marrë mjaft mesazhe nga vajza të reja për pakënaqësitë e trupit të tyre dhe se si këto të fundit nuk i lejonin të kishin motivimi e vullnetin për të kuruar veten e tyre, për t’u ndjerë më mirë. Ç’është më e rëndësishmja, këto pakënaqësi ju kishin akumuluar një gjendje stresi e ankthi dhe për ta shfaqur veten në ambiente të ndryshme, si pishina dimërore apo qoftë dhe veshja e një fustani me linja pas trupit.

Por a ia vlen gjithë ky stres?

Të jem e sinqertë dhe unë, ashtu si të gjithë, e kam kaluar këtë fazë, madje disa herë. POR dua të theksoj se ndryshe nga vitet e kaluara, këtë herë e më shumë jam e vetëdijshme që stresi jo vetëm që nuk më ndihmon, por më ndalon të arrij qëllimet e mia gjatë stërvitjes, qoftë për të shtuar bazë muskulare, apo për të humbur pak dhjamë. Duke dëgjuar trupin tënd e kupton se je duke bërë diçka gabim, e megjithatë shkenca ka përgjigje për të gjitha, nëse as eksperienca nuk ju duket argument i fortë.

STRESI JU PËRKEQËSON situatën nëse doni të keni trupin që dëshironi SEPSE:

Stresi ju shton urinë.

Ngrënia nga ky lloj stresi është një lloj ushqimi emocional, i cili kontribuon në kaloritë e tepërta dhe kur kjo bëhet e shpeshtë shkakton shtim në peshë. Përveç kësaj, këta lloj njerëzish ndjejnë kryesisht nevojën e një ushqimi me yndyrë dhe sheqer të lartë. Por jo të gjithë e kalojnë stresin me uri. Ka nga ata njerëz që kur janë në stres, humbasin oreksin dhe si rezultat humbasin peshë.

Si ndikon kjo?

Kjo humbje në peshë sigurisht që konsiderohet si JO E MIRË. Për ata njerëz që humbasin “peshë nga oreksi i tyre” është shumë e dëmshme për shëndetin dhe mund të shkaktojnë dehidrim, dobësi dhe shtyp sistemin imunitar.

Përgjithësisht : Shëndeti ndikohet negativisht dhe sigurisht nuk do të jeni të fuqishëm mjaftueshëm për të kryer çfarëdo lloj aktiviteti fizik = Nuk do të mundeni dot të ushtroheni në palestër për ato muskuj barku dhe vithe që do i donit aq shumë këtë verë.

Stresi i shkakton trupin që të prodhojë më shumë Hormon Cortisol

Kortisoli është një hormon stresi që nxit yndyrën e trupit dhe e bën të vështirë humbjen e peshës, sidomos rreth stomakut. (Po po, stresi na largon nga muskujt abdominal që i duam aq shumë t’i kemi në plazh..)

Kur një person është i stresuar, fle më pak.

Më pak gjumë? Lodhja kronike shkakton rritjen e hormonit Ghrelin. Ghrelin është hormoni kryesor i urisë dhe rritja e tij bën që njeriu të “ndihet” i uritur edhe kur nuk ka nevojë për të ngrënë.

Po e sforconi shumë veten në palestër..

Trupi juaj ka nevojë për një balancë të stërvitjes dhe pushimit për t’u rikuperuar, për të qenë në një formë të shëndetshme. Duke bërë ushtrime shumë të sforcuara për ju, e parandaloni trupin të djegi dhjamin e tepërt. Për më tepër, sforcimi fizik pa pushimin e duhur, perceptohet nga trupi juaj si stres. Dhe këtu sërisht, rrit nivelin e Cortisolit në trupin tuaj, që con në “magazinimin” e dhjamit përqark zonës së barkut. Ja pse shpesh u sugjeroj miqve të mi se nëse kanë probleme me stresin për të arritur një formë trupore të dëshiruar, një hile e mirë do të ishte (përveç, sigurisht të shijojnë stërvitjen e tyre si mënyrë zbavitje, sesa si qëllim për humbje në peshë), të mundoheni të mos shihni shumë trupin tuaj në pasqyrë për ca kohë, pasi do të keni tendencën e kritikimit dhe... do të akumuloni stres.

Si përfundim: MUNDOHUNI TË MOS STRESOHENI

Dhe tani mbërijmë në pikën ku unë nuk do të mundem dot t’ju jap një zgjidhje konkrete dhe kjo pasi jo të gjithë njerëzit i përjetojnë njësoj gjërat e sidomos; kur bëhet fjalë për stresin, shkaktarin e shumë sëmundjeve përgjatë viteve. Unë sigurisht që nuk jam psikologe, por do të ndaj me ju diçka personale që mbase mund t’ju ndihmojë. Të pranosh veten nuk do të thotë të mos bësh asgjë për të përmirësuar pamjen tuaj fizike. Përkundrazi, do të thotë të biesh rehat në trupin ku jeton duke kërkuar më shumë çdo ditë. Pse? Sepse atëherë ti je e/i vetëdijshëm që po punon për ta përmirësuar atë çdo ditë (nëpërmjet ushqimit të shëndetshëm apo palestrës), dhe kjo gjë patjetër që do japi një rezultat ndryshe. 

E shikon? Duke bërë këtë ti dalëngadalë fillon të biesh rehat me ndjesinë e përkujdesjes ndaj trupit tënd. Fillon të thuash “DUA të iki në palestër” dhe jo më “DUHET të iki në palestër” , “NUK DUA ta ha këtë çokollatën” dhe jo më “S’DUHET, po hajde ta ha një copë”. Kur ky moment vjen do të ndiheni vërtet të pranuar nga vetja. Dhe nuk ka lumturi më të madhe se kjo, dhe lërë pastaj kur sheh rezultatet në pasqyrë..

“Trupi juaj është i vetmi vend ku ju do të jetoni përjetësisht, kujdesuni për të! ”

LOYALTHY by Adela Osmani