U bënë 2 vjet tashmë që kur Bora Zemani i ka dhënë fund marrëdhënies së saj me Dj Vinin, me të cilin ka edhe një djalë, Arbori. Megjithëse nuk ishte periudhë e lehtë ajo pas kësaj ndarjeje, për Borën rritja e Arborit ishte ngushëllim, sepse mendonte sa sapo të rritej edhe pak, ajo do ta kishte më të thjeshtë për të ekuilibruar kohën mes tij dhe punës. Por nuk është tamam kështu. Ndonëse i vogël, Arbori ka nisur t’i kërkojë llogari së ëmës, “ku shkon”, “me kë?, “pse?”, “kur do kthehet?” e pyetje të tjera të kësaj natyre, të cilat, moderatorja e njohur e ekranit, më herët nuk i kishte menduar:

“Është deri diku e vërtetë, mendova që edhe pak sa të rritet, do ta kisha më të thjeshtë me të, sepse do kisha më shumë hapësirë, por jo. Sa më shumë rritet Arbori, aq më shumë rritet kërkesa e llogarisë ndaj meje, nuk mendoja se nuk do ishte kështu”, - tha Bora sot, në “E diell”.

Gjithashtu, Bora zbuloi se do të kthehet në ekran shumë shpejt me dy projekte; i pari është në formën e spektaklit, ndërsa tjetri, pa zbuluar shumë detaje, është një format që do t’i pëlqejë shumë publikut.

Por u përball edhe me pyetje rreth divorcit të dy viteve më parë, për të cilin, ndonëse jashtë dëshirës së saj, u përfol shumë në media e portale.

E pyetur si ndihet sot pas atij raporti që për të nuk ishte e lehtë, ajo tha: “Janë gjëra që ndodhin, duhet pranuar. Nuk duhet parë si gjë e tmerrshme…” – tha ajo, por pas pyetjes nëse e shikon si dështim të saj divorcin, ajo konfirmon: “Dështim ok, deri diku është dështim, nëse i referohem mënyrës se si unë u edukova dhe e imagjinoja jetën. U zhgënjeva me veten, sepse unë vetë jam rritur me një familje ku prindërit e mi janë marrë me dashuri e që po me të njëjtën dashuri më kanë rritur mua dhe vëllain. Mendova se edhe për mua kështu do të ishte…”

“Atë periudhë e kam vuajtur shumë. Gjithmonë e kisha imagjinuar që edhe vetë do të kisha një familje si ajo që isha rritur, por ky ishte mësimi që mora dhe nuk është e thënë që gjërat të shkojnë gjithmonë sipas planeve të parashikuara.”