Prej një kohe të gjatë ndajnë jo vetëm të njëjtin profesion, pasion për modën, por edhe banesën në Amerikë. Adrolën dhe Kristinën i keni parë në shumë sete fotografike me njëra-tjetrën, madje edhe komentuar për ngjashmërinë e tyre, e cila me vitet është bërë edhe më e madhe, por ndoshta nuk e keni menduar ndonjëherë se dy mikeshat e ngushta, mezi do të prisnin një ditë si e sotmja për t’i nxjerrë të palarat njëra-tjetrës, publikisht madje.

Të ftuara pasditen e sotme në “E Diell” në Top Channel, Adrola dhe Kristina, natyra sa të ngjashme, aq edhe të ndryshme, thanë se si çdo miqësi, edhe ajo e tyre ka “sherre”. Për Adrolën, Kristina është vjehrra e keqe, ajo që ia shkatërron nervat me vonesën e jashtëzakonshme, ndërsa për Kristinën, Adrola është ndër njerëzit që ha jashtëzakonisht keq. Dhe të kesh parasysh faktin që është modele, situata bëhet edhe më e vështirë. 

Pa iu dredhur qerpiku, Kristina i tha publikisht të gjitha të metat e Adrolës: “E para, Adrola nuk është fare kursimtare…” – nisi ajo dhe këtu Adrola ndërhyri për të thënë se në udhëtimin e fundit, Kristina ia kishte mbajtur të gjitha lekët dhe e bëri të hynte në borxhe. Edhe kjo nuk ishte zgjidhje…

E dyta, beson shumë dhe bën shumë për njerëzit që nuk e meritojnë. E treta, ha shumë, shumë, shumë keq dhe aspak shëndetshëm (pasi mjeku një herë e këshilloi për t’u ushqyer me supa dhe ushqime të tjera ta shëndetshme, Adrola jo vetëm që nuk hëngri sipas këshillave të tij, por nuk piu as ilaçet).

Kështu siç e nisi, Kristi kishte edhe të tjera për të thënë për mikeshën e saj, por tha se po e linte me kaq për t’ia lënë radhën Adrolës. Kjo e fundit nuk kishte gjë për të thënë për Kristinën, si fillim: “Është shumë e mirë, çfarë mund të them unë për Kristin?” Por, nuk zgjati shumë dhe shtoi: “Por Kristi është njeriu që më shkatërron sistemin nervor, sepse është gjithmonë me vonesë. “Le të më presin…” thotë. Po si moj të të presin?

Si natyrë më e ftohtë, më e qetë, Kristina di të thotë vetëm një ‘ok’ sa herë që Adrola vjen me të katra për t’i rrëfyer diçka të re. Edhe në rastet kur dalin dhe u pëlqen të vishen njëlloj, Adrola nuk di si ta shprehë entuziazmin, ndërsa Kristina është mjaftuar me një ‘ok’ për të thënë se edhe asaj i pëlqen të vishen njëlloj. Por kjo qetësi ia shkatërron nervat Adrolës…  

Sinqeriteti që kanë kundrejt njëra-tjetrës është ndër sekretet që i mban bashkë për shumë vite Kristinën dhe Adrolën. Me gjithë gjërat e ndryshme që kanë, ia dinë njëra-tjetrës edhe pikat e dobëta, edhe ato të forta, që i bëjnë të jenë gjithmonë bashkë.