Andrra Destani, bashkëshortja e Sinan Hoxhës, është një personazh që jo rrallëherë prodhon lajme më shumë se vetë këngëtari i njohur. Edhe pse e ka shprehur shpesh edhe publikisht, Sinanit i vjen të plasë që Andrra, pa përpjekjen më të vogël, është edhe më e ndjekur se ai në rrjetet sociale, por edhe është gjithmonë burim lajmi.

Megjithatë, kur është fjala për lajmin e shtatzënisë, që pushtoi mediat dhe portalet pak ditë më parë, ka diçka për të thënë edhe Sinani.

I ftuar sot në “B & E Caffe”, me Besin dhe Erionin, Sinani rrëfeu disa sekrete të jetës së tij bashkëshortore, raportin me Adrrën (nuk harron asnjëherë të thotë se ajo është xheloze, madje edhe e rreh), si edhe zbuloi se kur do të bëhen prindër për herë të dytë.

Pyetja që i bën të gjithë kureshtarë pas lindjes së parë, është ‘kur do të vijë një fëmijë i dytë në familje?’ dhe për këtë Sinani tregoi: “Kur do të bëj kalama tjetër? Para disa ditësh, kur shkruajtën disa nga portalet se Andrra është shtatzënë, më morën për të më pyetur nëse ishte i vërtetë lajmi: “Do ta kenë lënë shtatzënë këto portalet, se unë akoma jo” – tha me të qeshur duke mohuar edhe një herë lajmin e shpërndarë virtualisht: “Jo, akoma... Shumë shpejt, pse jo?” – tha prerë këngëtari.

I rritur në një familje të madhe, me 9 fëmijë, me siguri edhe Sinani do një familje të madhe. Me Andrrën, ai tha se zihet më shumë në lidhje me Ansin. Ajo, me gjasë, do të vendosë disa rregulla për të birin, ta rritë “me kulturë”, por është Sinani aty që i jep dy çokollata nëse Ansi kërkon një dhe shumë të tjera si këto. Sepse ai nuk i njeh “rregullat”, as nuk do t’ia dijë për to kur kujton se sa në harmoni dhe e lumtur është rritur ai në një familje të madhe, me shumë motra dhe vëllezër…