Hacker-imi (vjedhja) e adresave të email-it po kthehet gjithmonë e më shumë në një çështje shqetësuese në gjithë botën. Prej shumë kohësh ky problem ka prekur vendet si: Amerika, Italia, Britania e Madhe, por duket se edhe Ballkani po preket me një shpejtësi të madhe dhe të gjithë mund të ndiheni të rrezikuar, pasi as vendi ynë nuk bën përjashtim. Shumë njerëz nga e gjithë bota kanë marrë email-e kërcënuese dhe një numër i madh kanë tentuar vetëvrasjen për shkak të këtyre kërcënimeve që vijnë nga hacker-at.

Si veprojnë hacker-at?

Fillimisht të dërgojnë një email, ku të tregojnë se kanë vendosur një virus në faqet që ke vizituar, kryesisht faqe porno. (Kush nuk ka vizituar një faqe porno të paktën një herë në jetë?) Sipas tyre, të kanë regjistruar ndërkohë që ke qenë duke parë video të tilla. Pjesa e parë e regjistrimit konsiston në videon që ke qenë duke parë, ndërsa pjesa e dytë tregon pamjen tënde, pasi virusi u ka dhënë akses edhe në kamerën e telefonit apo kompjuterit nga po shikoje videon. Më pas, të kërcënojnë që këtë regjistrim do t`ua nisin të gjitha kontakteve të tua, të cilat software-i i hacker-it ka mundur t`i sigurojë nga Messengeri, email-i dhe të gjitha rrjetet e tua sociale.

Për të mos e bërë këtë gjë, ata të kërkojnë të kryesh një pagesë, e cila fillon nga 280 në 3000 apo edhe 9000 dollarë, në varësi të dëshirës së hacker-ave. Po ashtu, të mësojnë si të kryesh pagesën nëpërmjet Bitcoin duke të lënë afat vetëm një ditë nga momenti që ti lexon email-in, gjë të cilën ata mund ta dallojnë nëpërmjet software-it të tyre.

Cila prej këtyre gjërave që ata të shkruajnë është e vërtetë?

E vetmja gjë e vërtetë në gjithë këtë është fakti që ata të kanë vjedhur password-in (fjalëkalimin). Pjesa tjetër është mashtrim, megjithatë shumë njerëz kanë rënë në këtë ‘grackë’, sidomos pasi hacker-i i ka shkruar se e di fjalëkalimin e tij duke e vërtetuar këtë gjë. Në këtë rast je vërtetë i/e rrezikuar, pasi hacker-i mund të lexojë email-et e tua. Denoncimi nuk të bën shumë punë, pasi email-et e tilla janë të shumta dhe në shumicën e rasteve nuk mund të gjurmohen.

Në asnjë mënyrë mos e konsidero të kryesh pagesën, pasi hacker-i do të vazhdojë me kërcënimet edhe nëse e bën. Ruani qetësinë dhe provoni menjëherë të ndërroni fjalëkalimin, por duke vendosur një fjalëkalim me të paktën 8 karaktere dhe të përmbajë shkronja të mëdha, shkronja të vogla, simbole dhe numra. Për më shumë këshilla se si të mbroheni nga hacker-at, klikoni në artikullin e mëposhtëm.

Si të mbroheni nga hacker-at dhe vjedhja e adresave?