Aludimet se po largohej nga Tv Klan dhe nga programi “Jo vetëm modë” në mes të sezonit kanë nisur prej disa ditësh, por sot u zbardh zyrtarisht e vërteta për këngëtaren dhe moderatoren e “Jo vetëm modë”. Projekti i ri që do të ketë moderatore Orinda Hutën është Festivali Ndërkombëtar Operistik “Marie Kraja”, i cili këtë vit ka edicionin e tij të 17-të. Mes shumë risive që pritet të zbulohen në këtë festival në datat 18, 19 dhe 20 prill, është edhe emri i Orinda Hutës, e cila këtë herë sfidon veten edhe në një spektakël të një profili tjetër nga ata që ajo është mësuar të drejtojë deri tani.

Lajmin e ka konfirmuar sot në “E Diell”, ku ishte e ftuar, themeluesja e këtij festivali dhe drejtoresha e TOB-it, Zana Çela. Ndonëse zërat kishin nisur, sot nga studio e “E Diell”, Zana konfirmoi emrin e Orindës si moderatore e këtij festivali.

Natyrisht, Orinda nuk do ta lërë në mes programin “Jo vetëm modë” dhe as do të largohet nga Tv Klan. Ky projekt, me siguri, do të përcillet edhe në programin e saj, në Tv Klan.

Festivali “Marie Kraja” organizohet me regji të Pali Kukes, të cilit iu besua ky festival edhe 20 vjet më parë. Festivali vjen me pjesëmarrjen e 15 konkurentëve nga vende të ndryshme të botës si: Itali, Spanjë, Rusi, Ukrainë, Turqi, Kinë, Kore, Shqipëri, Francë dhe Greqi. Në këtë edicion do të vijnë edhe dy të ftuar specialë; tenori me famë botërore Murat Karahan dhe virtuozi i violinës, fituesi i disa çmimeve ndërkombëtare, Elvin Hoxha.

Në datën 18 prill, të gjithë konkurentët e festivalit do të këndojnë përpara jurisë dhe në datat 19 dhe 20 prill do të këndojnë përballë publikut, në Qendrën Kulturore të Katedrales Orthodhokse. Juria e festivalit të 17-të është e përbërë nga personalitete të artit operistik dhe drejtorët e disa prej operave më të mëdha në botë. Një repertor me ariet më të bukura dhe këngët legjendë të vendeve do të jenë pjesë e programit të festivalit.