Moderatorja e njohur e Top Channel është shpesh herë pjesë e medias rozë, jo vetëm për zhvillimet e fundit në jetën e saj private, por edhe në aspektin profesional, apo edhe në atë më diskret siç është raporti me të birin Jon, të cilin ajo zgjedh shpesh ta ndajë në rrjetet sociale përmes fotove të ndryshme dhe interesante. Kështu, Arbana Osmani është duke shijuar prej disa ditësh një argëtim ndryshe, larg Tiranës, në një parqet e lodrave më të mëdha në Evropë, e bashkë me djalin e saj ajo ka zgjedhur që t'i largohet monotonisë dhe angazhimeve të përditshme mes punës dhe televizionit, për t'ju dedikuar plotësisht të birit. Përmes fotove të postuara në Instastory, prezantuesja e njohur na ka treguar copëza lumturie përmes gjesteve të ëmbla, si tulipani që i biri i dhuroi pak ditë më parë, apo gjatë aventurës së argëtimit në parkun e lodrave, e së fundmi një kapelë që Arbana e ka vendosur në kokë sepse Joni i tha: "Mbaje ti kapelen mama"! E buzëqeshur, moderatorja e ka ndarë me të gjithë këtë foto të bukur.

Por, mes morisë së komenteve, ka pasur edhe nga ato negativet, e një prej tyre ajo ka zgjedhur ta ndajë me gjithë publikun virtual. "Kur qesh edhe ti me këto dhëmbë si qen, se di dmth...", ka qenë komenti i fanses në mesazhet e moderatores, ndërsa kjo e fundit nuk ka ngurruar që ta ndajë atë me të gjithë, duke i kthyer edhe përgjigjen e merituar komentueses. "Unë nuk do të ndalojë kurrë së qeshuri, më vjen keq", i kthehet Arbana, ndërsa vetëm pak minuta më vonë postoi edhe një tjetër foto që konfirmon mbështetjen e madhe që fansat i japin në kësi situatash.

"Por, pavarësisht ndonjërës që duhet për hudhër, kam ndjekësit më të sjellshëm në botë. Ju dua", ka shkruar Arbana Osmani në postimin e saj të fundit në Instastory.

E kjo na konfirmon edhe njëherë mbështetjen e madhe që ajo ka tek audienca shqiptare!