Ka shumë nga ata që nuk i mbajnë mend prapësitë e fëmijërisë, ashtu si edhe shumë të tjerë që pas disa viteve i kujtojnë me endje. Elita Rudi, e ftuar sot në Piter Pan, zbuloi para fëmijëve se edhe ajo mbante mend një ngjarje të tmerrshme që i kishte ndodhur shumë vite më parë.

Gazetarët e vegjël të Piter Panit kishin mësuar se Elita i ka vënë flakën dhomës së saj. Duke e konfirmuar këtë, moderatorja e njohur tregoi se, fare pa dashje, nga një arush të cilin ajo nuk e pëlqente më, mori flakë dhe u dogj dhoma e saj: “Unë nuk e dija që e dogja të gjithë dhomën. Gjithçka nisi nga arush që unë nuk e pëlqeja më. Vendosa që t’i vë flakën dhe pastaj e futa në dollap. Mami nëpër shtëpi ndiente një erë të djegur, por nuk ma mori mendja se ishte arushi. Sapo hyri babi pastaj në shtëpi, edhe ai tha “diçka po vjen erë e djegur”. Aty shpërtheu flaka dhe iku dhoma ime”, rrëfeu Elita duke i këshilluar fëmijët që të jenë të kujdesshëm edhe në lojëra, sepse një pakujdesi e vogël mund të shkaktojë aksidente të tmerrshme.