Nga anija me emigrantë deri në Mediaset me Maria De Filippi-n, balerini i njohur shqiptar, Kledi Kadiu mund të rrëfejë histori të pafundme nga jeta e tij, por mbrëmjen e sotme përballë fëmijëve të Piter Panit rrëfeu disa prej atyre më të bukurave që i kanë ndodhur gjatë këtyre viteve.

“Tmerr”,- u përgjigj ai vetëm me një fjalë pas pyetjes si është të punosh me Maria De Filippi-n, por shtoi se është aq profesioniste, saqë nuk di gjë tjetër veçse 24 prova, prova, prova…

Po ashtu, Kledi nuk i la fëmijët dhe publikun pa përgjigje edhe kur kureshtja shkoi deri në shtëpinë e tij. Balerini dhe bashkëshortja e tij Charlotte Lazzari, janë prindër të një vajze 3-vjeçare, Lea, por kurorë kanë lidhur një vit më parë, në një ceremoni private me të afërm e miq të ngushtë.

Po si është martesa për Kledin, çfarë ka ndryshuar ajo tek ai pothuaj një vit nga ceremonia zyrtare?

E ka të thjeshtë përgjigjen – është akoma në mjaltin e saj: “Lumturi, respekt dhe dashuri…” – tha Kledi pasi iu kërkua që ta përshkruante me tri fjalë.

Meqenëse është ende në vitin e saj të parë, Kledi po shijon çdo gjë të bukur nga martesa me Charlotte, por edhe me vajzën e tij 3-vjeçare. Megjithëse Lea është fryt i dy prindërve me kombësi të ndryshme, Kledi e di që asaj gjithmonë do t’i pëlqejë të vijë në vendlindjen e të atit. Të paktën puna ka nisur që tani për këtë. Gjyshja ia ka blerë abetaren për t’i mësuar gjuhën shqipe…